Reagon avokati i Salih Tahirit: Ai nuk është arratisur, të hënën do të paraqitet në polici

Periskopi.com Lajme

Një video e publikuar nga mediet gjatë të enjtes ka bërë që Prokuroria themelore e Mitrovicës të nis hetimet ndaj Salih Tahirit nga Vushtrria, i cili ishte protagonisti i videos në fjalë, përcjellë Periskopi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Shyqyri Syla, ka urdhëruar dje Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e videoincizimit në portalin Indeksonline, publikuar më 03 tetor 2019, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet Salih Tahiri duke negociuar për dhënien e lejeve ndërtimore në Vushtrri dhe duke marr para kesh në duar si ryshfet.

Mediet pak orë më parë raportuan se i njëjti është arratisur, dhe se policia nuk ka mundur ta gjej për ta intervistuar.

Pas publikimit të lajmit se Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nuk është gjetur dje nga policia në banesën e tij, pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Mitrovicës lidhur me dyshimet për ryshfet, ka reaguar avokati i tij, Ahmeti Tahiri.

Ai para pak çastesh ka thënë se Salih Tahiri as nuk është larguar e as nuk është arratisur nga Kosova, dhe se të hënën do të paraqitet në polici.

“Salih Tahiri e ka ftesën nga policia që të paraqitet të hënën, më 7 tetor në stacionin policor, në orën 13”, ka thënë avokati Tahiri për Ballkani.info.