Studenti futbollist – njihuni me aftësitë mahnitëse të Albin Elshanit

Periskopi.com Sporti

Mbase për shumëkë nga publiku futbolldashës, aftësitë individuale dhe teknika e përsosur që lojtarët e caktuar demostrojnë gjatë lojës në fushë, janë shtytës përcaktues i lidhjes besnike të tyre me sportin, gjegjësisht me futbollin.

Aftësitë teknike për të manovruar me topin, si dhe cilësitë e tjera të cilat e shquajnë talentin 18 vjeçar nga Prizreni, Albin Elshanin, janë garancë që krahas vlerave, lojës së futbollit do t’i shtohet edhe spektakuli e publiku.

Në një prononcim për Periskopin, futbollisti prizrenas, tregon për hapat e parë në rrugëtimin e ndjekjes së pasionit të tij, futbollit.

“Futbollin e kam pasur pasion qysh shumë i vogël. Ky pasion i madh për topin, më ka shtyrë që qysh në moshen 13 vjeçare të fillojë ushtrimet në klubin futbollistik Winner në Prizren, duke vazhduar pastaj në klube të tjera.”

Albini, i cili aktualisht stërvitet me klubin Liria nga Prizreni, tregon edhe përvojat e tij në akademitë me reputacion në Bundesligës gjermane.

“Verën e kaluar kam pasur fatin qe t’iu bie ne sy edhe disa ndërmjetësuesve të akademive gjermane, e ku më është dhënë mundësia që të shkojë të shoh e të marrë mësime futbollistike nga një akademi gjermane në qytetin Hannover në Gjermani.”

Duke treguar planet e tij për të ardhmen në karrierën e tij futbollistike, ai zbuloi se si dhe ku po planifikon ta vijojë karrierën.

Mirëpo, ai tregon se paralelisht me karrierën futbollistike do t’i ndjek edhe studimet universitare, të cilat sapo i ka regjistruar në Zvicër aty ku pritet ta vijojë edhe karrierën e tij prej futbollisti.

“Planet e mija për jetën, janë planet e mija për futbollin dhe topin. Sportin e kam pjesë të jetës dhe nuk mendoj që ndonjëherë do të ndahem prej tij. Sapo kam mbaruar shkollën e mesme dhe karierën time besoj që do ta vazhdoj në Zvicër, ku perveç studimeve në fakultetin në të cilin jam pranuar, do të mundohem që t’i hap vetës rrugën me futbollin”, nënvizon Albini.

Kështu Periskopi jua përcjell videon e Albinit duke manovruar me topin, ku pasqyrohen aftësitë e tij.