U dyshua se mbante armë pa leje, Policia përfundon bastisjen në shtëpinë e Ivan Ristiqit

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka vazhduar aksionin e saj në Ranillug. Aty është bastisur shtëpia e asamblistit komunal të kësaj komune, Ivan Ristiqit.

Shtëpia e Ristiqit po bastiset për armëmbajtje pa leje. Ky aksion është në vazhdën e një aksioni që Policia e Kosovës ka nisur ditë më parë në disa lokacione ku ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të armëve pa leje.

Lajmin për bastisjen e shtëpisë së Ristiqit e konfirmoi për Periskopin zëdhënës i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata kompetente, ka realizuar një bastisje në shtëpi private, në një fshat të Komunës së Ranillukut”, tha Kelani.

Pas përfundimit të operacionit, Policia e Kosovës për Periskopin ka konfirmuar se gjatë kontrollimit nuk kanë gjetur armë e që asambleisti dyshohej se po e mbante një të tillë pa leje.

“Operacioni policor i realizuar në një fshat të Komunës së Ranillukut i cili ka qenë i bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata kompetente ka përfunduar. Operacioni policor është kryer mbi dyshimet për armëmbajtje pa leje, por gjatë kontrollit nuk është gjetur ndonjë armë ilegale. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar në luftimin e veprimtarive ilegale, me qëllim të parandalimit të veprave penale dhe ruajtjes së rendit dhe qetësis publike”, përfundon Kelani për Periskopin./Periskopi/

Njësia Speciale në veri, bastis shtëpinë e Ivan Ristiqit

Periskopi.com Lajme

Në mëngjesin e sotëm, njësia speciale e Policisë së Kosovës ka bastisur shtëpinë e anëtarit të Asamblesë Komunale në Ranillug, Ivan Ristiq.

Lajmin e ka konfirmuar për RTV Pulse kryetari i Ranillugës, Davor Petkoviq.

Sipas këtij burimi, Policia ndërhyri në bazë të një urdhri gjyqësor.