Garë e ashpër te serbët e Kosovës: Trajkoviq e nis fushatën te vend-vrasja e Ivanoviqit

Periskopi.com Lajme

Rada Trajkoviq e koalicionit Sloboda të Listës Serbe, ka vizituar këtë mëngjes vendin e  vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ajo ka thënë se me këtë veprim koalicioni Sloboda po kërkon, në emër të vetin dhe në emër të të gjithë qytetarëve  një përgjigje përfundimtare se kush e dha urdhrin  për  vrasjen e Ivanoviqit.

“Ne nuk duhet ta lejojmë atë të harrohet, nuk duhet ta lejojmë askënd tjetër të paguajë me jetën e vet për të luftuar pë një shoqëri të organizuar”, shkroi dje koalicioni Sloboda në një deklaratë për media.

Media dhe vëzhguesit e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në BE e mbuluan këtë vizitë. Një patrullë policie ishte gjithashtu e pranishme në vendngjarje.

Trajkoviqi i kërkoi falje familjes Ivanoviq, duke përmendur refuzimin e saj për të lejuar përdorimin e emrit të Oliver Ivanoviqit në fushatën zgjedhore.

Ndër të tjera Lista Serbe do të fillojë fushatën sot. Ajo do të mbajë një konventë parazgjedhore në Leposaviq këtë pasdite.

 

Rashiq: Serbët e Kosovës më së shumti probleme kanë me Beogradin

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, Nenad Rashiq, ka deklaruar se serbët në Kosovë më së shumti probleme kanë me Beogradin dhe me partinë në pushtet, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se ka pasur ofertë nga Lista Serbe që t’i bashkohet, porse e ka refuzuar.

E përditshmja “danas” e Beogardit e përcjell deklaratën e Rashiqit lidhur me konfliktin e kryetarit të Partisë Liberale Serbe (SLS), Slobodan Petroviq, me përfaqësuesit e Listës Serbe. Ai mendon se ky konflikt mund të përshkallëzojë.

“Serbët e Kosovës më së shumti probleme kanë me Beogradin ose me partinë në pushtet. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë ka deklaruar se në jug nuk ka serbë. Ai qëllimisht po e minimizon rolin e serbëve në jug (të Kosovës) për shkak të planit që e ka me Thaçin“, citohet të ketë thënë Rashiq.

Ai ka tërhequr vërejtjen në ndarjen ndërmjet serbëve në Kosovë ndërsa ka shtuar se ai nuk sheh që situata të përmirësohet në të ardhmen dhe që serbët të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mbrojtur interesat e veta.

“Ekziston ndarja psikologjike ndërmjet serbëve të veriut dhe atyre të jugut. Problemi është se direktivat vijnë nga një parti nga Beogradi. Kur u themelua Lista Serbe, kam thënë se kjo parti nuk do të punojë për interesat e serbëve në Kosovë, por për interesa rajonale. Ekziston një presion i përhershëm që punon në emër të institucioneve të tashme në Beograd”, ka thënë Rashiq.

Duke folur për marrëdhëniet me Listën Serbe, Rashiqi ka thënë se nuk ka dashur të jetë pjesë e saj dhe se asaj i ka thënë se “ajo nuk mendon mirë për serbët e Kosovës”.

Rashiqi në dy mandate ka qenë ministër në Qeverinë e Kosovës.

Simiq: Bashkë me Vuçiqin do të luftojmë për secilin serb në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryetari i Listës Serbe Igor Simiq përkujtoi arrestimin e drejtorit të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën Marko Gjuriq, një vit më parë pasi hyri pa leje në Kosovë, duke thënë se Prishtina zyrtare tregoi se dëshiron lëvizje të njëanshme për të zgjidhur çështje të hapura midis serbëve dhe shqiptarëve, por ‘në dëm të popullit serb’.

“Në ditën e sotme të vitit të kaluar ‘u rrëmbye’ edhe Gjuriq, ndërsa me forcë brutale u rrahën ‘përfaqësuesit ligjorë dhe legalë’ të popullit serb, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave, të gjithë anëtarët e Listës Serbe, të cilët ishin të bindur se mund të bisedonin në mënyrë paqësore për të ardhmen e marrëdhënieve serbo-shqiptare,” tha Simiq për Tanjug.

Ai theksoi se gjithçka ‘është bërë me qëllim të rrezikimit të sigurisë së qytetarëve, brenda kuadrit të gjithë veprimit, planit për të trembur serbët në veri të Kosovës që të largohen vetë nga zona’.

“Asnjëherë nuk do të pajtohemi me një plan të tillë. Ky është vendi ynë, ne qëndrojmë këtu dhe nga këtu nuk ka kthim prapa. Ne do të vazhdojmë të luftojmë bashkë me vendin tonë Serbinë, qeverinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për çdo serb në Kosovë”, tha Simiq.

Daçiq: Socialistët nuk do t’i tradhtojnë serbët në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i SPS Ivica Daçiq, gjatë një takimi sot në Beograd me përfaqësuesit serbë të kësaj partie në Kosovë, tha se socialistët kurrë nuk do t’i braktisin serbët e Kosovës.

Daçiq shtoi se partia që ai drejton do të vazhdojë ta mbështesë dhe ndihmojë serbët për mbijetesë.

Simiq: Serbët e Kosovës të gatshëm të mbrojnë institucionet e Serbisë

Periskopi.com Lajme

Në Mitrovicën e Veriut, me rastin e trazirave në Beograd gjatë demonstratave të sotme të një pjese të opozitës, janë mbledhur spontanisht një grup i serbëve, të cilët janë shprehur të gatshëm të shkojnë në Serbi, me qëllim, siç thotë nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq, për të mbrojtur institucionet shtetërore të Serbisë.

“Sot dhe dje, patëm rastin të shohim se në Beograd po përpiqen të shkatërrojnë institucionet e Serbisë dhe përpiqen të okupojnë autoritetin legjitim dhe ligjor, për të marrë pushtetin nga njerëzit për interesa të xhepave të tyre”, tha Simiq.

“Ne jemi të gatshëm nëse ne duhet ta mbrojmë Serbinë nga ata që e perceptojnë atë si një vend ku mund të marrin paratë që u nevojiten, pa i shkaktuar absolutisht ndonjë shqetësim njerëzve të zakonshëm”, shtoi ai.

Ai iu bëri thirrje serbëve të mos bien në provokimet e Djilas, Jeremiq, Obradoviq dhe theksoi se është e nevojshme të mos iu japin armiqve mundësinë për t’u gëzuar për atë që po ndodh në Beograd.

Vuçiqi kërkon që serbët të dalin nga institucionet e Kosovës pas 45 ditësh

Periskopi.com Lajme

Serbët nga Kosova kanë kërkuar nga shteti i Serbisë që të marrin leje për të dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa vendimi për këtë do të merret në muajin e ardhshëm, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit me 139 përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Vuçiqi ka thënë t’i ketë lutur ata që të mos e marrin vendimin tani, por që këtë ta bëjnë më së largu për 45 ditë, pas bisedimeve ose direkte ose përmes telefonit me të gjithë liderët botërorë, raporton “FoNet”.

“Serbët nga veriu dhe jugu i krahinës sonë kanë kërkuar që të bisedoj me Qeverinë e Serbisë. Kanë kërkuar tërheqjen nga të gjitha institucionet e Kosovës, nga Parlamenti, nga Policia në veri, nga gjykatat dhe nga i tërë sistemi i drejtësisë. Unë i kam lutur dhe u kam thënë se sot nuk u jap përgjigje deri në takimin e radhës me përfaqësuesit e Kinës”, ka thënë Vuçiqi, raporton B92.

Tutje, duke iu drejtuar mediave pas këtij takimi, Vuçiqi ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, “gënjen se 40 serbë janë në të ashtuquajturën ushtri të Kosovës”.

“Gënjen Haradinaj se janë 40. Le t’i publikojë. Edhe njëherë u bëj thirrje serbëve të mos shkojnë në ushtri. Shërbimi i vetëm që mund të kryejë ajo është vrasja e serbëve. U bëj thirrje që të dalin nga ajo ushtri”, tha presidenti serb, transmeton Koha.net.

Vuçiqi tha po ashtu se Kosova po vazhdon me provokime serioze e të rrezikshme, të cilat, sipas tij, “përkeqësojnë në mënyrë dramatike mbetjen e popullit serb n Kosovë e Metohi”.

Ai tha se mbrëmë, “Policia e Kosovës ka hyrë në territorin e Zubin Potokur dhe ka konfiskuar një kamion të një tregtari serb sepse, “përmes vijës së gjelbër” ka importuar mallra “nga Serbia qendrore në KeM, gjë e cila ka nxitur turmë të madhe të banorëve serbë”.

Presidenti serb foli edhe për Statutin e Trepçës, për ç’gjë tha se në dy ditët e ardhshme pritet miratimi i statutit të ri, që, sipas tij, “çon kah bllokada e llogarisë së saj, sepse Trepça nuk është e regjistruar sipas ligjeve serbe, por si UNMIK Trepça, nën ombrellën e OKB-së”.

Shqiptarët e Kosovës dëshirojnë të bllokojnë llogaritë, të shkatërrojnë Trepçën nga Mitrovica e veriut deri në Leposaviç, dhe kjo, siç thotë ati, “do të nënkuptonte se 2.400 njerëz do të mbeteshin pa punë dhe pa ajër për thithje në kuptimin ekonomik”.

“Bashkimi i Mitrovicës veriore me atë jugore është kërcënim direkt ndaj popullit në KeM dhe të gjithë se nëse deri tek një gjë e tillë vjen, mund të vijë vetëm me dhunë dhe ky është fundi i qëndrimit të popullit tonë”, deklaroi Vuçiqi.

 

Zyrtari serb tregon se çfarë mesazhi do t’u dërgojë Putin serbëve të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Presidenti rus Vladimir Putin me siguri do të sjellë një mesazh që do të inkurajojë të gjithë serbët në Kosovë, tha ministri serb i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik Nenad Popoviq.

Ai thotë se ‘Putin me siguri do të thotë se Kosova është një pjesë e pandashme e Serbisë për Rusinë dhe do të vazhdojë të mbështesë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së’.

“Unë jam i sigurt se do të hapen çështje shumë të rëndësishme politike për të vazhduar dialogun, sepse Serbia është për dialog. Rusia ka shprehur tashmë gatishmërinë e saj disa herë, nëse ka një ndryshim në formatin e dialogut dhe duhet të vijë pasi marrëveshja e Brukselit dështuar,” tha Popoviq për Tanjug.

 

Paralajmëron e veja e Oliver Ivanoviq: Do të publikojmë video të vrasjes së tij!

Periskopi.com Lajme

E veja e Oliver Ivanovicit, Milena Ivanovic, ka deklaruar sot se vrasja e burrit të saj ka filluar të keqpërdoret dhe politizohet, dhe të gjitha këto do të qartësohen do të publikohet një video e ngjarjes, transmeton Gazeta Metro.

Ivanovic ka folur sot për trasnmetuesin shtetëror RTS, dhe ka treguar se sot ka më shumë informata rreth vdekjes së bashkëshortit të saj.

“Po i dëgjoj organët kompetente të Prishtinës, po i dëgjoje dhe tanët. Po shpresoj se e vërteta do të del në shesh, nëse jo këtë vit, ndonjë vit tjetër”, ka thënë e veja e Ivanovic, trasnmeton gazetametro.net

Siç ka deklaruar ajo, duket se për momentin është e vetmja që ka më së shumti informacione rreth rastit të vrasjes së burrit të saj.

“Për mua është më e rëndësishme të del e vërteta. Besoj shumë në hetuesinë tonë, por pres të shoh çka do të ndodh. Mendoj që e vërteta nuk mund të fshihet më, dhe here do kur do të del video”, shtoi gruaja e liderit Oliver Ivanovic.

“Ka pasur shumë të arrestuar gjoja për vrasjen e Oliver’it, tani ka pesë emra të rinj. Mendoj se për fat të keq do të vazhdojë në vitin 2019, se do të përdoret dhe keqpërdoret kjo tragjedi sa duhet, do të shfaqet disa emra të rinj. Mendoj se kjo nuk është e drejtë. Kushdo që qëndron prapa këtyre tregimeve duhet të ndalojë dhe mendoj se duhet të bashkohemi së bashku Beogradi, Prishtina dhe të huajt, të cilët unë mendoj se janë shumë të rëndësishme, të zbulojmë të vërtetën dhe të dimë se kush ka shtënë në Oliver’in, mendoj se kjo është e rëndësishme për ne”, tha Ivanovic.

Milena Ivanovic është gruaja e dytë e të ndjerit Oliver Ivanovic, dhe se ajo është akuzuar se ishe e fundit, që ndali kamerat e sigurimit në zyre ku më pas edhe ndodhi vrasja e Liderit Oliver Ivanovic, i cili nuk shkonte përshtati me politikat e Beogradit. Vizioni i Ivanovic për serbet e veriut, ishte që ata të mbesin në një autonomi të komunave në Veri, e cila pak a shumë i ngjanë edhe asaj që në diskursin publik, njihet ‘asociacioni me të drejta ekzekutive’. Ivanovic u vra me 3 janar të vitit të kaluar. /Periskopi

Rashiq: Beogradi po përdor serbët e Kosovës për dialog

Periskopi.com Lajme

Zëri i serbëve të Kosovës është shuar dhe të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim të një grupi politik, Listës Serbe, që nuk po bën asgjë pozitive për popullin serb, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në mandatin e kaluar qeveritar, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste.

Ai thekson që Beogradi zyrtar po i përdorë serbët e Kosovës si instrument për pozicionim para dialogut, por edhe për arsye të tjera. Pavarësisht se të dyja palët janë në kurse të ashpra, Rashiq pret që së shpejti do të nisë faza përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiq, si mund ta përshkruani gjendjen në komunitetin serb në Kosovë, por edhe përfaqësimin e tyre politik në institucionet e Kosovës nga Lista Serbe, e cila merr pjesë në të dy nivelet e pushtetit, qendror dhe lokal?

Nenad Rashiq: Ajo që kanë bërë në vitin që po lëmë, nuk mund të matet në kuptimin pozitiv. Fatkeqësisht në kuptimin negativ, sepse janë shfrytëzuar si një mekanizëm, i cili në fund të fundit ka dashur, gjegjësisht, ka imponuar një politikë fatale për korrigjimin potencial, për ndarjen ose ndërrimin e kufijve, quajeni si të doni. Me vetë këtë ide, e ka dëmtuar dhe rrezikuar aq shumë serbët, sidomos në jug (të lumit Ibër), saqë tashmë po flasim për eksodin potencial që mund të ndodhë në qoftë se ajo ide fatale do të dalë në dritë apo të jetë në tavolinën e bisedimeve.

Prandaj, fatkeqësisht unë nuk shoh madje as një shembull pozitiv nga Lista Serbe, por shoh plotë shembuj negativ dhe ky është problemi ynë më i madh. Ky është problemi më i madh në veri të Kosovës, ku zëri jonë është shuar dhe ku të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim vetëm për një grupacioni politik, i cili fundja nuk punon asgjë pozitive për popullin serb.

Radio Evropa e Lirë: Në dy raste gjatë këtij viti kemi parë që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb kanë bojkotuar institucionet e Kosovës. Në muajin mars Lista Serbe ka thënë se e ka braktisur Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, së fundmi 4 kryetarë të komunave veriore kanë dhënë dorëheqje. A kanë sjellë pasoja këto veprime?

Nenad Rashiq: Nuk e di se a mund të ketë kjo pasoja ligjore, por sa i përket pasojave politike, në këtë rast, me këta mekanizma, me një sistem të robëruar, i cili funksionon sipas një direktive që nuk është lokale, por më shumë është rajonale, mendoj që pasojat në këtë moment mund të jenë mjaft të kufizuara. Pse e them këtë? Fillimisht, pata thënë edhe më herët për atë se çfarë është më mirë, nëse e krahasojmë gjendjen e tanishme në Serbi – ku faktikisht të drejtat janë minimale – me atë këtu te ne (në Kosovë), ka qenë që këtu kemi pasur mundësinë që ta themi atë që mendojmë. Kjo ka qenë e lejuar dhe vazhdon edhe sot. Këtu ka ekzistuar mundësia për tu shprehur, për të folur. Ndërkaq, në rastin e tanishëm, fatkeqësisht, të gjithë mekanizmat, e sidomos mekanizmat sikur stacionet televizive dhe mekanizmat tjerë, shfrytëzohen pikërisht për të mbjellë bindjen që, për shembull, ndarja është gjëja më e mirë që mund të jetë për serbët e Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, duke iu adresuar protestuesve serbë në këtë komunë, pas vendimit të kryetarëve të komunave veriore për të dhënë dorëheqje. 27 nëntor, 2018.

Që nga vendosja e taksës për mallrat serbe po bëhet një improvizim i kinse katastrofës humanitare, e cila në fund do të duhej të mundësonte që një pjesë e veriut të Kosovës të ndahet, të bashkohet ose korrigjohet. Çka do të thotë kjo? Mekanizmat që janë përdorur që të mos i lejojnë serbët e Kosovës që të flasin, janë të mëdhenj dhe mjaft të fuqishëm. Ajo që është më tragjike, të gjithë ato medie, jo vetëm në Serbi, por po flas edhe për mediat lokale në gjuhën serbe në Kosovë, janë gati se krejtësisht të varura nga ndihma financiare që marrin nga fondet e Republikës së Serbisë. Kjo do të thotë që gati se të gjithë janë të detyruar që të jenë në shërbim të ideve të këqija, sikurse caktimi i kufijve, korrigjimi apo sido qoftë që i quani. Në çfarëdo rasti, kjo manifestohet në mënyrë katastrofale keq te serbët lokalë, të cilët, thjeshtë, më nuk kanë fuqi që të luftojnë përballë gjithë atyre mjeteve dhe gjithë atyre mekanizmave radikalë, të cilët për çdo ditë ndikojnë mbi ne, qoftë në mënyrë verbale, qoftë përmes ekraneve televizive, e madje përmes masave represive institucionale që përdoren ndaj qytetarëve.

Radio Evropa e Lirë: A po mendoni që Beogradi, në këtë rast, po i shfrytëzon serbët e Kosovës si instrument për t’i krijuar vetes pozicion sa më mirë në dialogun e ardhshëm?

Nenad Rashiq: Absolutisht po dhe nuk është vetëm kjo vetëm për procesin e dialogut. I shfrytëzon edhe për shumë, t’i quaj gjëra me më pak rëndësi, sikurse ndikimi në sferën ekonomike në çfarëdo forme, në mënyrë që të përfitojnë që përfaqësuesit e Listës Serbe të jenë, më të afërt me ta. Shfrytëzohen aty ku Lista Serbe apo serbët e Kosovës mund të vendosen si mekanizëm vetëm për tensionimin e marrëdhënieve.

Në procesin e negociatave ose marrëveshjeve, gjithmonë është e lehtë për Beogradin që t’i shfrytëzojë serbët e Kosovës që këta të fundit të thonë ‘në rregull, ne nuk do të marrim pjesë në Kuvend, do ta rrëzojmë Qeverinë’ ose çfarëdo mekanizmi tjetër, vetëm që të arrijnë deri te konkretizimi i përpjekjeve të tyre, qoftë në kuptimin politik.

Por, unë them që madje shkojnë edhe një hap më larg. Këtu ka ndërlidhje edhe me ekonominë, të cilën ata mund ta shfrytëzojnë përmes mekanizmave të institucioneve të Kosovës. Në këtë pikë vijmë në përfundim që serbët janë vetëm mjet për planet e dikujt tjetër dhe për planet e dikujt që nuk jeton fare në Kosovë. Përveç atyre masave represive që po i përmendi dhe që Beogradi zyrtar po i përdorë përmes Listës Serbe, përgjegjësia nuk është fare më e vogël as e Prishtinës dhe e Bashkimit Evropian, sepse ata janë vëzhgues memec të asaj që po ndodhë në hapësirën e Kosovës dhe kjo është ajo që irriton. Duket se të gjithë po shoqërohen, për interesa të tyre dhe askush për interesat e serbëve të Kosovës dhe ky është zhgënjimi më i madh.

Radio Evropa e Lirë: A prisni se do të ketë një qasje më të shpejtë drejt dialogut?

Nenad Rashiq: Mendoj që po. Pavarësisht që po duket që të dyja palët janë në kurse të ashpra, konsideroj që e gjithë kjo është me regji dhe se nuk është në esencë gjithçka ashtu. Edhe kjo letra e fundit që ka dërguar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, flet për atë që mbase dikush atje po e humbë durimin që të luajë me ne me vite dhe me dekada. Prandaj, mendoj që kjo më shumë është e imagjinuar dhe se po bëhet më tepër për nevoja të brendshme dhe se në përgjithësi nuk është ndonjë pengesë që do të mund të ishte problem për vazhdimin e dialogut. Pra, kur të vlerësohet se janë pjekur kushtet për arritjen e një marrëveshje, ata shumë shpejt dhe lehtë do të ulen në tavolinë. Por, në këtë rast, do të jetë ndryshe nga takimet e tjera, për shkak se pres që në periudhën e ardhshme, kurdo që të caktohen takimet e ardhshme, ato do të jenë më të pakta në numër. Faktikisht, në rast se do të jenë një, dy apo eventualisht tri takime, në to do të bëhet një vendim. Përndryshe, nuk më pëlqen termi ‘marrëveshje finale’, sepse nuk është e tillë, por mund të quhet ‘fillim i marrëveshjes finale’. Për finalizimin e marrëveshjes do të duhen disa vite.

Kur flasim për normalizimin, gjegjësisht, siç do ta quaja unë, harmonizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, ai do të jetë një proces, sepse nuk mund të stabilizoni marrëdhëniet vetëm me një nënshkrim. Me nënshkrim ndoshta vetëm mund të fillohet normalizimi i marrëdhënieve. Vetëm pas kësaj duhet që në terren të bëhet pajtimi i vërtetë ndërmjet popujve. Natyrisht që për t’u pajtuar nevojitet një nivel i tolerancës, përgjegjësisë dhe mirëkuptimit për palën tjetër, në mënyrë që të arrihet një harmonizim apo paqe, sido që ta quajmë. Pra, me siguri se dialogu do të ndodhë së shpejti, në disa raunde dhe më pas neve na mbetet që ta zbatojmë ashtu qysh konsiderojmë se duhet të jetë në terren. Më e rëndësishëm është pajtimi në terren, ndërmjet njerëzve.

Radio Evropa e Lirë: I përmendët letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që u janë dërguar të dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, HashimThaçi dhe Aleksandar Vuçiq . Si i vlerësoni ato letra?

Nenad Rashiq: Në fakt, unë para katër muajsh kam qenë i pari që kam folur, duke u bazuar në përshtypjen që kanë lënë përmes “gjuhës së trupit” që ata (Thaçi dhe Vuçiq) tashmë kanë arritur marrëveshjen. Kështu më linte përshtypjen sjellja e tyre ndaj njëri-tjetrit, shtrëngimi i duarve, sikur të ishin marrë vesh për diçka. Në anën tjetër, nëse kjo është e saktë dhe nëse kam pasur të drejtë për këtë që thash, kjo do të thoshte që ata kanë biseduar në prapaskenë, larg syve të opinionit ose nuk i kanë dhënë opinionit asnjë informacion apo vetëm pak informacion.

Prandaj, letrat e presidentit Trump mund të kuptohen në dy mënyra. E para, është kjo që e them unë, se ata janë marrë veshë për një marrëveshje dhe Trump, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ka qenë i informuar për këtë dhe tash dërgon letër për të thënë ‘në rregull, ju tashmë keni biseduar dhe jeni marrë vesh për kornizat. Shkojmë tash tutje që t’i konkretizojmë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen ose të shkojmë në periudhën e miratimit në Kuvendet e juaja apo në institucionet e juaja. Kjo është mënyra e parë. Mund të jetë edhe e dyta, që mund të shpjegohet në mënyrën që themi se Trump nuk i di marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjegjësisht, nuk i di në detaje dhe se dikush nga administrata e tij ka propozuar për këto letra për të nisur dhe stimuluar bisedimet e mëtutjeshme. Do të më befasonte fakti, nëse dikush nga administrata e presidentit të Amerikës të bënte diçka të tillë që të dërgonte letër trimëruese për të dy presidentët. Prandaj, po të më duhej t’i ndajë në përqindje, mendoj që 80 për qind është opsioni i parë që e përmenda dhe 20 për qind opsioni i dytë.

Paralajmërimi i Vuçiqit për serbët e Kosovës: Do t’ua rrisim shtesat

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë e shtimit të “shtesave kosovare”, që vetëkupton ndihmën e këtij shteti për qytetarët serbë të Kosovës. 

“Shteti planifikon që serbët në Kosovë të kenë edhe më tutje fëmijë për të treguar kështu se në Kosovë kanë të ardhme”, citon rts të ketë thënë Vuçiq.

Sipas tij, Serbia dhe Kosova e kanë të largët dialogun e lëre më marrëveshjen.

Ai ka premtuar se serbët në Kosovë do t’i ndihmojë me të gjitha mënyrat nga Serbia.

Trajkoviq: Me serbët e Kosovës, Vuçiqi po e krijon atmosferën e viteve të 90-ta

Periskopi.com Lajme

Rada Trajkoviq, një bisedë për gazetën e Beogradit “danas” ka thënë se kryetari Serbisë Aleksandar Vuçiqi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po e do kthimin e viteve të nëntëdhjeta.

Ajo ka shtuar se kryetari i Serbisë po sjell panik te serbët në Kosovë, po i sjell në rrezik ata dhe po i manipulon në mënyrë të tmerrshme.

“Këto janë vite e nëntëdhjeta. E gjithë kjo atmosferë është e viteve të nëntëdhjeta”, thekson Trajkoviq.

Ajo shfaq shumë habi në pse Vuçiqi ngre tensione dhe po vë në rrezik serbët në Kosovë.

“Ky dramatizim, ky hidhërim, vajtim, këto janë të tmerrshme… Nuk e di, nëse ai vërtet ndihet kështu, atëherë ai njëmend ka probleme serioze, ka përfunduar Rada Trajkoviq.

Ajo ka shfaqur habinë madhe kur, siç ka thënë, e ka parë se kush rri ulur në rreshtin parë, gjatë transmetimit drejtpërdrejt të adresimit të kryetari të Serbisë dhe bisedës së tij me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe përfaqësuesve të tjerë të serbëve nga Kosova.

“Po, në rreshtin e parë qëndron Milan Radoiçiq, është ai për të cilin thuhej se nuk e njohin, ju kujtohet? Ai i cili si biznesmen, e përfaqësues dhe udhëheqës i mafisë serbe në veri, ka komentuar sot për gazetën “danas” ish – politikania Rada Trajkoviq , transmeton Koha.

Radoiçiq në opinion përmendet shumë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Ai përmendet edhe për rolin që ka pasur në futjen e Listës Serbe në koalicionin e PAN-it për të krijuar r Qeverinë e Kosovës. Për t’u arritur ky koalicion, ai ka pasur takime me kryeministrin aktual Ramush Haradinaj .

Milan Radoiçiq sot në Mitrovicë nuk është gjetur nga Policia e Kosovës që kërkohej si i dyshimtë i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Publikohet një video e patransnmetuar më parë e Marko Gjuriq: Ja si tallet me serbët e Kosovës (Video)

Periskopi.com Lajme

Është publikuar një pjesë e një intervistë të patransmetuar e Marko Gjuriqit dhënë në vitin 2015, ku flet për natalitetin e serbëve në Kosovë, shkruan Periskopi.

Ja çka thotë Gjuriq në këtë intervistë:

Gjuriq: Vetëm shikoni se sa foshnja lindin në Graçanicë..

Gazetari: Para se gjithash, nuk duket ashtu zoti Gjuriq…

Gjuriq: Shikoni vetëm sa foshnja kanë lindur këtë vit, kështu që jeni gabim..

Gazetari: Jetoj atje dhe kam të drejtë.

Gjuriq: Këtë vit në Mitrovicë, mendoj se do të lindin foshnje më shumë se vitin e kaluar.

Gazetari: Prej nga e dini ju këtë:

Gjuriq: Unë kam qenë aty.

Më pas, Gjuriq shpërthen në të qeshura dhe përballet me pyetjen se a ka Serbia ndonjë të dhënë lidhur me atë se çka ndodhë në Kosovë derisa qeshet me deklaratën “Unë isha aty dhe e di sa fëmijë do të lindin”.

Në fund, ai thotë se nuk e di ‘nëse ishte pyetja apo përgjigja e çmendur’.

Videoja e publikuar vite më parë, ishte fshirë nga të gjitha rrjetet sociale por tani është e qasshme, shkruan Periskopi.

Opozita në Serbi kishte kritikuar mjaft një kohë për këtë paraqitje Gjuriqin.

Pork a qenë tani edhe vetë Gjuriq i cili ka zgjedhur ta kthejë këtë moment në shaka.

“Momenti kur ne harruam të qeshnim me shakanë tonë. Fëmijët janë një arsye që na bëjnë të qeshim dhe unë dua që Serbia të ketë shumë e shumë arsye për të qeshur. Jam i lumtur të ua transmetoj këtë pjesë interviste e regjistruar në Çagllavicë në vitin 2015, e cila për një kohë kishte qenë edhe virale, kështu që dua ta jap kontributin tim në këtë aspekt. Edhe pas tre vjetësh, ky lapsuz është ende qesharak”, ka shkruar Gjuriq./Periskopi/

 

 

 

Banorët e Banjës: Jemi të shqetësuar nga ajo që ndodhi, dëgjuam edhe shpërthime

Periskopi.com Lajme

Banorët serbë të fshatit Banje në Skenderaj, kanë thënë se janë të shqetësuar pas situatës që u krijua mëngjesin e sotëm, për t’ia ndaluar vizitën atje presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, raporton Periskopi.

Ata citohen nga mediet serbe të kenë thënë se kanë dëgjuar edhe shpërthime.

Ata reaguan ndaj barrikadave që thonë se i janë vendosur Vuçiqit nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Banorët e këtij fshati kanë biseduar vetëm përmes telefonit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. /Periskopi  

 

 

 

Berisha: Serbët janë populli më i manipuluar në rajon

Periskopi.com Lajme

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Zafir Berisha serbët e Kosovës, vazhdojnë të jenë populli më i manipuluar në rajon.

Berisha ka shkruar në facebook se dikur manipuloi Millosheviqi për llogari të ambicieve të sëmura që kishte me vizita e fjalime në Gazimestan.

“Të njëjtën gjë po e bënë edhe Vuçiqi me vizitën e sotme në veri të Kosovës. Emëruesi i përbashkët i këtyre vizitave është që serbët përdoren ‘mish për top’ nga liderët e tyre manipulues për të qëndruar sa më gjatë në pushtetin e Beogradit. A ka kush që ju tregon serbëve të Kosovës që keni mbetur popullata më naive në Kosovë”, ka shkruar ai.

Serbët e Kosovës po detyrohen të marrin pjesë në tubimin e Vuçiqit

Periskopi.com Lajme

Para vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë, ka pasur raportime për serbët e Kosovës, të cilët punojnë për institucionet e financuara nga Beogradi duke u detyruar të marrin pjesë në tubimin e tij.

Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se punëtorët e institucioneve të financuara nga Serbia në Kosovë janë duke u vënë nën presion për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe frikësohen nga masat ndëshkimore nëse nuk shkojnë.

“Të gjithë në arsim janë thirrur të deklarojnë [nëse do të shkojnë] – në universitet dhe në shkollat fillore dhe të mesme”, tha Ksenija Bozhoviq, nga SDP, e vendosur në qytetin e ndarë verior të Mitrovicës.

Bozoviq tha për BIRN se punëtorëve u janë dhënë deklarata për të nënshkruar, duke thënë se ata do të marrin pjesë në tubimin e 9 shtatorit dhe se situata është e njëjtë në institucionet shëndetësore të financuara nga Serbia.

Ati Sava Janjiq, abati i manastirit ortodoks serb të Deçanit, tha se punëtorët në shkolla i kishin thënë atij se “një institucion i rëndësishëm shtetëror serb” i kishte urdhëruar ata të dërgonin listat e të punësuarve të tyre të cilët nuk do të marrin pjesë në tubim.
Një ish deputete serbe në parlamentin e Kosovës, Rada Trajkoviq, gjithashtu tha se serbët e Kosovës që punonin në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale kishin raportuar se ishin nën presion për të marrë pjesë në tubimin e Vuçiqit.

“Është një keqpërdorim i paprecedentë i institucioneve”, tha Trajkoviq për BIRN.

Ministria Serbe e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Partia Progresiste e Presidentit Vuçiq nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN deri në kohën e publikimit.

Vuçiq njoftoi në gusht se ai do të vizitojë Kosovën në fillim të shtatorit për të paraqitur “udhëzimet dhe drejtimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës” ndaj serbëve lokalë.
Vizita do të vijë pasi Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të takohen në Bruksel më 7 shtator, për të negociuar më tej normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq ka bërë thirrje për një shkëmbim territorial me Kosovën përgjatë vijave etnike, një ide që ka përballuar rezistencë të fortë nga partitë opozitare serbe dhe kosovare, serbët e Kosovës dhe nga disa politikanë në pushtet në Kosovë.

Thaçi, nga ana tjetër, ka folur javën e kaluar për një “korrigjim kufitar”, duke thënë se propozimi i tij për shqiptarët etnikë që jetojnë në Serbinë jugore për t’u bashkuar me Kosovën do të jetë një nga temat në mbledhjen e 7 shtatorit.

Si po ia shtrëngon dhëmbët serbëve të Kosovës Qeveria e Beogradit

Periskopi.com Lajme

Beogradi zyrtar, përmes Listës Serbe, ka krijuar monopol në politikën përfaqësuese të komunitetit serb në Kosovë, pavarësisht se në mesin e komunitetit serb ekzistojnë mjaft zëra që shprehin mendime të ndryshme karshi politikës aktuale të autoriteteve të Serbisë, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike.

Kohë më parë, peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, i kishte dërguar letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën i kishte shkruar se ndarja e territoreve do të shkaktonte shpërnguljen e serbëve nga Kosova dhe fatkeqësinë për trashëgiminë kulturore. Presidenti serb, Vuçiq, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë se nuk dëshiron kufij etnik, ndërkohë që ajo kërkon nga Qeveria e Kosovës para.

Në mbrojtje të Vuçiqit ishte hedhur edhe Lista Serbe.

Kjo e fundit ka quajtur edhe politikanin serb të Kosovës, Momçilo Trajkoviq “intelektual i vetëquajtur, që hedh gënjeshtra dhe godet ekipin e vet të negociatave”, për shkak se Trajkoviq kishte thënë se Vuçiq nuk ka plotësuar asnjë nga premtimet që u ka dhënë serbëve të Kosovës.

Momçilo Trajkoviq ka theksuar se monopoli mbi përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës nga Lista Serbe, ka ngulfatur të gjithë zërat që shprehin mendim të kundërt me të atë të kësaj partie.

“Ka krijuar monopol të fuqishëm dhe për rreth tyre nuk ekziston askush ose është vështirë të depërtosh dhe të japësh mendimin personal. Por, ky nuk është monopol, të cilin e ka krijuar vet Lista Serbe. Para së gjithash mendoj në Beogradin, në autoritetet në Beograd me ndihmën e autoritete në Kosovë, sepse pa një marrëveshje dhe pajtim të autoriteteve të Kosovës, Lista Serbe nuk do të mund të funksiononte në mënyrën që funksionon. Pra, Lista Serbe është fryt i marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjegjësisht ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi”, theksoi Trajkoviq.

Rangjel Nojkiq, ish-deputet i kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë qe Beogradi këtë monopol po e mbanë fuqishëm nën llupën e kontrollit, për të parandaluar pengimin e planeve të saj nga kushdo qoftë prej politikanëve apo edhe intelektualëve tjerë serbë të Kosovës.

“Mendoj që në këtë moment, kur bëhet fjalë për përfaqësuesit serbë, këtu mbretëron njëmendësia dhe këtu kushdo që mendon ndryshe, do të dënohet. Ne jemi dëshmitarë, kur para disa muajve Vuçiq i ftoi të gjithë aktorët politikë që të përfshihen në gjetjen e zgjidhjes, duke menduar se të gjithë mendojnë ashtu siç mendon ai. Në momentin që dëgjoi zërat që ishin kundër dhe që nuk përputheshin gjërat që Vuçiq i mendonte, menjëherë pasuan dënimet”.

“Dënimet tilla më së pari i janë drejtuar Kishës Ortodokse Serbe. Tash, paramendojeni kur kreu politik fillon të pështynë mbi Kishën Ortodokse Serbe. Në Kosovë nuk guxon askush të thotë diçka, përveç asaj që është politikë zyrtare e Beogradit”, tha Nojkiq.

Ndërkaq, Trajkoviq thotë se sjelljet e Listës Serbe, që sipas tij janë pasqyrim i sjelljeve të Beogradit zyrtar, përkujtojnë kohët e ish presidentit serb Slobodan Millosheviqit, në vitet 90, kur Këshilli për Kosovën i Partisë Socialiste të Serbisë, si dorë e zgjatur e pushtetit në Beograd, disiplinonte ata që mendonin ndryshe.

“Më kujtohet ajo kohë, kur peshkopi Artemie, pra Kisha dhe unë me Lëvizjen e Rezistencës Serbe, diku në vitin 1998, në fakt ishim caku kryesor i sulmeve, duke na akuzuar për tradhti dhe për bashkëpunim me shërbimet e huaja të inteligjencës. Pas 20 vjetësh ne kemi variantin e ri, pra, Listën Serbe e cila luan atë rol, përpiqet të disiplinojë dhe akuzojë Kishë, në këtë rast peshkopin Teodosije dhe neve nga Forumi kombëtar serb, së bashku me këta të shoqatës ‘Atdheu’ në Mitrovicë. Krejt është e njëjtë dhe e ngjashme”, tha Trajkoviq.

Megjithatë, ai ka kritikuar edhe një pjesë të madhe të medieve serbe, të cilat, siç tha ai, po i shmangin njerëzit që mund të japin mendim dhe opsione të tjera nga ato të Listës serbe dhe Beogradit zyrtar.

Nojkiq thotë se në mesin politikanëve serb të Kosovës, ka mjaft të tillë që kanë mendim krejtësisht ndryshe nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar. Por, sipas tij, zërat e tyre do të mbesin të ngulfatur përderisa monopolin e përfaqësimit politik të serbëve të Kosovës do ta kenë Lista serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

“Intelektualë të tillë ekzistojnë edhe më tej në Kosovë, por ata janë në errësirë të plotë, duke marrë parasysh që as mediet nuk janë të gatshme t’i dëgjojnë ata zëra, gjegjësisht i shmangen bisedave me njerëzit që kanë mendimin e vet. Kjo, në fakt, tregon se ekziston një frikë e caktuar në mesin e përfaqësuesve të serbëve e sidomos në mesin e atyre që kanë mbetur të jetojnë në hapësirën e Kosovës, gjegjësisht atyre që janë të varur nga institucionet në Beograd dhe serbë të tillë ka më së shumti”, tha Nojkiq.

Sidoqoftë, ai ka shprehur mendimin se edhe Prishtinës zyrtare po i konvenon një situatë e tillë dhe mendimet e ndryshme politike të serbëve nuk do të mund të dëgjohen përderisa Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtarë nuk do t’i ndërrojnë lojtarët politik në skenën politike, shkruan Radio Evropa e Lire.

Serbët e Kosovës duan që Beogradi të drejtojë arsimin, mirëqenien, shëndetësinë

Periskopi.com Lajme

Dokumente të siguruara që KALLXO.com i ka parë zbulojnë se akterët serbë të Kosovës të konsultuar nga ekipi menaxhues përgjëgjës për hartimin e statutit të Asociationit të komunave serbe besojnë se sektorët e arsimit dhe shëndetësisë duhet të mbesin të varura nga Serbia.

Ata po ashtu besojnë që Asociacioni duhet të ketë të drejta menaxhuese për ndërmarrjet publike në veriun me shumicë serbe, siç janë kompleksi i Trepçës dhe Ujmani — dy ndërmarrje që kanë qenë objekte të debateve të ashpra në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

KALLXO.com ka arritur të marrë disa raporte të takimeve të ekipit kosovar serb të obliguar nga autoritetet në Prishtinë me hartimin e draftit të statutit gjatë muajit maj dhe qershor.

Dokumentet zbulojnë që gjatë një takimi me 21 maj, shefat e ndërmarrjeve publike në Kosovë, të cilat ende kontrollohen nga Serbia, kanë thënë se asociacioni duhet të sigurojë stabilitetin ekonomik të komunave serbe në Kosovë si një “parakusht për mbijetesën dhe zhvilimin e tyre ekonomik.”

Jovan Dimkiq udhëheqësi i minierës së Trepçës në Mitrovicën veriore, ka thënë se të gjitha ndërmarrjet publike dhe shoqërorë në këtë rajon duhet të menaxhohen nga Asociacioni.

“Bashkebiseduesit u pajtuan që një juridiksion i fortë i ardhëm i Asociacionit në fushën e ekonomisë është një parakusht për funksionomin stabil të këtyre sistemeve në të ardhmen,” raporti shkruan.

Në tetor 2016, Kosova ratifikoi një ligj për Trepçën që do të transformonte kompleksin indsutrial të Trepçës në një kompani aksionare, prej të cilës qeveria e Kosovës i ka 80 për qëind të aksioneve, ndërsa 20 për qind do i takonin punëtorëve. Ligji ende nuk është implementuar.

Ky ligj u kundërshtua fuqimisht nga Serbia, e cila konteston pronësinë e Trepçës nga Kosova dhe thotë se don të mbrojë vendet e punës të serbëve që punojnë aty.

Lista Serbë, partia kryesore që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, bojkotoi institucionet e Kosovës në shenjë proteste për gjashtë muaj me radhë pasi që ligji u miratua në Kuvend.

Shëndetësia dhe kujdesi social

Raportet po ashtu zbulojnë se gjatë takimeve të mbajtura në maj, përfaqësuesit e sekotreve të shëndetësisë dhe punës sociale i kanë thënë ekipit menaxhuesse këto dy sektore duhet te mbeten të lidhura me Serbinë.

Shëndetësia do të ishte një “nga sektoret kyçe në të cilat Asociacioni do të ketë juridiksion të veçantë,” raporti i shkruar me 30 maj shkruan.

Përfqësuesit e qendrave shëndetësore dhe spitaleve te udhëhequra nga serbët në Kosovë u kanë thënë ekipit se Asociacioni “duhet të garantojë mbrorjtjen dhe zhvillimin e kualitetit të sektorit të sistemit të shëndetësisë primare dhe sekondare, dhe të mbajë stafin në të cilin ky sistem bazohet.”

Ata kanë thënë se i vetmi garancion për ekzistencën e një sistemi të tillë do të ishte “një përkrahje e përhershme në sistemin shëndetësor të Serbisë.”

Raporti citon Milan Ivanoviq, drejtorin e qendrës mjekësore në Mitrovicë, duke thënë se sistemi shëndetësor “është shtylla kryesore e shtetit serb në Kosovë” – arsye pse Asociacioni duhet të ketë autonomi të plotë në këtf lëmi.

Gjatë takimit me 31 maj, shefat e qendrave të punës sociale kanë thënë se Asociacioni duhet të ketë mbikqyrje të plotë mbi rrjetin ekzistues të qendrave të punës sociale, e cila duhet të mbetet e lidhur me sistemin social të Serbisë.

Gradimir Nastiq,shef i qendrës për punë sociale në komunën e Leposaviqit, u ka thënë se autoritet e Prishtinës nuk bashkëpunojnë me qendrat sociale të serbëve dhe Asociacioni duhet të zgjidhë këtë çështje.

Sistemi i arsimit

Propozime të ngjashme janë bërë edhe në lidhje me sistemin e arsimit ku akterët duan që asociacioni të jetë ura lidhëse në mës të komunave serbe në Kosovë dhe institucioneve në Serbi. Shkollat serbe në Kosovë ende përdorin kurrikulumin e Serbisë dhe nuk i raportojnë Ministrisë se Arsimit në Kosovë.

Gjatë një mbledhje relevante, në transkript thotë: “Sistemi i arsimit duhet të mbetet brenda Ministrisë së Republikës së Serbisë.”

Ministria kosovare e Arsimit i ka thënë agjencionit të lajmeve Kosova Press në prill që ka ndryshuar zëvendës ministrin Bajrush Cezari i cili merret me çështjet e komuniteteve jo-shumicë, “sidomos me shkolla që nuk janë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovës.”

Arsimi ka qenë po ashtu një çështje debati në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas një marrëveshjeje të arritur në vitin 2015, Kosova duhej t’i furnizonte me libra shkollor komunitetet shqiptare në Serbi, derisa Serbia duhej të bënte të njëjtën për serbët në Kosovë – hera e parë që dy palet kishin arritur një marrëveshje të tillë që nga 1999.

Megjithatë, në dhjetor 2015, Serbia ndaloi kamionë që po transportonin rreth 100,000 libra të shkollës fillore nga Kosova në luginën e Preshëvës, duke thënë se janë politikisht të papranueshme sepse i referohen Kosovës si shtet i pavarur.

Raporti “Historia e Kosovës në tekstet shkollore të historisë në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni” i botuar në dhjetor 2015, vëren dallime të mëdha në mes të interpretimeve të historisë në librat shkollorë në Kosove dhe Shqipëri në një anë, dhe në anën tjetër në librat e përdorura në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Për shembul, përderisa tekstat shkollorë në Kosovë shkruajnë gjërë e gjatë për krimet e bëra nga serbët ndaj shqiptarëve në 1912-13 dhe 1919-1919, nuk ka asnjë referencë ndaj këtyre krimeve në librat serbe.

Ngjashëm, krimet e bëra nga shqiptarët gjatë okupimit gjerman prej 1941 deri në 1944 janë prezente në librat serbe, por jo në librat e përdorura në Kosovë apo Shqipëri.