Gent Cakaj thotë se njohja e teksteve mësimore në Preshevë, është kusht i zhvillimit në Serbi

Periskopi.com Lajme

Ministri i jashtëm në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, ku ka thënë se pasivizimi i vendbanimeve në Luginë të Preshevës nuk përbën vetëm qasje përjashtuese shoqërore por edhe dëmtim përmbajtjesor të demokracisë atje.

Cakaj ka shkruar në Facebook se bashkëkombësit tanë në Serbi nuk janë vetëm një faktor margjinal por një aset shumë i vyer shoqëror e kombëtar.

Sipas tij, do të vazhdojnë të artikulojnë shqetësimet e përbashkëta dhe të punojnë pakursyer në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të tyre.

“Mes të tjerash, ndamë pikëpamje të njëjta në një varg çështjesh. Së pari, pasivizimi i vendbanimeve në Luginë të Preshevës nuk përbën vetëm qasje përjashtuese shoqërore por edhe dëmtim përmbajtjesor të demokracisë atje. Së dyti, njohja e teksteve mësimore në shkolla fillore e të mesme e përdorimi i papenguar i simboleve kombëtare është jo vetëm në shërbim të ruajtjes së identitetit të tyre por edhe kusht i zhvillimit të përgjithshëm atje. Së treti, përfshirja proporcionale në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore do të mbetet një kauzë që do t’i japim zë vazhdimisht e bashkërisht”, ka shkruar ai.

Cakaj ka thënë se është jashtëzakonisht krenar me vullnetin e tyre për të tejkaluar dallimet e brendshme në shërbim të objektivave madhore kombëtare.