Koalicioni PANA mund të ketë emër të ri për kryeministër – A po riformohet qeveria pa zgjedhje?

Periskopi.com Lajme

Kosova aktualisht gjendet përballë një situate të re politike, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Veprimi i Haradinajt krijoi paqartësi ligjore dhe vakuum institucional. Kryeministri në dorëheqje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese lidhur me kompetencat dhe mundësitë vendimmarrëse të tij, deri në krijimin e një Qeverie të re, shkruan lajmi.net.

Sido qoftë, Kosova mund t’i shpëtojë zgjedhjeve nëse partitë politike, qofshin ato të koalicionit apo të opozitës arrijnë të gjejnë një kryeministër konsensual për krijimin e një Qeverie teknike.

Sipas nenit 95.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gëzon të drejtën në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend nga zgjedhjet e fundit, të mandatojë një kandidat të ri për të formuar Qeverinë pa pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje.

Presidentit, sipas nenit 95.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gëzon të drejtën në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend nga zgjedhjet e fundit, të mandatojë një kandidat te ri, për të formuar Qeverinë pa pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje. Në qoftë se përbërja e propozuar nuk merr shumicën e votave të nevojshme prej 61 votash, Presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Duke u bazuar edhe në aktvendimi e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014, në mundësinë e dytë që ka Presidenti për emërimin e kandidatit tjetër, nuk përcaktohet se cila parti ose cili koalicion e propozon kandidatin e ri për Kryeministër. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë parlamentare dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për Kryeministër. Kjo nënkupton që Presidenti mund të vendosë t’i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend.

Mirëpo a e shterën këtë mundësi partitë e koalicionit qeverisës?

Nga Nisma Socialdemokrate thonë se nuk janë të interesuar për qeveri teknike, e as për diskutime për kandidat konsensual.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti për lajmi.net thotë, se partia e tij është e mendimit që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.

Megjithatë, Hoti nuk e mohon se është diskutuar për një gjë të tillë.

“Nuk kemi informacione që është diskutuar për kandidat konsensual. Ne jemi në vazhdën e aktiviteteve tona dhe jemi duke u përgatitur për zgjedhje kurdo që ka pajtueshmëri nga subjektet politike dhe institucionet kompetente. Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje sepse vendit i duhet një realitet i ri dhe një vendimmarrje e re që vije nga qytetarët”, thekson Hoti.

Edhe nga AKR-ja e Behgjet Pacollit thonë se pajtueshmëria është të vijohet me zgjedhje.

Sekretari i këtij subjekti, Vesel Makolli, thotë se është mendim zyrtar i të gjithëve të shkohet në zgjedhje të parakohshme, mirëpo mohon të ketë pasur tentativa për gjetjen e një kandidati konsensual.

“Zyrtarisht se të gjithë janë pro zgjedhjeve. A ka pas tentim nga koalicioni për këtë nuk kam informata, por zyrtarisht është mendimi i të gjithëve me shku në zgjedhje”, ka thënë ai.

Më kategorike në përgjigjen e saj është deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Ajo për lajmi.net thekson se nuk ka pasur diskutime të tilla mes partnerëve të koalicionit për gjetjen e kandidatit konsensual për të parin e Qeverisë.

Madje vet kryetari i partisë, Kadri Veseli, tash e disa herë e ka shprehur gatishmërinë e tij për zgjedhje. Qëndrimin e partisë së tij, Veseli e ka shprehur edhe me refuzimin për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Të të njëjtës vijë të mendimit janë edhe nga partia e Haradinajt, AAK-ja.

Deputeti i këtij subjekti, Muharrem Nitaj, thekson se për partinë e tij është e papranueshme opsioni i qeverisë teknike.

Sido qoftë as Nitaj nuk mohon se mund të ketë ndryshim të qëndrimit nga partitë e koalicionit.

“Me aq sa di unë të gjitha partitë janë për zgjedhje. Të paktën ky është qëndrimi që është shprehur publikisht. Nëse mund të ketë ndryshim nga qëndrimi i shprehur me veprimet konkrete nuk e di”, thotë ai.

“Për AAK-në, arrnimi i një qeverie tjetër është i papranueshëm dhe ky qëndrim është i pandryshueshëm”, thekson Nitaj.

Ndonëse në horizont nuk duket se do të ketë marrëveshje mes partive politike për një kandidat të mundshëm për kryeministër konsensual, data e zgjedhjeve mund të shtyhet edhe për disa ditë.

Kjo pasi që nga Gjykata Kushtetuese thonë për lajmi.net se sipas praktikave të deritanishme, çështjet urgjente vonojnë të marrin përgjigje deri në dy muaj.