Syla flet për Periskopin rreth kërkesave të punonjësve shëndetësor për qeverinë e ardhshme

Syla flet për Periskopin rreth kërkesave të punonjësve shëndetësor për qeverinë e ardhshme

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, në një intervistë për Periskopin ka folur rreth vështirësive nëpër të cilat punonjësit shëndetësor kanë kaluar gjatë muajve të pandemisë.

Ai ka folur edhe për vonesat e vaksinës anti-Covid19, për të cilën ka thënë se ‘faji është politik’.

Në fund, Syla ka treguar edhe kërkesat e punonjësve shëndetësor për qeverinë në ardhje.

Më poshtë mund të ndiqni intervistën e realizuar nga Periskopi:

Periskopi: Sa jeni të kënaqur me qeverinë aktuale në raport me punonjësit shëndetësor?

Blerim Syla: Si sindikatë i kemi vërejtjet tona, atë çfarë mund të them është që nuk kemi hasur në konsistencë të kërkesave tona, pasi që për çdo muaj është dashur të shkojmë në bisedime për shtesat ndaj punonjësve shëndetësor, të cilat kanë qenë të siguruara edhe me ligjin anti-Covid, pra aty janë paraparë shtesat për çdo muaj. Tash i kemi shtesat deri në muajin mars dhe pas këtij muaji, nuk dihet çfarë do të ndodhë më tutje me qeverinë e re.

Periskopi: Cilat janë shqetësimet dhe vështirësitë me të cilat janë përballur punonjësit shëndetësor gjatë pandemisë?

Blerim Syla: Po së pari kemi pasur problemin që e ceka më herët shkaku i shtesave, ndërsa së dyti është edhe vonesa e sigurimit të vaksinës, e cila normalisht ka vështirësuar punën e punonjësve shëndetësor.

Periskopi: A është Qeveria fajtore sipas juve për vonesën e vaksinave anti-Covid19?

Blerim Syla: Me fillimin e pandemisë, shkencëtarët dhe kompanitë e mëdha farmaceutike fillojnë punën për sigurimin e vaksinës, andaj ne është dashur të bëjmë politika lobuese që të përfitojmë nga këto kompani. Sipas mediave vendet e mëdha dhe më të zhvilluara e kanë siguruar më herët vaksinën se sa shtetet e vogla dhe kjo është për të ardhur keq edhe për Kosovën. Por faji është politik dhe nuk mund të fajësohet askush, pasi që nëse Kosova nuk ka pasur mundësi vetë t’i sigurojë vaksinat, atëherë përmes aleatëve është dashur të bëjë kërkesë për furnizim ose edhe së bashku me Shqipërinë. Ne kemi informata që Banka Botërore ka aprovuar një ndihmë për blerjen e vaksinave dhe jo të pritet vetëm për programin Covax, mirëpo sipas disa burimeve ata thonë se Qeveria e Kosovës është vonuar me kërkesë. Do të thotë, Banka Botërore ka pasur mundësi të ndërmjetësojë më shpejtë se sa Qeveria e Kosovës për blerjen e vaksinave, mirëpo nuk e kanë pasur këtë kompetencë nga ana e qeverisë.

Periskopi: Kërkesa e punonjësve shëndetësor për qeverinë në ardhje?

Blerim Syla: Menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinës, dyfishimi i buxhetit për punonjësit shëndetësor dhe rritja e pagave për punonjësit shëndetësor. Këto kërkesa ia kemi dërguar të gjitha partive politike dy javë para hapjes së fushatës elektorale të zgjedhjeve të 14 shkurtit, andaj partitë i dinë mirë kërkesat e punonjësve shëndetësor. /Periskopi

Shpërndaje në: