Ramush Haradinaj uron popullin francez për Ditën e Bastijës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar popullin francez për nder të Ditës së Bastijës, e cila është Festë Kombëtare në Francë. Shefi i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se Republika franceze është sinonim i lindjes së lirisë, barazisë, vëllazërisë, trinomit që është përqafuar gjerësisht në botën demokratike.

Ky është postimi i plotë i Haradinjat:

Republika franceze është sinonim i lindjes së lirisë, barazisë, vëllazërisë, trinomit që është përqafuar gjerësisht në botën demokratike. Shoqëri dhe shtet model që na shërben për t’u bashkuar rreth vlerave të përbashkëta edhe neve në Kosovë.

Në emër të Qeverisë, përmes ambasadorit Didier Chabert, përcolla urimet më të mira për prosperitetin e Francës dhe popullit francez. Festofshi në paqe dhe mirëqenie të vazhdueshme! Bonne fête Nationale.

 

Thaçi flet për Revolucionin francez në Ditën e Bastijës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Francës në Kosovë të organizuar për nder të Ditës së Bastijës, e cila është Festë Kombëtare në Francë.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo është ditë e shënuar për Francën dhe tërë botën liridashëse.

Revolucioni francez, sipas presidentit Thaçi, ishte fillimi i ndryshimeve rrënjësore, jo vetëm në Francë, por në tërë botën.

“Porosia që dha Parisi, në Ditën e Bastijës, u bë mesazh dhe aspiratë për tërë botën liridashëse. Liri, barazi dhe vëllazëri u bënë dëshira të tërë botës dhe mbi frymën e tyre u ndërtuan shumë shtete e shoqëri. Këto vlera ishin në thelb edhe të aspiratës së Kosovës, që të jetë e lirë, e barabartë me vendet e tjera, në një bashkësi fraterniteti me popujt e tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se këto vlera e parime nuk i përkasin vetëm historisë, por edhe të sotmes dhe të ardhmes.

Mbi të gjitha, sipas presidentit Thaçi, angazhimi ynë për t’i instaluar dhe mbrojtur këto vlera ende nuk ka përfunduar.

“Kur presidenti Macron kërkon reformim të brendshëm të BE-së, ai kërkon forcim më të madh të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë në mes të shteteve të BE-së. Kur ne në Kosovë flasim për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajonin e Evropës Juglindore, e kemi fjalën për forcimin e lirisë dhe barazisë në mes popujve dhe shteteve të rajonit tonë. I jemi mirënjohës Francës, çdo burri e gruaje, që ka kontribuar që edhe në Kosovë të instalohen këto vlera”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit u shpreh mirënjohës për përkrahjen e Francës në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe shoqërisë sonë shumetnike e tolerante.

“Jam i lumtur që kemi ndërtuar marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera dhe vazhdojmë të punojmë që të thellojmë këtë bashkëpunim dhe këtë miqësi. Prandaj, në Ditën e Bastijës, i kujtojmë luftërat dhe sakrificat që kemi bërë gjatë historisë”, shtoi ai.
Presidenti Thaçi ritheksoi sërish përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve tona për një shtet, për një shoqëri, për një Evropë dhe për një botë në të cilën të gjithë njerëzit, pa dallim, do të jetojnë të lumtur dhe me dinjitet, në liri dhe barazi.