Sot po e sulmojnë, në vitin 2023 Kurti lavdërohej me raportin e Reporterëve pa Kufij meqë Kosova kishte progres
Eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje janë organizuar për të sulmuar raportin e Reporterëve pa Kufij, meqë ky raport ka nxjerrë në pah një rënie drastike të Kosovës sa i përket indeksit të lirisë së medias.
Megjithatë në vitin 2023, kur Kosova kishte pasur progres në të njëjtin raport, kryeministri në dorëheqje Albin Kurti e kishte shpërndarë në profilin e tij në “X” për t’u lavdëruar, shkruan Express, transmeton Periskopi.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”, kishte shkruar Kurti në vitin 2023.

Kujtojmë, se Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete, transmeton Periskopi.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Për dy vjet, 43 pozita më keq është renditja e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave.
Përderisa në vitin 2023, Kosova ishte në vendin e 56. Në vitin 2024, Kosova pati një rënie të madhe duke u renditur në vendin e 75, transmeton Periskopi.
E si mos më keq, situata është në vitin 2025. Kosova renditet në vendin e 99, duke u radhitur më së keqi në Ballkan dhe gjithë Bashkimin Evropian.



