Tahiri: PDK është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë

Tahiri: PDK është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave se ky kishte deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme për zgjedhje.

Tahiri me këtë rast këtë e ka quajtur si keqinterpretim të diskursit të zhvilluar në mbledhje të Qeverisë.

“Pas raportimeve të disa portaleve për zhvillimet e ditës së sotme gjatë mbledhjes së ftuar nga Kryeministri i dorëhequr, me ç’rast kam vërejtur një keqinterpretim të diskursit që kam zhvilluar në mbledhje, mbi atë se gjoja Partia Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme për zgjedhje, dëshiroj të korrigjoj këto media dhe të njoftoj qytetarët e vendit mbi përmbajtjen e vërtetë të diskursit që kam zhvilluar.”

Ai theksoi se përballë situatës që gjendet Kosova, përpos zgjedhjeve ka qenë e nevojshme të kërkohet informacione se a ka buxhet për organizimin e zgjedhjeve.

“Përballë situatës në të cilën gjendemi, ka qenë e nevojshme që krahas zgjedhjeve të cilat janë të pashmangshme, duhet të mendojmë edhe për aspektet operative që ndërlidhen me to, rrjedhimisht buxhetin për zgjedhjet. Në këtë drejtim, kam ngritur një pyetje legjitime mbi atë se cilat janë proceduat që duhet ndjekur për të siguruar buxhetin për mbajtjen e zgjedhjeve, përderisa diçka e tillë nuk është e paraparë këtë vit në planin buxhetor për shkak se rëndom viti 2019 nuk është planifikuar si vit elektoral. Kjo është diçka që nuk mund të anashkalohet dhe verifikimi i mandatit të Qeverisë në dorëheqje për të siguruar buxhetin për zgjedhjet është më se i nevojshëm.”

I pari i Drejtësisë shtoi se kjo pyetje ishte interpretuar se Partia Demokratike dëshiron t’i shmangë zgjedhjet, por fakti që qeveria është e dorëhequr zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Por,kjo pyetje legjitime në rangun e disa mediave është interpretuar si qëndrim i Partisë Demokratike të Kosovës, me pretekstin se PDK-ja po përpiqet t’i shmangë zgjedhjet. Realiteti që ndajmë aktualisht ka vetëm dy gjëra që janë të pashmangshme. Faktin se qeveria është qeveri në dorëheqje në njërën anë, dhe faktin se zgjedhjet janë të domosdoshme dhe pa alternativë në anën tjetër.”

Sipas Tahirit për zgjedhje është shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qëndrimet e PDK-së për situatën dhe disponueshmërinë e plotë për zgjedhje e ka shfaqur edhe Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli. PDK-ja, si partia më e madhe në vend, është e gatshme për zgjedhjet nacionale në çdo moment nga ky që po flas, dhe kjo gatishmëri është e lidhur ngushtë edhe me gatishmërinë tonë të pa kompromis për t’i ofruar vendit një qeverisje kuptimplotë dhe funksionale, që i jep fizionomi të re aspiratave tona për një shtet ekonomikisht të fortë, në rrugë të pakthyeshme drejt integrimeve evropiane dhe partneritetit afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Shpërndaje në: