Limaj thotë se po angazhohet për të siguruar unitet mes partnerëve për taksën

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova edhe në kohë më të vështira ka ditur ta gjejë gjuhën e kompromisit dhe unitetit për interesin madhor të vendit.

Këtë Limaj e ka thënë pas takimit të jashtëzakonshëm që e kanë zhvilluar liderët e vendit në ambientet e Qeverisë së Kosovës.

Takimi është mbajtur pas dy ditë përplasjesh në distancë mes Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt rreth çështjes së heqjes ose jo të taksës prej 100 për qind të vendosur ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Limaj ka thënë se edhe sot na duhet unitet për tema të mëdha siç është dialogu.

“Unë do të vazhdoj ta investoj gjithë kontributin tim për unifikim të qëndrimeve në interes të vendit dhe në bashkërendim të ngushtë me partnerët tanë ShBA-në dhe BE-në, për t’i përmbyllur temat e hapura me Serbinë si dhe të arrijmë deri te njohja e ndërsjellë si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe Bashkimin Europian”, ka shkruar Limaj.