Sqarohet sekretari i FFK-së, ja çka thotë për politikanët dhe tribunat VIP

Sqarohet sekretari i FFK-së, ja çka thotë për politikanët dhe tribunat VIP

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu është sqaruar rreth deklaratës së tij dhënë sot lidhur me atë se në tribunat VIP ka pasur shikues që nuk kanë paguar biletë për ta shikuar ndeshjen.

Më herët gjatë ditës, Salihu kishte thënë se ishte “i ulur në fund të tribunës VIP në mes të dyja karrigeve që të mos më shohë askush”.

Rreth këtyre deklaratave të tij, Salihu ka dalë me një njoftim,i cili është sqaruar se kjo nuk kishte të bëjë me tribunën ‘super VIP’ – aty ku ulen figurat e njohura dhe politikanët – por tribunën VIP, e cila ka rreth 1.600 ulëse.

Mësohet se për dallim nga tribuna ‘super VIP’, aty ku mund të ulen 36 vetë, kryesisht krerët shtetëror dhe për të cilat bileta nuk ka çmim, në tribunën VIP duhet të paguhet 80 euro varësisht se ku ndodhet ulësja.

”Në ditët e sotme portalet po e shfrytëzojnë çdo mundësi e shkas për të bërë tituj ‘bombastik’ dhe me apo pa qëllim po i nxjerrin deklaratat nga kontesti, e në masë të madhe edhe po shpikin fjalë të pathëna.

Një rast i tillë ndodhi edhe me deklaratën time të dhënë sot për mediumin “Zëri”, ku gazetari qëllimisht i ka dhënë shkrimit qasje krejt të kundërt me atë çfarë kam deklaruar, duke i atakuar padrejtësisht krerët e shtetit dhe politikanët në përgjithësi, artikull i cili më pas bëri “jehonë” dhe u publikua edhe nga portale tjera.

Është e pandershme dhe joetike që një medium i tillë serioz e ka keqpërdorur deklaratën time dhe është munduar ta shfrytëzojë emrin tim dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës për ‘klikime’ apo edhe për interesa politike.

Me këtë rast dua ta sqaroj opinionin se deklarata ime lidhur me biletat nuk ka të bëjë fare me sektorin “Very VIP”, i cili është i rezervuar pikërisht për krerët e institucioneve dhe menaxhohet nga Kryeministria. Madje, unë si sekretar i përgjithshëm dhe FFK-ja si institucion jemi gjithmonë të nderuar kur në ndeshjet e Kombëtares së Kosovës janë të pranishëm krerët e shtetit dhe që përherë janë në mbështetje të djelmoshave tanë.

Personalisht e falënderoj presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që pikërisht sot ne e kemi mundësinë që spektaklin që e ofrojnë futbollistët tanë në fushë dhe Dardanët në tribuna ta shijojmë në stadiumin tashmë mitik ‘Fadil Vokrri’.

Prandaj, deklarata ime nuk ka të bëjë fare me krerët e shtetit dhe politikanët e vendit, por thjesht kjo si duket është bërë me qëllim nga gazetari i mediumit të sipërpërmendur, që të hapen tema në këtë kohë kur imazhi i futbollit të Kosovës është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Me respekt, 
Eroll Salihu, Sekretar i Përgjithshëm i FFK-së”, ka qenë reagimi i tij.

I pyetur se pse persona të caktuar duhet të jenë të ftuar për ta shikuar ndeshjen, Salihu zbuloi se kjo ndodh për shkak se FFK-ja ka marrëveshje me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sepse ne kemi marrëveshje me ministrinë, ne i japim kaq vende, ata e caktojnë kë të dojnë, nuk i caktojmë ne”, zbuloi Salihu.

“Ne e caktojmë vetëm pjesën tonë, ndërsa pjesa VIP, që është me disa mija, 1.500-1.600, për këtë kam thënë. nuk kam thënë për politikanët, por në përgjithësi. Ne ua bëjmë ftesën Kryeminstrit, Presidentit, por ne në fund ua japim edhe një sasi të caktuar, kemi memorandum. Ato janë në rregull, por pjesa tjetër e VIP-së, tash institucione të tjera lajmërohen, lajmërohet një ministri tjetër, lajmërohet një shoqatë, ne po duhet t’i respektojmë sa po mundemi, por kjo po na kushton tash”, thotë Salihu.

Ai zbuloi se institucione të ndryshme [jo vetëm politike] bëjnë kërkesa, ata bëjnë kërkesa për tribunën VIP për të cilën duhet të paguhet 80 euro.


Eroll Salihu, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës

“Edhe tash ne aty paguajmë kumeditë sa ushqim, ata vijnë ulen në vende të caktuara, ushqehen si zotni, edhe në fund shajnë krejt edhe në fund dalin prej fushe, po ku ka në botë kështu”, shprehet Salihu.

“Tash po foli shlirë, ku ka kështu? Ne nuk kemi gabuar, se kemi dashtë mi respektu pak, por tash kur të del prej kontrollit, kjo për mua është absurd”.

“Të gjitha shtetet në rajon i shesin [biletat], vetëm një kontigjent shumë i vogël, ne edhe me Dukën kemi fol, që na ka thënë se askush nuk vjen ta shikojë lojën falas”.

I pyetur nëse FFK-ja ka dhuruar bileta falas për në sektorin VIP, Salihu tha se kjo ka ndodhur me disa persona dhe institucione.

“Po sigurisht, disa institucioneve, disa personave, që ne i kemi edhe njerëz që kanë kontribu, por pe shohim që po na dal prej… e ka humb efektin, se njerëzit nuk po dinë mu ndal”.

Sekretari i FFK-së zbuloi se për krerë të shtetit si Presidenti dhe Kryeministri, Federat janë të obliguar që të dhurojnë biletat.

“Po, po, super VIP-ja i takon, 36 biletat i dhurohen ministrisë, edhe ajo është e obliguar t’ia japë Qeverisë, ne nuk i përzgjedhim, normal Presidenti, Kryeministri. Aty është për zyrtarë të ndeshjes, kryetari i Federatës me 4-5 anëtarë etj, delegati i ndeshjes”, thotë ai.

“Federata vetëm personave kryesorë i dërgon ftesën, Kryeparlamentarit, Kryeministrit, këtyre kryesorëve që janë, pastaj ministria i mbulon tjerët. Shpendi që e keni përmend, kryetarin. D.m.th kjo me super VIP s’ka të bëjë hiç, kjo është për VIP, super VIP përfaqësohet shteti, në rregull është”, përfundon Salihu.

Për këtë kishte reaguar Kadri Veseli e Shpend Ahmeti.

Shpërndaje në: