Del videoja e plotë se si polici largohet pasi kërcënoi me armë dy anëtarët e Njësisë Speciale në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Indeksonline ka siguruar videon e plotë të konfliktit të tre policëve që u përfshinë pak ditë më parë në Prishtinë. 

Nga video-ja shihet se në konfliktin e tyre nuk ka pasur asnjë përleshje fizike, me gjithë pretendimet e zyrtarit policor, Bashkim Ahmeti.

Aty shihet se si zyrtari policor ua bllokon rrugën dy pjesëtarëve të Njësisë Speciale me veturë.

Pas kësaj shkaktohet një fjalosje midis tyre, por që gjithçka përfundon me largimin e shpejtë të zyrtarit policor me veturë civile.

Nga pamjet shihet se fjalosja ka qenë disa sekonda dhe nuk ka pasur mundësi për përleshje fizike.

Indeksonline, po ashtu merr vesh se zyrtari policor me veturën e tipit “Golf 4” ua kishte zënë rrugën dy kolegëve të tij që i takojnë Njësisë Speciale.

Në video shihet se si rreshteri, Fehmi Shahini del nga vetura për ta mbrojtur kolegun e tij, Lumbardh Pestisha të cilit pretendohet se i ishte drejtuar arma nga Bashkim Ahmeti.

Ahmeti menjëherë pasi kishe parë ndihmën e kolegut të Pestisha, Fehmi Shahinit është larguar me shpejtësi nga vendi, duke e tërhequr zvarrë rreshterin Shahini, i cili ia kishte thyer xhamin e veturës.

Sipas burimeve ai kishte ofenduar dhe i kishte kërcënuar me armë zjarri, dy pjesëtarët e Njësisë Speciale.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka nisur hetimet përkitazi me incidentin e ndodhur ndërmjet policëve.

Sipas IPK-së ky incident ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje midis njëri- tjetrit.

Si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast.