Mustafa: 30 vjet na kanë sulmuar e linçuar fizikisht e verbalisht

Periskopi.com Lajme

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës këto 30 vjet është sulmuar e linçuar fizikisht e verbalisht.

Sipas tij, LDK asnjëherë nuk ua ka kthyer këto sulme, por i ka afruar të gjithë kosovarët që të punojnë së bashku.

“Asnjëherë nuk ua kemi kthyer këto sulme por i kemi afruar të gjithë kosovarët të punojmë për Kosovën e gjatë rrugës kemi ndërtuar, për herë të parë në historinë e Kosovës, miqësi me Amerikën e Evropën. Kjo është madhështia e LDK-së”.

“Gjithmonë kemi ndërtuar e përkrahur institucionet demokratike, mbi të gjitha lirinë e fjalës, edhe atëherë kur janë përdorë e keqpërdorë për të na sulmuar. Këto veçori na kanë bërë kala të pamposhtur; të tillë do mbesim. LDK, dhe vetëm LDK, deri në ditën e fundit”.

Kujtojmë se koalicioni VV-LDK është duke përjetuar përplasjet e para pas vendimit të Kryeministrit Albin Kurti për ta shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, pasi ky i fundit e mbështeti idenë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë për zhvillimin bujqësor në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin biseduan rreth politikave zhvillimore në bujqësi dhe objektivat e kësaj ministrie për fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori.

Mustafa ka falënderuar Heldt për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe atë të bujqësisë.

Ai po ashtu e ka njoftuar ambasadorin për investimet, të cilat planifikojnë t’i bëjnë në këtë sektor në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti, si dhe ka theksuar se transparenca dhe efikasiteti në punë do të jenë angazhimet themelore në këtë mandat.

Nga ana e tij, ambasadori Heldt ka rikonfirmuar gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të vendit.

Hapet periudha e aplikimit për programin për integrimin socio-ekonomik të fermave të vogla

Periskopi.com Lajme

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sot hap periudhën për aplikim në “Programin për Integrimin Social – Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”.

Përmes këtij programi MBPZhR-ja synon përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të fermerëve në zonat rurale, krijimin e vendeve të punës, si dhe rritjen e të ardhurave duke integruar fermerët e vegjël në sektorin bujqësor.

Investimet e ministrisë përmes programit arrijnë vlerën prej 3 milionë euro dhe përmes këtij fondi do të mbështeten sektori i përpunimit të frutave, sektori i mishit, vezëve, qumështit, prodhimi i mjaltit, prodhimi, përpunimi dhe grumbullimi i produkteve pyjore, si dhe përpunimi i produkteve bujqësore në shtëpi.

Përfituesit e këtij programi mund të jenë të gjithë fermerët në përputhje me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural që plotësojnë kriteret e këtij Programi.

Afati për aplikim për këtë program fillon sot dhe përfundon më 18 tetor 2019.

Gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë www.mbpzhr-ks.net, si dhe në ueb faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë www.azhb-ks.net.

Kosova pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Lëvrimit

Periskopi.com Lajme

Republika e Kosovës do të marrë pjesë në edicionin e 66-të të Kampionatit Botëror të Lëvrimit në mesin e 27 shteteve pjesëmarrëse, i cili këtë vit do të mbahet në Baudette, Minnesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me datën 30 dhe 31 gusht.

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Lëvrimit, i bërë para nëntë viteve, u ka krijuar mundësinë lëvruesve kosovarë që të konkurrojnë me shtetet më të mëdha të botës, të cilat kanë përvojë shumëvjeçare në këtë fushë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e cila mbështet përfaqësimin e lavërtarëve në këtë kampionat, tregon se pjesëmarrja e përfaqësueses kosovare në këtë kampionat, përveç epitetit garues, ka për qëllime dhe promovimin e fuqishëm të shtetit të Kosovës, shkëmbimin e praktikave më të mira të lëvrimit, përmirësimin dhe shfrytëzimin racional të tokës, duke u bazuar në rregulloren e Organizatës Botërore të Lëvrimit, dhe aplikimin e rregullave të Organizatës Botërore të Lëvrimit (WPO).

Bekim Hoxha, udhëheqës i delegacionit kosovar dhe njëherësh edhe anëtar i Bordit të Organizatës Botërore të Lëvruesve (World Ploughingh Organization – WPO), tha se garuesit kosovarë gjatë viteve të kaluara kanë arritur të tregojnë rezultate pozitive në këtë disiplinë dhe kjo ka bërë që Kosova të tërheq vëmendjen e shumë medieve botërore që po mbulojnë këtë ngjarje. “Kampionati Botëror i lëvrimit ka një traditë 66 vjeçare, ku shumica e shteteve tregojnë shkathtësitë e tyre në fushën e lëvrimit. Në mesin e këtyre shteteve, tashmë edhe Kosova ka shtatë vite që merr pjesë në këtë kampionat, me ç’rast lavërtarët kosovarë kanë arritur të tregohen mjaft të suksesshëm”, ka thënë Hoxha.

Në Kampionatin Botëror të lëvrimit, për shkak të buxhetit të limituar, Kosova këtë herë përfaqësohet me një garues të vetëm i cili është Lulzim Shehu dhe atë në disiplinën me plug konvencional, i mbështetur nga trajneri Afrim Sharku, si dhe Kryetari Organizatës së Lëvruesve të Kosovës, Alban Rama.