Reuters raporton për Specialen: Thaçi, hero kombëtar i përkrahur nga ShBA-ja, akuzohet për rreth 100 vrasje

Periskopi.com Lajme

Agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, ka raportuar të mërkurën për fillimin e gjykimit të parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke paraqitur kryesisht të dhëna për krijimin e kësaj gjykate dhe për të akuzuarit.

Gjykimi i parë u hap të mërkurën në një gjykatë speciale që po merret me krimet e viteve 1998-1999 në konfliktin e Kosovës, shkruan Reuters.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 për t’i trajtuar krimet që nuk janë gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për Ish-Jugosllavinë i Kombeve të Bashkuara, i cili ndoqi penalisht individë për krime gjatë luftërave të Ballkanit në vitet e nëntëdhjeta dhe u mbyll më 2017.

Tribunali ndodhet në Hagë dhe përbëhet nga gjykatës e avokatë ndërkombëtarë, por formalisht është gjykatë e Kosovës e përfshirë në ligjet e Kosovës e jo gjykatë ndërkombëtare si Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për Ish-Jugosllavinë.

Rasti i parë është kundër Salih Mustafës, 50 vjeç, ish-komandant pro pavarësisë, i cili të mërkurën u deklarua i pafajshëm për krime lufte. Ai ngarkohet me akuzat për vrasje, menaxhim të një burgi ku të burgosurit ishin përballur me rrahje të përditshme dhe torturim. Prokurorët thanë se viktimat ishin shqiptarët, të cilët nuk ishin pajtuar politikisht me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ngritur padi ndaj tetë të dyshuarve. Të gjithë janë në ndalim në një qytezë bregdetare holandeze, Scheveningen. Në mesin e tyre është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga posti vitin e kaluar dhe u dorëzua për t’u përballur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurorët e mbajnë Thaçin përgjegjës për rreth 100 vrasje të civilëve gjatë luftës, kur ai ishte komandant i UÇK-së që i luftoi policinë e ushtrinë serbe.

Thaçi, hero kombëtar i përkrahur nga ShBA-ja, iu fut karrierës politike pasi e udhëhoqi betejën e UÇK-së kundër forcave që ishin nën urdhrin e Millosheviqit. Ai ka qenë figurë mbizotëruese politike në vend që nga shpallja e pavarësisë para 13 vjetësh.

Së paku 13.000 njerëz vdiqën gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, që atëherë ishte provincë e Serbisë nën pushtetin e presidentit të ndjerë jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

EKSKLUZIVE: Ambasada në Izrael – Dekreti i nënshkruar nga Thaçi nuk përcaktonte Jerusalemin (DEKRETI)

Periskopi.com Lajme

Dekretimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e ambasadës së Kosovës në Izrael duhej të bëhej nga presidenti i Kosovës. E presidente është Vjosa Osmani, në koalicion me Albin Kurtin që qëndrimin aktual për çështjen e ka ‘në shqyrtim’. Zyra e Osmanit pas raportimit të Periskopit bazuar në një status të aktivistit Lulzim Pecit ka dhënë informacione të vlefshme për publikun.

Zyra e u.d. presidentes Osmani për media ka thënë se dekreti për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael ishte nënshkruar nga ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në dekretin e nënshkruar nga Thaçi, e të cilin e ka siguruar Periskopi, thuhet se megjithëse ai dekretonte hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, nuk përcaktonte Jerusalemin si lokacionin ku do të vendosej ajo.

Dekreti i presidentit/es kërkohet për hapjen e çdo ambasade të Kosovës.

Çështja nëse ambasada duhej të vendosej në Jerusalem apo Tel Aviv ka qenë më e nxehta në javët e fundit.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, ka thënë se do ta shqyrtojë se ku do ta vendos Ambasadën – por, derisa ai po merrej me shqyrtimin në fjalë, të hënën më 14 mars, ajo u përurua nga diplomatja Ines Demiri.

Në dekretin në fjalë, shkruhet si vijon:

1.Themelohet misioni diplomatik i Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit 2.Udhëzohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti. 3.Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.

 

Presidenti dekoron kampionin e botës në boks, Robin Haxhi Krasniqi

Periskopi.com Sporti

Robin Haxhi Krasniqi që nga e shtuna mban titullin Kampion i Botës në boks në versonin WBA/IBO.

Krasniqi menjëherë pas fitores është kthyer në vendlindje.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka dekoruar sot Krasniqin me “Medaljen presidenciale të meritave” për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe arritjet e jashtëzakonshme në sport.

Thaçi e përkujton Fadil Vokrrin në formë të çuditshme: E doja Trepçën në kohën kur Prishtina arrinte sukseset e mëdha

Periskopi.com Sporti

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi shkroi dashuria e gjeneratës së tij për futbollin në vitet 80-ta ishte e lidhur ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit.

Thaçi theksoi se Vokrri dashurinë për futbollin e shndërroi në kontribut jetësor për Kosovën.

Postimi i plotë:

#Njerëztëpaharrueshëm

Si i ri jam rritur duke e dashur dhe simpatizuar klubin futbollistik “Trepça”. Dashuria e gjeneratës sime për futbollin në vitet 80-ta ishte e lidhur ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit. Ai shënonte gola kudo që luante. Aq sa ishin emocion dhe gëzim sportiv golat e Fadilit, po aq ishin edhe protestë politike. Si simpatizant i tribunave, atë për herë të parë e takova fizikisht në Paris, në vitin 1999, ku bashkë me presidentin Rugova dhe me disa bashkatdhetarë e pimë nga një gotë.

Edhe pse Kosova përballej me spastrim etnik nga pushtuesi serb, Fadili, i cili nuk përzihej në politikë, ia dinte rëndësinë paqes dhe me padurim priste që përvojën sportive të tij dhe të asaj gjenerate ta bartnin tek të rinjtë e Kosovës.

Ëndrra e tij u bë realitet! Me urtësinë, mençurinë dhe talentin e tij, ai arriti të bëhet i nderuar kudo nëpër botë. Edhe pse asokohe UEFA dhe FIFA ende i kishin të mbyllura dyert për Kosovën, emri i Fadilit e hapte çdo derë. Me anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, ai na bëri të ndjehemi krenarë dhe me identitet sportiv. Çdo moment i lojës së ekipit të Kombëtares së Kosovës është emocion i veçantë. Edhe minuta e nëntë që simbolizon numrin që e bartte Fadil Vokrri është e veçantë dhe mbetet histori.

Presidenti Thaçi del në Sharr, pasi javën e kaluar ishte në Hagë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që këtë vikend ta kalojë i relaksuar në malet e Sharrit, pas një jave të kaluar në Hagë të Holandës.

Thaçi ka postuar një fotografi në profilin e tij zyrtar në Facebook, me rroba sportive në malet e Sharrit.

“Në mesditë nëpër ujëvarat e shpatijeve të malëve të Sharrit. HTH”, ka shkruar Thaçi.

Mbrëmë përmes një video mesazhi Presidenti Thaçi ka treguar për intervistimin e tij në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke mos dhënë detaje se çfarë është pyetur në intervistim.

Thaçi është intervistuar në Hagë nga e hëna deri të enjten për rreth 30 orë, lidhur me aktakuzën e publikuar ndaj tij nga Prokurori Special i Dhomave të Specializuara.

Simpatizantët e VV-së dhe serbët bashkohen kundër Thaçit

Periskopi.com Lajme

Fyerjet kundër personaliteteve në Kosovë nga simpatizantë e VV-së nuk kanë të ndalur. Pasi dje fyen rëndë ish-kryeministrin e Kosovës dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ata kanë vazhduar të fyejnë edhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Këtyre fyerjeve dje u hapi rrugë ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Haki Abazi i cili tha se të hënën Hashim Thaçi mund të mos kthehet fare nga Haga.

Thaçi dje kishte kujtuar masakrën e Srebrenicës në profilin e tij në Twitter, por edhe në Facebook.

Menjëherë janë mobilizuar aktivistë të VV-së. “Hipokrit. Ti je i akuzuar, derisa je duke bërë këtë Tweet”, ka shkruar Dugi Berisha.

Me konstatimin e tij është pajtuar edhe serbi Filip Stefanovic. “Pajtohem vëlla”, ka shkruar serbi.

Edhe në profilin e tij në Facebook, simpatizantë e VV-së, kanë vazhduar fyerjet ndaj pothuajse çdo postimi që bën Thaçi. “Ty më mirë me të pikëllu lajme që ke mu lidh të hënën”, ka qenë një reagim i Erionit Krasniqi, i cili në Facebook shpërndan lajme në mbështetje të liderit të VV-së, Albin Kurtit.

Presidenti Thaçi pret në takim Edi Ramën

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas takimeve me liderët e partive politike, sot pasdite është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Edhe ky takim është i mbyllur për media sikur të gjitha takimet që ishin me drejtues të partive politike.

Ndërsa, prej orës 19:45, presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli do të shtrojnë darkë për kryeministrin Rama.

Rama gjatë ditës së sotme ka takuar edhe kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, atë të Nismës Fatmir Limaj, si dhe ka vizituar Lëvizjen Vetëvendosje, ku është pritur nga nënkryetari Glauk Konjufca.

Vizita e kryeministrit Rama në Prishtinë vjen pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte. Ai do të vazhdojë takimet e tij me krerë të partive politike gjatë ditës së nesërme.

Javë e zezë për Kosovën: Aktakuza speciale, status quo-ja, Eliot Engeli

Periskopi.com Uncategorized

Kjo ishte një ndër javët më dramatike në historinë e pasluftës në Kosovë, një javë që pa mëdyshje mund të përcaktojë drejtimin e vendit për vitet dhe dekadat që vijnë. Por, çka ndodhi?

Fati i dy liderëve që do të merrnin pjesë në takimin e Washingtonit më 27 qershor, Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, nuk mund të ishte më i ndryshëm.

Të hënën, më 22 qershor, u bë e ditur se zgjedhjet në Serbi ishin fituar bindshëm nga ana e Vuçiqit që ia doli t’i merrte 63 për qind të votave.

Të mërkurën, më 24 qershor,  u publikua një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku bëhej e ditur se po paralajmërohej aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veselit dhe nëntë ish luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale në këtë formë kishte shkelur edhe procedurat e saj të brendshme duke dhënë emrat e Thaçit e Veselit para se aktakuza të aprovohej si e bazuar nga gjykatësi përkatës.

Specialja u fut aktivisht në një lojë politike duke fyer kësisoj jo vetëm UÇK-në e me këtë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe viktimat (flitej për 100 vrasje) në të cilat thirrej. Edhe këto viktima u bënë pjesë e kësaj loje politike.

Thaçi në cilësinë e presidentit ishte nisur për në Washington D.C. për të përfaqësuar Kosovën në një takim të një rëndësie tepër të madhe me Serbinë. Në atë takim do të merrte pjesë edhe Avdullah Hoti, kryeministër.

Me të marrë lajmin në fjalë, z.Thaçi anuloi pjesëmarrjen e tij në takim dhe u kthye në Kosovë. Duke parë rëndesën e çështjes mbi vetë shtetin e Kosovës, takimin e anuloi edhe kryeministri Hoti.

Opinioni publik në vend kishte reagime të ndryshme mbi lajmin por në përgjithësi ishte më i unifikuar se asnjëherë në mbrojtje të luftës dhe lirisë së vendit. Madje edhe kundërshtarët politikë të Thaçit shprehën dhimbjen për një aktakuzë të tillë që e cilësuan politike – megjithëse nuk munguan edhe zërat e gëzuar që i mëshonin politikisht.

Por, në një moment tepër të rëndësishëm për vendin, tashmë Serbia mori një avantazh domethënës në luftën diplomatike. Pavarësisht “prezumimit të pafajësisë”, ky vend fqinj do ta përdorë këtë aktakuzë në fushatën agresive për të revokuar njohjet për Pavarësinë e Kosovës – duke provuar që të zgjaste sa më shumë “status quo”-në. Duket se një pjesë e madhe e shqiptarëve në Kosovë asnjëherë nuk e kanë kuptuar seriozitetin e dashurisë serbe për vendin tonë.

Ndërkohë, një tjetër përplasje politike mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit mori vëmendjen publike. Osmani i kishte kërkuar raport kryesisë së partisë së saj për të parë se kush kishte votuar pro dhe kush kishte votuar kundër shkarkimit nga pozita e nënkryetares dhe e anëtares së kryesisë. Kjo u mohua nga i pari i LDK-së, Isë Mustafa, që tha se Osmani duhej t’ia kishte kërkuar atë raport vetë atij. Se ku dhe si do të mbarojë kjo sagë e gjatë e patetike Osmani-LDK mbetet të shihet.

Një zhvillim tjetër i keq për shqiptarët dhe Kosovën ndodhi më 23 qershori. Kongresmeni Eliot Engel e humbi ulësen e tij në Kongres pasi që pësoi thellë në zgjedhjet e distriktit të tij nga sfiduesi Jamaal Bowman. Kjo bëri që pas 31 vitesh karrierë në Kongres duke qenë zëri më i fortë për Kosovën, Engel të largohet i dëshpëruar nga politika amerikane.

Ndër zhvillimet e tjera të rëndësishme është edhe seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritej të votoheshin pesë marrëveshje ndërkombëtare, por që nuk ndodhi ashtu. Vetëvendosje dhe PDK, partitë opozitare, i kundërshtuan këto marrëveshje ani që nuk kishin asnjë argument kundër tyre.

Partia opozitare PDK po ndjek një kurs tjetër opozitar pasi gjatë kësaj jave e paditi gazetaren Jeta Xharra për shpifje dhe fyerje. /Periskopi

“Hashim Thaçi Vlora krenohet me ty” – ndeshja e Kategorisë Superiore fillon 16 minuta me vonesë

Periskopi.com Sporti

Dy parrulla me mesazh politik janë bërë shkak që Federata Shqiptare e Futbollit të fillojë me vonesë ndeshja Flamurtari-Luftëtari.

Parrullat “Hashim Thaçi Vlora është me ty” dhe “Drenica zemra e shqiptarisë” u bënë shkak që Federata Shqiptare e Futbollit të mos lejonte fillimin e ndeshjes deri në heqjen e tyre.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, deklaroi se nuk donte t’i hiqte parullat pasi i kishin vendosur tifozët, madje ai ishte dakort që të mbyllej ndeshja. Megjithatë në fund dy mesazhet janë hequr dhe ndeshja ka nisur

Meshazet kanë lidhje me akuzat e fundit të ardhura nga Haga ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit.

Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit: Çudia me datat dhe rastësia me dialogun?

Periskopi.com Lajme

Përmes një deklarate fare të shkurtër për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë (Gjykata Speciale) ka njoftuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. 

Ajo që çudit nga kjo deklaratë shtypi është pikërisht koha kur është publikuar dhe koha kur (sic) është bërë aktakuza.

Sipas kësaj deklarate, aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit është bërë para saktësisht dy muajsh, më 24 prill të vitit 2020.

Ndërkohë që kjo aktakuzë publikohet pikërisht tash, më 24 qershor, tri ditë pasi që Thaçi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti pritet të shkojë në një takim shumë të rëndësishëm për vendin në Washington të thirrur nga Shtëpia e Bardhë.

Ky takim me palën serbe pritet të prodhojë edhe marrëveshje të sponzoruara nga administrata amerikane, përcjell Periskopi.

Publikimi i kësaj aktakuze të bërë para dy muajsh pikërisht sot lë shumë pikëpyetje sa i përket kredibilitetit të Gjykatës Speciale. Për më tepër, në deklaratë kjo gjykatë është marrë edhe me tema të politikës ditore, siç ishte edhe përpjekja e Thaçit, Veselit dhe Haradinajt që përmes Kuvendit të Kosovës të shfuqizonin ligjet për të.

Për më tepër, ja çka thuhet në paragrafin e dytë të vetë deklaratës së Speciales:

“Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Nga kjo del që aktakuza në fjalë ende nuk është e konfirmuar nga ana e Dhomave Speciale të Kosovës.

Kujtojmë që aktualisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kohët e fundit nuk kanë qenë aspak të sinkronizuara lidhur me qëndrimet për dialogun e Kosovës me Serbinë. /Periskopi 

Hashim Thaçi uron Ditën Kombëtare Egjiptiane

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, u ka uruar të gjithë qytetarëve të komunitetit egjiptian në Kosovë ua 24 qershorin, Ditën Kombëtare Egjiptiane.

“Komuniteti egjiptian kontribuon në mënyrë aktive dhe konstruktive në jetën institucionale dhe shoqërore në Kosovë. Vendi ynë është shumë i pasur me komunitete dhe harmoninë e krijuar do ta ruajmë e forcojmë edhe më shumë”.

“Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të krijojnë kushte sa më gjithëpërfshirëse të integrimit dhe punësimit të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në shoqërinë tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Thaçi para vizitës në SHBA: Do të jetë shumë takim i rëndë për Serbinë, do të arrijmë shumë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pret një takim me rezultate të mira në Shtëpinë e Bardhë.

Ai duke folur në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës , ka thën ëse ky takim do të jetë i rëndë për Serbinë.

“Unë shpresoj se do të arrijmë më tepër seç presin skeptikët. Takimi do të jetë me vështirësi, do të jetë shumë i rëndë, sepse Serbia, për fat të keq, ende vazhdon të shikon nga e kaluara dhe pak të fokusohet për të ardhmen. Mandej e shikojnë Kosovën në aspektin e mitit dhe historisë së rrejshme dhe jo në realitetin e Kosovës së pavarur e sovrane. Megjithëse institucionet dhe liderët në Serbi e dinë se Kosova është vend i lirë e i pavarur dhe se kjo gjë është e pakthyeshme”, tha Thaçi.

Kujtojmë se Presidenti Thaçi e Kryeministri Hoti më 27 qershor udhëtojnë për në SHBA, ku nën ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, do të takohen me Vucicin e Brnabicin nga Serbia.

Presidenti Thaçi i uron babait të tij Ditën Ndërkombëtare të baballarëve

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar babain e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Baballarëve.

Thaçi ka shprehur urime të pafundme për të duke thënë se ndihet krenar që familja e tij dhe ai brez pas brezi kanë shërbyer ndaj atdheut, transmeton Periskopi.

“Urime të pafundme për babanë tim në Ditën Ndërkombëtare të Baballarëve. Ndjehem shumë krenar që i shërbej vendit tim. Por, ajo që më jep më së shumti nder është që shërbimin ndaj atdheut si familje e kemi trashëguar brez pas brezi!”, ka shkruar Thaçi.

Konjufca për akuzat e Thaçit lidhur me “Syrin e Popullit”: Ai po dëshiron të na eliminojë politikisht

Periskopi.com Lajme

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është pjesë e emisionit Debat+ gjatë mbrëmjes së sotme përballë analistëve Astrit Gashi dhe Ilir Mirena.

Në emision u lëshua inserti në të cilin presidenti Thaçi akuzon atë për themelimin e organizatës terroriste “Syri i Popullit”.

“Ne e kemi paditë presidentin për këto deklarata. Lënda është në gjykatë. Kjo është një shpifje. Kjo është më e rëndë dhe serioze se shpifja.” – ka thënë Konjufca.

Ai deklaroi se kjo deklaratë e Thaçit përbënte fazë të re në politikën e Kosovës për shkak se po provohej eliminimi politik i kundërshtarëve të tij, përcjell Periskopi.

“Këtu kryhet politika. Me këtë pjesë kryhet politika. Atij i ka mbetur vetëm një prokuror për me realizu një projekt të tillë (akuzimin e Kurtit dhe Konjufcës).” – shtoi ai.

Ai akuzoi presidentin Thaçi se qëndronte prapa kompanive të sigurimeve, kompanive të ndërtimeve dhe kompanive të gurthyesve. /Periskopi

Denoncimi i liderëve politikë për gjuhë urrejtëse: Për kënd e kishin fjalën ShBA-të, Gjermania & co.

Periskopi.com Lajme

Shtetet mike të Kosovës, të njohura edhe si vendet e Quintit, (ShBA, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia) kanë dalë me një deklaratë mjaft domethënëse në këtë periudhë mjaft të polarizuar në politikën kosovare.

Në këtë deklaratë, aleatët më të mëdhenj të Kosovës iu kanë bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga fyerjet dhe kërcënimet ndaj njëri-tjetrit por të merren me sfidat dhe mundësitë e shumta me të cilat përballet vendi ynë, shkruan Periskopi.

“E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga aftësia e liderëve të saj që të vendosin shembull pozitiv të një diskursi civil dhe ku respektohet liria e shprehjes. Çdo formë e gjuhës nxitëse, e veçanërisht sulmet personale që provojnë të shtyejnë para qëllimet politike, mund të kontribuojë në një atmosferë që inkurajon akte të dhunës. Njerëzit e Kosovës meritojnë më mirë.” – thuhet në këtë deklaratë të fuqishme.

Periskopi vazhdimisht kishte denoncuar gjuhën e urrejtjes dhe mosdurimit që është përshkallëzuar tepër shumë gjatë muajve të kaluar.

Por, pse ky reagim nga ana e ShBA-ve, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë?

Së fundi, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar një tubim manifestues duke e lidhur datën e çlirimit të Kosovës me datën e festimit të përvjetorit të partisë së saj. Ky tubim mund të rrezikojë shëndetin publik duke pasur parasysh shtimin e rasteve në Kosovë pas lehtësimit të masave kundër Covid-19.

Por, gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit është bërë një problem tepër i madh në vend.

Fillimisht, kryeministri Kurti ka përdordur në Kuvendin e Kosovës më 25 mars fjalën “gjakderdhje” duke e akuzuar për provokimin e saj presidentin Thaçi. Ai kishte thënë se ishte gati një marrëveshje sekrete dhe se tani duhej të provokoheshin incidente. Ekzistenca arrëveshja sekrete për “shkëmbim territoresh” ishte mohuar edhe nga ShBA-të, madje zyrtarisht, që dolën me një komunikatë të përbashkët nga Matthew Palmer, Philip Kosnett dhe Richard Grenell.

Më pas, kishte qenë edhe anëtari i partisë së tij, Agim Bahtiri, i cili kishte përmendur fjalën “vëllavrasje”, e për të cilën ishte denoncuar edhe në Prokurori nga presidenti Thaçi.

Por, as presidenti Thaçi nuk ka mundur t’i qëndrojë larg një fryme kaq helmuese. Edhe ai është konfrontuar në disa raste me Kurtin dhe njerëzit e afërm të tij. Thaçi nuk ka përmendur ndonjë term kaq të rëndë, por megjithatë para disa ditësh u duk se sulmoi kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin.

Megjithatë, konfrontimet e ashpra me gjuhë të urrejtjes nuk mbarojnë këtu.

Konfrontime fanatike e nxitëse kishte pasur nga Vetëvendosje sidomos ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më konkretisht ndaj kryetarit Isa Mustafa dhe kryeministrit aktual Avdullah Hoti.

Ishte zv.kryeministri Haki Abazi ai që e kishte quajtur (ndër tjerash), Hotin edhe si “servil si brisku” ndërsa Mustafën e kishte akuzuar për gjëra të ndryshme në sulme personale.

Reagimi i sotëm nga vendet e Quintit është i drejtuar sidoqoftë për liderët politikë të vendit, dhe duket se target ka në veçanti sidomos ish kryeministrin Kurti por edhe presidentin Thaçi./Periskopi

Thaçi: Në përpëlitjet e fundit Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të qeverisë në ikje për reciprocitetin ndaj Serbisë.

Thaçi ka thënë se këto veprime të Albin Kurtit janë përpëlitje e fundit para se të largohet nga zyra e kryeministrit.

Presidentit ka shkruar se hapat Kurtit janë në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe BE’së.

“Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka shkruar ai. /Periskopi/

Kurti e quajti Thaçin “President helaq”: Cili është kuptimi i kësaj fjale?

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka shtuar edhe një fjalë tjetër në fjalorin e tij politik për t’i njollosur kundërshtarët politikë. Fjala në fjalë është “helaq”.

Në statusin e fundit, Kurti përveç që e quajti Thaçin “president helaq” po ashtu iu bëri thirrje qytetarëve që të përcaktoheshin se me kënd ishin duke iu shtruar pyetjen: “Në cilën anë je ti?”

Fjalori e përshkruan “helaq” me kuptimet si vijon:

“Shumë i fëlliqur. Është bërë helaq. I ka duart helaq. E bëri helaq dikë thjeshtligj. e shau rëndë, s’i la gjë pa thënë para të tjerëve, e bëri për turp.”

Pra, helaq është e kundërta e pastërtisë por kësaj here mund të jetë përdorur në kuptimin politik dhe jo atë fizik, shkruan Periskopi.

Në historinë politike, kundërshtia mes pastërtisë dhe fjalëve antonime të saj është përdorur vazhdimisht nga liderët autoritarë e antidemokratik. /Periskopi

Kush është në të vërtetë lideri që më së gjati e udhëhoqi një parti politike në Kosovë?

Periskopi.com Lajme

Kohët e fundit në përpjekjet për ta sulmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Albin Kurti ka përdorur edhe termin “udhëheqja e stërvjetëruar” që përbën goditje ndaj kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafës. Por, le t’i hedhim një sy fakteve për të parë se kush është në të vërtetë lideri më i vjetër i një partie politike në vend?

Aktualisht, në Kosovë janë katër parti të mëdha parlamtare shqiptare. Vetëvendosje, LDK, PDK dhe AAK.

Vetëvendosje udhëhiqet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, LDK-ja udhëhiqet nga Isa Mustafa, PDK-ja nga Kadri Veseli ndërkohë që AAK-ja nga Ramush Haradinaj.

Megjithëse akuzoi Mustafën për stërvjetërsi, në fakt Kurti është më gjatë se Mustafa lider formal e joformal i kësaj partie politike.

Që nga themelimi i saj në vitin 2005, Kurti ka qenë lideri i pakontestueshëm i partisë (që megjithatë vetëm në vitin 2010 do të bëhej parti parlamentare), megjithëse në një periudhë tre vjeçare ishte emëruar si kryetar i kësaj partie Visar Ymeri. Por, Ymeri kishte qenë vetëm formalisht në këtë pozicion, pasi që Kurti në të vërtetë ishte pranuar më vonë se kishte shërbyer si udhëheqës partie.

Kjo nënkupton se Kurti është udhëheqës i partisë së tij qe pesëmbëdhjetë vjet.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në dhjetorin e vitit 2010 duke përmbysur lidershipin e Fatmir Sejdiut, shkruan Periskopi.

Kjo nënkupton që Mustafa është kryetar i partisë së tij tash e nëntë vjet e gjysmë.

PDK-ja ndërkohë ka zgjedhur kryetarin e ri vetëm në majin e 2016-s. Hashim Thaçi që ishte zgjedhur president nuk kishte të drejtë ta ushtronte një funksion të tillë, dhe kreun e partisë e mori Kadri Veseli që ishte bërë pjesë aktive e politikës vetëm në vitin 2012.

Kjo nënkupton se Kadri Veseli është kryetar i PDK-së tash e katër vjet.

AAK-ja ndërkohë ka kryetarin më të stërvjetër të partisë. Emri i tij është Ramush Haradinaj që ishte zgjedhur dy herë kryeministër i vendit.

Ai është kryetar partie tash e nëntëmbëdhjetë vjet, ani që për një periudhë të gjatë kohore (pesë vjet) nuk kishte qenë aktiv në politikën ditore pasi po gjykohej në Tribunalin e Hagës.

Haradinaj kishte qenë aktivisht kryetar partie për katërmbëdhjetë vjet.

Nga një gjë e tillë del se Albin Kurti në fakt është udhëheqësi më i vjetër i një partie politike në Kosovë.

Megjithatë, historikisht rekordin në këtë aspekt e mbajnë Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi.

Rugova kishte qenë kryetar i LDK-së nga dhjetori i vitit 1989 e deri në janar të vitit 2006 ose për gjashtëmbëdhjetë vjet.

Hashim Thaçi ndërkohë ka qenë kryetar i PDK-së për pak më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet, prej fundit të vitit 1999 e deri në fillim të 2016-s. /Periskopi

Thaçi për Lajçakun: Nuk marrë pjesë në negociata që i udhëheq ai

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kërkesës së emisarit të BE’së, Miroslav Lajcak, për rinisje të negociatave.

Kreu i shtetit ka thënë se deri tani nuk ka pranuar kurrfarë telefonate nga Lajçak dhe ka thënë se nuk pranon që të përfshihet në një proces negociator të cilin do ta udhëheq sllovaku, duke rikujtuar qëndrimin e këtij të fundit për Kosovën në UNESCO.

Thaçi ka thënë se beson në rolin udhëheqës të SHBA’së, derisa ka thënë se është i gatshëm të marrë pjesë në Samitet që ftohen nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Kam besim të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se këtë proces duhet ta përmbyllim suksesshëm, siç kanë përmbyllur suksesshëm shumë marrëveshje. Pa një rol udhëheqës të SHBA’ve s’mund të përmbyllen problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

Është inkurajues çdo vullnet që tregohet nga BE’ja, por të themë të drejtën personalisht unë s’jam në kontakt me z. Lajcak.

Z.Kurti është në kontakt me të që 3 muaj, dhe nuk e di sa larg kanë shkuar treshja Kurti-Lajcak-Borell.

Kosova është vend i lirë, dhe përballë do të kemi dy negociator që nuk e njohin Kosovën si shtet, madje Lajcak ka votuar edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Personalisht si president i përgjigjem cdo ftese sa i përket Samiteve nga Merkel apo Macron, por nuk e kam vullnetin që të participojë në procesin e negociatave që udhëheq Lajcak”, ka thënë presidenti Thaçi.

Eskalon debati: Këshilltari i Kurtit pretendon se Latifi po gënjen, paralajmëron padi

Periskopi.com Lajme

Ka reaguar edhe Driton Tali, këshilltari politik i kryeministrit Kurti, në lidhje me akuzat që i ka bërë profesori universitar Blerim Latifi në lidhje me “servilizmin e tij ndaj presidentit Thaçi”. 

Tali nuk ka mohuar se është takuar me Thaçin, por ka thënë se këtë e ka bërë vetëm në vitin 2010 për herë të fundit. Madje, ai nuk është marrë as me pretendimin e Latifit se Tali ka pritur me orë të tëra duke pritur për një takim pesë minutësh me kryeministrin e atëhershëm.

Tali ka thënë se kjo është gënjeshtër ndërkohë që ka kërcënuar Latifin duke i thënë “Shihemi në gjyq” duke paralajmëruar kështu padi ndaj tij, shkruan Periskopi.

Këshilltari i Kurtit më herët kishte qenë pjesë e Parlamentit të Kosovës në cilësinë e deputetit të AKR-së.

Statusi i plotë: 

Se sa rrenca të paftyrë janë këta “filozofat e Hashimit” qe ja një shembull tipik.

Shihne se si rren pa fije turpi!

E keqja është se ky rrenc edhe ligjëron në fakultet?!

Nuk dua të flas për Naim Rustemin, besoj se ai vet do t’i pergjigjet.

Por unë Driton Tali, herën e fundit kur kam pasur takim me Hashim Thaçin apo dike nga afër tij, ka qenë sa isha deputet me 2010.

Zakonisht bëhej te byfeja e Kuvendin ku ne deputet pinim kafe.

Kurrë, ama kurrë hiç më pastaj, qoftë me 2012 apo me 2013 ose 2014…, as nuk kam pasur takim me Hashim Thaçin e as tentim për t’u takuar!!!

Prandaj, shihemi në gjyq, ku ti “filozof” i sjell faktet.

Ja për korrektësi statusi tij.

…..
Driton Tali më paska përmendur në një shkrim të tij, në të cilin qenka marrë me Hashim Thaçin dhe familjen e tij. Që në fillim e dezinformon publikun duke më quajtur këshilltar i Hashimit, gjë që është krejtësisht e pavërtetë. Këshilltaria ime në zyrën e Thaçit ka mbaruar në vitin 2013. Nga ajo kohë më kujtohet një gjë, e cila, me siguri, i kujtohet edhe Driton Talit. E kam parë me sy se si qëndronte me orë duke pritur para zyrës së Hashimit, për t’u takuar pesë minuta me të. Bashkë me të qëndronte edhe Naim Rrustemi, i cili ia kishte aranzhuar takimin. Hashimi, me talentin e tij për t’i poshtëruar servilët, e detyronte të priste edhe më shumë. E kam parë me sy Driton Talin si i shkonte pas Hashimit derisa ky hynte në veturën e kryeministrit në oborrin e qeverisë. Derisa qeshnim me servilizmin e tij, duke e parë nga dritarja, Dukagjin Gorani tha: E ardhmja e ndritur është privilegj i servilëve të tillë! Sidoqoftë parashikimi i Dugit nuk u përmbush, sepse Driton Tali ishte servil shumë i patalentuar. I patakt në sjellje, politikisht i papjekur, konfuz në ato që mendonte se dinte, ai nuk arriti t’i bëj përshtypje askujt. Madje, ia patën ndërruar edhe mbiemrin: nuk i referoheshin më si Driton Tali, por si Driton Kali. Statusi i tij i fundit më jep të kuptoj se ai vazhdoka ta mbaj këtë epitet me plot meritë. Nuk kam dyshim se një ditë këtë do ta kuptoj edhe Albin Kurti, sepse sharlatanizmi i Driton Talit është konstantë psikologjike e karakterit të tij.