Sot luhet derbi Gjilani – Drita
Mbase derbi më i madh kosovar ndërmjet Gjilanit dhe Dritës do të zhvillohet sot në Prishtinë.
Gjilani dhe Drita do të përballen në mes vete në derbin e Anamoravës, në kuadër të xhiros së 26-të të IPKO Superligës, shkruan Gazeta Express.
Gjilani është organizator i kësaj ndeshjeje si vendës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë pasi stadiumi i Gjilanit është në renovim dhe në mungesë të sigurisë për një derbi të madh si ky në mes të dy rivalëve të përbetuar nga i njëjti qytet.
Derbi do të luhet në mbrëmje, nga ora 20:00 nën dritat e reflektorëve, ndërsa kjo do të jetë hera e parë që derbi i Gjilanit do të luhet larg këtij qyteti, që nga viti 2001.
Biletat për këtë ndeshje shumë të pritur dolën në shitje me çmim më të lartë se zakonisht. Më të lirat janë nga 3 euro, ndërsa ato më të shtrenjtat 15 euro.
Drita renditet e katërta dhe ka dhjetë pikë më shumë se rivali i qytetit Gjilani, i cili është i gjashti në Superligë.
Gjilani e ka realizuar vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit (dy humbje dhe dy barazim), ndërsa Drita është në formë të lartë sepse i ka fituar të gjitha pesë ndeshjet e fundit.



