Takimi i dështuar i Hotit për të mbrojtur votën e Teuta Rugovës

Takimi i dështuar i Hotit për të mbrojtur votën e Teuta Rugovës

Vetëm një ditë para se Teuta Rugova të deklarohej publikisht për marrëveshjen për të votuar kandidatin e PAN, Ramush Haradinajn për kryeministër, ishte takuar me kandidatin për kryeministër nga partia me të cilën ajo mori vota për herë të dytë për tu bërë deputetet, Avdullah Hoti.

Hoti e kishte konsideruar Teuta Rugovën brez të ri të republikës, me të cilin sipas tij po përtërihej LDK-ja.

Ndërkohë që e kishte përkujtuar edhe një herë që Rugova edhe këtë mandat do të jetë deputetja me e re.

“Sot takova dy deputetet me të ri të Kuvendit. Fidani është Kryetar i Forumit Rinor të LDK-së dhe zëri i rinisë kosovare në Kuvend. Ai është i vetmi përfaqësues nga forumet rinore të partive që është votuar për deputet. Teuta edhe në këtë legjislature do të jetë deputetja më e re.  FAKT – LDK po përtërihet me Brezin e Republikës”, ka shkruar ai.

Ndërsa, sot deputetja me e re e partisë së Hotit, tregoi se ka ndarë mendjen për kë duhet të votoj si kryeministër, që është e kundërt me atë që deri tani ka deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që ishte krijuar nga babai i saj Ibrahim Rugova.

Teuta Rugova, në deklarimin publik rreth vendimit për të votuar për Haradinajn kryemistër, tha se njësoj do të vepronte edhe babai i saj.

“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së”, ka thënë Rugova.

Shpërndaje në: