Zbehja e raporteve me ShBA-në e shkarkime, gjërat për të cilat do të mbahet mend Qeveria Kurti

Periskopi.com Lajme

Sot bëhen 100 ditë që kur o formua Qeveria Kurti, ndërkaq gjysmën prej tyre Albin Kurti e kaloi si kryeministër në detyrë.

Qeveria Kurti u votua në Kuvendin e Kosovës me 3 shkurt të këtij viti, teksa vetëm pas 53 ditësh, me 25 mars, ajo u rrëzua përmes mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja, mocion ky i cili u votua me 82 vota për në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ndodhi, pasi Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Ndërsa arsyeja kryesore sipas LDK-së, ishte prishja e raporteve me aleatin kryesor, SHBA-në.

Kurti nuk dëgjoi kërkesën e emisari të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, për heqjen e taksës pa vendosje të reciprocitetit, kjo gjë bëri që shumë diplomatë nga SHBA-ja, madje të konsiderojnë edhe heqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Ajo për çka tjetër do të njihet Qeveria Kurti, është shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike.
Kurti shkarkoi shumicën e bordeve të këtyre ndërmarrjeve, ndërkaq emëroi 4 anëtarë të partisë së tij, Vetëvendosje gjë për të cilën Kurti kishte premtuar që do t’i depolitizonte.

Bordi i drejtorëve të ujësjellsit rajonal “Prishtina”, Bordi i Telekomit të Kosovës, Bordi i Postës së Kosovës, Bordi i KEK-ut, Bordi i Ibër Lepencit dhe Bordi i Infrakosit, u shkarkuan nga kryeministri, tashmë në detyrë, Kurti.

Sa i përket dialogut, Kurti në Kuvend vazhdimisht theksonte se ekziton një marrëveshje e keqe për Kosovën për ndarjen e saj. Në një emision televiziv ai tha se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me homologun e tij Aleksandar Vuçiq i ishin ‘gjuajtur hartës me thika’.

Në anën tjetër, Kurti nuk ofroi zgjidhje për dialog, Kosova mbeti e bllokuar, ashtu siç kishte qenë edhe në të kaluarën me çështjet si “demarkacioni me Malin e Zi”, “Asociacioni i komunave me shumicë serbe” dhe tema të tjera.

Së fundmi, Kurti përveç pakënaqësive ndaj veprimeve të presidentit Thaçi që i ka adresuar në Gjykatën Kushtetuese, ai ka dërguar letra ankuese në drejtim të ndërkombëtarëve, si Komisionit të Venecias dhe para dy ditësh në Komitetin për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, kundër dekretit të Thaçit për formimin e qeverisë me të mandatuarin për kryeministër Avdullah Hotin.