Zgjedhje të reja në Izrael, Netanyahu s’arrin ta formojë Qeverinë

Periskopi.com Lajme

Në Izrael do të mbahen zgjedhje të reja parlamentare pasi Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri të re. Afati skadoi në mesnatën e së mërkurës.

Në bisedimet e udhëheqësit izraelit me ish ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman nuk u bë përparim. Partia e zotit Lieberman ka pesë vende në parlamentin me 120 anëtarë, për të cilat kishte nevojë zoti Netanyahu për të marrë kontrollin e shumicës.

Zoti Netanyahu refuzoi të pranojë kërkesën e zotit Lieberman që hebrenjtë ultra-ortodoksë të jenë pjesë e shërbimit të detyruar ushtarak sikurse të gjithë hebrenjtë e tjerë, dhe të mos bëhet përjashtim për ta si në të kaluarën, njofton VoA.

“Gjithçka është siç ka qënë”, u shpreh zoti Lieberman.

Ligjvënësit izraelitë vendosën shpërndarjen e parlamentit, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja vetëm disa javë pasi zgjedhjet e parakohëshme të muajit prill u duk sikur i krijuan mundësi të mira zotit Netanyahu për të formuar një qeveri të re, duke u bërë kryeministër për të pestën herë dhe udhëheqësi që e ka mbajtur më gjatë këtë post.

Netanyahu dhe Lieberman, kanë qenë disa herë aleatë dhe shpesh herë rivalë gjatë viteve.

Zgjedhjet pritet të mbahen në shtator.

Netanyahu në përpjekje për të shpëtuar qeverinë nga rënia

Periskopi.com Lajme

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se do të bëjë tentativën e fundit për të shpëtuar koalicionin që u dobësua nga dorëheqja e ministrit të Brendshëm në qeverinë e tij.

Zgjedhjet e reja janë paraparë të mbahen në mars. Netanyahu gjatë ditës ka zhvilluar takim me ministrin e Financave.

Ministri, Moshe Kahlon, nga qendra e djatht, partia Kulanu, thuhet se do të shtyjë Netanyahun për të vendosur një datë të zgjedhjeve, raportojnë mediat.

Dorëheqja e ministrit Avigdor Lieberman, të mërkurën, për shkak të, sipas tij, dhunës në mes të militantëve palestinez në rripin e Gazas, la qeverinë me vetëm një ulëse në Parlament.

Fati i Netanyahut ka mbetur në dorën e partnerëve dhe takimi me ministrin Kahlon, sipas Netanyahut po konsiderohet si tentimi i fundit për të shpëtuar rënien e qeverisë.

Kryeministri tha se do të ishte “e panevojshme të shkohet në zgjedhje në një kohë të ndjeshme për sigurinë e vendit, siç është tash”./REL

Netanyahu: Irani mund t’i sulmojë tokat evropiane

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka vlerësuar se Irani është “forca më e madhe e islamit militant” duke paralajmëruar Evropën në sulme të mundshme të Iranit në tokën evropiane.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas bisedës me homologun e tij bullgar, Netanyahu ka thënë se islami radikal është kërcënim për botën dhe se Izraeli kohë më parë ka zbuluar disa komplote iraniane për kryerjen e sulmeve në Evropë.

Netanyahu ka udhëtuar në Varna në Detin e Zi për të marrë pjesë në takimin e Grupit të Krajovës, të cilin e përbëjnë kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, si dhe kryetari i Serbisë.

Para udhëtimit ka thënë se dëshiron t’i forcojë lidhjet me këto vende dhe ta ndryshojë qasjen “dyfytyrëshe dhe armiqësore të Bashkimit Evropian ndaj paqes në Lindje të Afërt”.