“Të shtohet presioni ndërkombëtar mbi Serbinë dhe Vuçiqin për njohjen e Kosovës”

“Të shtohet presioni ndërkombëtar mbi Serbinë dhe Vuçiqin për njohjen e Kosovës”

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, tha se ka rëndësi shumë të madhe diplomatike fakti se kancelari gjerman, Olaf Scholz, e nisi turneun e tij në Ballkanin Perëndimor nga Kosova.

“Fakti që kancelari gjerman Scholz e nis vizitën e tij në Kosovës padyshim është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një përkrahëse e madhe e proceseve integruese evropiane dhe një përkrahëse e madhe e BE-së dhe integrimit të Ballkanit. Vizita e kancelarit Scholz jep një mesazh të rëndësishëm për rajonin dhe në veçanti për Kosovën, duke qenë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor të cilin ai e viziton dhe kjo në aspektin diplomatik ka një rëndësi të veçantë kur vizita niset pikërisht në Kosovë dhe më pas vazhdon më tutje në rajon”.

Ai tha se qëndrimi i kancelarit gjerman i cili e bëri të qartë se nuk ka integrim në BE as të Kosovës dhe as të Serbisë pa njohje reciproke është një temë që është diskutuar edhe më herët, por tani ka ardhur momenti që ky dialog të marrë fund.

“Nga përvoja ime dhe shërbimi diplomatik gjashtëvjeçar në Gjermani kjo temë është diskutuar edhe më herët, por tani është momenti kyç që në fund të këtyre proceseve të dialogimit që ne kemi pasë gjatë viteve të fundit t’i thuhet troç Serbisë se marrëveshja duhet të jetë përfundimtare me njohjen e shtetit të Kosovës dhe nuk mund të vazhdohet kështu në këtë drejtim, meqë shihet se Serbia vazhdon që në njërën anë të mbetet përkrahëse e integrimeve dhe në njërën anë urë lidhëse e Rusisë. Kjo është bërë sot e qartë nga kancelari gjerman dhe njohja e Kosovës nga Serbia në marrëveshjen finale mes dy shteteve do të jetë përfundimi i dialogut”.

“Procesi i Berlinit si prioritet dhe mbështetja për liberalizimin e vizave ishte mesazh i qartë që Gjermania është e përkushtuar që ky proces i liberalizimit të vizave të përfundojë dhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm, sepse e dimë shumë mirë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret. Shpresoj shumë që Gjermania të mbetet lider që ky proces të përfundojë sa më parë që është e mundur”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani tha se është momenti i duhur që presioni evropian dhe ai gjerman të shtohet mbi Serbinë dhe presidentin e saj që dialogu Kosovë-Serbi të marrë fund me njohje reciproke.

“Është tani momenti kyç që presioni ndërkombëtar, sidomos i BE-së dhe ai gjerman, të ushtrohet mbi Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq që një herë e përgjithmonë të marrë fund dialogu dhe një herë e përgjithmonë të njihet Kosova nga Serbia, meqë u tha qartë nga kancelari që nuk do të ketë integrim në BE të asnjë shteti dhe as të Serbisë pa marrëveshje dhe njohje reciproke”.

Shpërndaje në: