Tahiri: Qeveria Kurti po e shkatërron shtresën e mesme

Tahiri: Qeveria Kurti po e shkatërron shtresën e mesme

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, vlerëson se Qeveria Kurti po e shkatërron shtresën e mesme.

“Qeveria Kurti e ka vendosur në shënjestër shtresën e mesme të qytetarëve të Kosovës. Nuk po lë gurë pa lëvizur, që këtë shtresë ta dobësojë ose mundësisht ta eliminojë si të tillë”, ka thënë ai.

Madje, Tahiri ka listuar disa arsye për këtë si rritja e çmimit të energjisë elektrike, përjashtimin e qytetarëve me pagë mbi 1000 euro nga përfitimi i shtesave prej 100 eurove nga ana e qeverisë dhe mos votimi i tërheqjen së 30 për qind të mjeteve nga Trusti, njofton Klankosova.tv.

“Këtë po e argumentoj vetëm me tri veprimet e fundit të kësaj Qeverie të ndërmarra brenda këtij tremujori: 1. Çmimin e rrymës e ngriti pikërisht në kurriz të kësaj shtrese, i liroi korporatat e mëdha nga ngritja e çmimit, ua subvencionoi ngritjen shtresës tjetër që nuk jetojnë në zonën urbane. Ndërkohë, koston e ngritjes po e paguajnë shtresa e mesme, që sot jetojnë me nga një pagë të nivelit mesatar. 2. Shpërndau ndihma gjithandej Kosovës me kritere skajshmërisht diskriminuese, duke e përjashtuar sërish shtresën e mesme, që marrin pagë mbi 1000 euro, e që në shumicën e rasteve kanë vetëm një të punësuar në familje. Ndërkohë, që me vendimin e Qeverisë, hipotetikisht mund të përfitojnë ndihma dy bashkëshortët që marrin nga 950 euro pagë, e pse jo edhe ndonjë fëmijë i tyre në emër të statusit të studentit. 3. Tani goditja fatale kësaj shtrese po i jepet duke mos votuar Ligjin për Trustin, duke ua pamundësuar shfrytëzimin e mjeteve të tyre (po e përsëris: mjetet e tyre) dhe arsyetimi banal i tyre është se nga ky ligj përfitojnë të pasurit”.

Tutje, Tahiri thotë se këta qytetarë po trajtohen vetëm si pagues të taksave dhe po privohen nga çfarëdo përfitimi që indirekt rrjedh pikërisht prej këtyre taksave.

Shpërndaje në: