Studimi i britanikëve: Koronavirusi ka rritur në përmasa të larta depresionin dhe angështinë

Studimi i britanikëve: Koronavirusi ka rritur në përmasa të larta depresionin dhe angështinë

Kishte një rritje të numrit të njerëzve që raportuan nivele tepër të larta të depresionit dhe angështisë menjëherë pas vendimit për izolim të Mbretërisë së Bashkuar për shkak të koronavirusit, ka treguar një studim i ri.

Hulumtuesit gjetën se më 24 mars – ditën kur kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi se britanikët duhet të rrinin brenda shtëpive të tyre – 38 për qind e pjesëmarrësve kishin raportuar nivele të larta të depresionit ndërkaq 36 për qind thanë se ishin ndjerë më të angështuar, shkruan Independent, përkthen Periskopi.

Vetëm një ditë më parë, numrat kishin qenë shumë më të ulët. 16 për qind kishin raportuar rritje të nivelit të depresionit dhe 17 për qind rritje të nivelit të ankthit.

Hulumtuesit nga Universiteti i Sheffieldit dhe Universiteti Ulster në Irlandën Veriore thanë se ndjesia e rritur e depresionit dhe ankthit kishte ngulmuar edhe përgjatë pjesës së mbetur të javës (23 deri më 27 mars).

Richard Bentall, profesor i psikologjisë klinike në Universitetin e Sheffieldit dhe udhëheqësi i studimit, tha se rezultatet tregonin që publiku ishte i shqetësuar në lidhje me pandeminë.

Studimi i ri ka pasur për qëllim të kuptojë impaktin që ka për shëndetin mendor shpërthimi i koronavirusit.

Po ashtu u gjetën nivele të rritura të ankthit dhe depresionit edhe te njerëzit poshtë moshës 35 vjeçare, që jetojnë në qytet, të vetëm apo me fëmijë, me të ardhura të vogla apo që kanë probleme shëndetësore. /Periskopi

Shpërndaje në: