Rrjeti i Grave i reagon Lutfi Hazirit pasi e quajti Vjosa Osmanin ‘nuse të Preshevës’

Periskopi.com Lajme

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas postimit të anëtarit të LDK’së Lutfi Haziri në Facebook, i është drejtuar bashkë partiakes së tij, Vjosa Osmanit “nuse e Preshevës”. RrGK me këtë rast ka thënë se roli i gruas vazhdon të nënvlerësohet nga politikanët.

Përmes një reagimi, Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur qëndrimin ndaj anëtarit të LDK’së, e njëkohësisht kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, pasi i njëjti në një postim në Facebook e kishte quajtur Vjosa Osmanin “nuse të Preshevës”.

RrGK, ka shkruar se kjo tregon bindjet dhe qëndrimet që burrat kosovarë, e veçanërisht ata me pozita vendim marrëse kanë karshi kolegeve të tyre gra.

“Për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), reduktimi i rolit të grave në atë të “nuseve” tregon edhe një herë për bindjet dhe qëndrimet që burrat kosovarë, e veçanërisht burrat në pozita vendim marrëse kanë karshi kolegeve të tyre gra”, shkruan në reagim.

Rrjeti i Grave thotë se kjo gjuhë është poshtëruese dhe seksiste, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën. Duke bërë një deklaratë të tillë, Haziri sipas RrGK’së po nënvlerëson aftësinë e grave për të udhëhequr, duke krijuar kështu një ambient të përshtatshëm për përhapjen e diskriminimit gjinor.

“RrGK u bënë thirrje të gjithë burrave në politikë, që në diskursin publik të përdorin gjuhë të denjë dhe të debatojnë duke u bazuar në fakte dhe në argumente të denja politike, e jo të përdorin gjuhë seksiste, në rastet kur ata kanë mospajtime me koleget e tyre gra”, thekson RrGK.

Në reagim, Rrjeti i Grave të Kosovës thekson se çdo person i angazhuar në politikë bërje duhet të jetë shembull i respektimit dhe promovimit të barazisë gjinore dhe se gjuha seksiste nuk zë vend në debate publike.

Të hënën protestohet për vrasjen e grave

Periskopi.com Lajme

Të hënën në Gjakovë do të protestohet nën sloganin “Mjaft më me Vrasjen e Vajzave dhe Grave”.

Kjo protestë është paralajmëruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, pas vrasjes së një gruaje dhe të bijës së saj në Gjakovë. Vrasja e cila dyshohet të jetë kryer nga bashkëshorti i 40 vjeçares.

Gjeni të plotë njoftimin për protestën:

Më 13 gusht në bashkëpunim me RrGK-në (Rrjetin e Grave të Kosovës), në ora 12:00 marshojmë prej Stacionit të Policisë së Gjakovës e deri te Gjykata në Gjakovë për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj në Berkoc të Gjakovës, dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë.

Individ e aktivistë/e nga shoqëria civile, të bashkuar/a kërkojmë t’i japim fund dhunës dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!

Kjo protestë është organizuar si reagim kundër vrasjes së dyfishtë si pasojë e dhunës në familje, në Komunën e Gjakovës. Më shumë për këtë rast mund të lexoni këtu:

Dhuna në familje është krim, dhe si e tillë duhet trajtuar. Dështimi në ofrim të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën në qon deri tek vrasja e tyre nga ushtruesit e dhunës.

#NukKaArsyetim #NoExcuses.