Pasiguria kibernetike në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Mund të them lirisht se na ka zënë të papërgatitur”, ka thënë në fillimvit kryeministri Ramush Haradinaj, tek fliste në një konferencë rreth kërcënimeve kibernetike. Aty pati pranuar se shteti është vonuar, në qëllimin për t’i përballuar sulmet në rrjet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Jo veç anë pozitive ka pasur revolucioni digjital. Zhvillimi i internetit dhe i sistemeve të reja kompjuterike, sistemeve industriale të kontrollit, zhvillimi i telefonave mobilë, pajisjeve për ruajtje mobile dhe tabletëve, i ka bërë individët, por edhe organizatat e shtetet shumë të cenueshëm ndaj sulmeve. Përderisa shumë vende kanë rritur masat parandaluese ndaj kërcënimeve të këtilla, por edhe e kanë avancuar komponentin mbrojtës, Kosova ka ngecur pas.

Siguria kibernetike nënkupton kushtet në të cilat hapësira kibernetike është e mbrojtur në lidhje me ngjarjet aksidentale ose me vetëdashje, të cilat konsistojnë në marrjen dhe transferimin e të dhënave, në modifikimin e tyre, shkatërrimin ose bllokimin e paligjshëm të sistemeve të komunikimit e të informacionit, për shkak të masave të papërshtatshme të sigurisë.

Një ligj për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik është në fuqi që nga 2010-a. Një Strategji është hartuar, po kështu. Vetë Qeveria e ka pranuar se ligji nuk ka gjetur zbatim dhe se shumë nga veprimet që kërkonte strategjia, nuk janë jetësuar.