Ky është biznesmeni që e bleu Llamkosin

Periskopi.com Lajme

Biznesmeni nga Vushtrria Shaip Mikullovci që nga sot është pronar legjitim i ndërmarrjes Llamkos.

Burime të GazetaBlic kanë thënë se pronari tashmë i kësaj ndërmarrje që ishte në falimentim e sipër është Mikullovci, i cili posedon edhe një rrjet të madh marketesh në vend.Ndryshe në mbledhjen e 8 shkurtit, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për çështje Ekonomike, kishte nisur procedurën e falimentimit të ndërmarrjes Llamkos, duke e udhëzuar administratorin e falimentimit ta organizojë shitjen përmes ankandit publik. 4.8 milionë euro ishte çmimi minimal për asetet e fabrikës Llamkos në Vushtrri, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje.

Në ankandin publik që u mbajt sot (e hënë), kjo kompani është shitur për 6 milionë euro. Punëtorët shpresojnë të mos i ndryshohet destinimi, ku lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Llamkosit.Kryetari i sindikatës, Ragip Hasani, ka thënë për Telegrafin se është premtuar se do të vazhdoj po me të njëjtin aktivitet.

“U shit sot për 6 milionë euro te kompania Emona shpk. Gjithmonë kemi menduar se e merr një kompani që punon me atë drejtim. Është premtuar se do të vazhdoj në këtë drejtim, por çfarë do të bëhet një Zot e di. E kemi nijet që brenda javës me i informuar të gjithë”, tha Hasani.Ndryshe, privatizimi i fabrikës Llamkos kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 dhe kjo ndërmarrje ka mbetur në proces të falimentimit.

Kryetari Xhafer Tahiri, i prezanton Llamkosin Presidentit të Industrisë së Metalit në Republikën e NRW

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, ka takuar sot në Gjermani z. Arndt G. Kirchhoff, President i Industrisë së Metalit në Republikën e NRW, Gjermani, njëherit Drejtor i Përgjithshëm dhe CEO i KIRCHHOFF Group që është lider global në fushën e Auto industrisë në botë.

Tema kryesore e takimit ishte njoftimi për mundësinë që të investohet në ish Llamkos në Vushtrri, duke e rifunksionalizuar apo riorganizuar këtë gjigant ekonomik. Kryetari Tahiri e njoftoi Presidentin Kirchhoff për mundësitë për investime në Kosovë e konkretisht edhe në Vushtrri dhe e luti mikpritësin që të konsiderojë Vushtrrinë dhe ish Fabrikën Llamkos për investime nga Kirchhoff Group në të ardhmen.

Po ashtu Kryetari Tahiri e njoftoi mikëpritësin për avantazhet e investimit në Kosovë, të rinjtë dhe fuqinë punëtore si dy përparësitë më të mëdha që ka Kosova. Kryetari Tahiri i shpjegoi z. Kirchhof traditën e Kosovës në të shkuarën në prodhim të pjesëve të automobilave si fabrika e baterive në Mitrovicë, ish Fabrika e Amortizatorëve në Prishtinë dhe ish fabrika për pjesë automobilistike në Pejë.

Z. Kirchhoff e ka shoqëruar Kryetarin Tahiri në fabrikën e Kirchhoff Group në Attendor, Gjermani, ku prodhohen pjesë të automobilave për të gjitha brendet botërore duke i shpjeguar procesin e punës në fabrikë. Ai shprehu interesim që të vizitojë Kosovën në të ardhmen ku babai i tij, Dr. Jochen Kirchhoff, President aktual i Kirchhoff Group ka qenë inxhinier kryesor gjatë ndërtimit të termocentralit Kosova A.

Kirchhoff Group është lider global në industrinë e automobilëve, ka fabrikat në 18 shtete të botës, punëson 30,000 punëtorë dhe ka qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë euro.

Komuna e Vushtrrisë nuk lejon ndryshimin e destinimit të “Llamkos-it”

Periskopi.com Lajme

Bazuar në rekomandimin e Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë, i nxjerrë me datë 27 dhjetor 2018, e që është edhe kërkesë e Sindikatës së Llamkosit e paraqitur tek kyetari Xhafer Tahiri, Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që ish-Fabrikës së llamarinës së zinkuar “Llamkos”, të mos i ndërrohet destinmi gjatë procesit të falimentimit dhe në të gjitha proceset e mëpastajme.

Sipas njoftimit për media nga Komuna e Vushtrrisë, thuhet se fabrika “Llamkos” ka qenë dhe është aset shumë i rëndësishëm ekonomik jo vetëm për mirëqenien e familjeve të punëtorëve dhe qytetit të Vushtrrisë, por edhe për ekonominë Kosovës.

“Prandaj, njoftohen të gjitha palët e interesuara, që pavarësisht procesit të falimentimit nëpër të cilën po kalon kjo fabrikë, Komuna në bazë të kompetencave të saja, nuk do të lejojë kurrsesi që të ndërrohet destinimi i kësaj fabrike e të shndërrohet në tokë ndërtimore apo për çfarëdo qëllimi tjetër përveç se për destinimin origjinal që ka”, thuhet në njoftim.

Ky njoftim, thotë Komuna, lëshohet për të gjitha palët e interesuara për këtë aset ekonomik dhe ka për qëllim të mbrojë punëtorët dhe asetet e zhvillimit ekonomik të Komunës.