“Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, sa të shpeshta janë deklarimet e rreme nën betim?

“Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, sa të shpeshta janë deklarimet e rreme nën betim?

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e dëshmisë sime dhe përgjegjësinë time ligjore, solemnisht betohem se do të them të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe se nuk do të fsheh asgjë për të cilën kam dijeni”, në momentin kur thuhet ky tekst nga secili person në një procedurë gjyqësore dhe nuk thuhet e vërteta,  atëherë konsumohet vepra penale “Deklarimi i rremë nën betim”.

“Deklarimi i rremë nën betim”, është vepër penale e cila sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës në kapitullin e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pa dyshim se një dëshmi e rreme në një procedurë gjyqësore është krim, pasi një gënjeshtër në procedurë mund të ketë pasoja të rënda sepse me një dëshmi të rreme rrezikohet të prishet objektivi dhe parimi bazë i sistemit të drejtësisë e që është zbulimi i së vërtetës.

Kryerësit të kësaj vepre penale mund të jenë palët të cilat janë të involvuara në një procedurë gjyqësore, duke përfshirë dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit dhe interpretët.

Sipas komentarit të Kodit Penal të Kosovës, ana subjektive e kësaj vepre penale është se kryhet vetëm me dashje. Kryerësi i kësaj vepre nënshkruan, përkatësisht jep dëshmi të rrejshme edhe pse është nën betim si dhe është i vetëdijshëm se po i fshehë faktet relevante përkundër betimit se do të deklarojë për çdo fakt relevant në dobi të procedurës përkatëse.

Pra, dëshmitari, eksperti apo kushdo që përballë gjykatës jep dëshmi të rreme me qëllim për të mashtruar gjykatën apo për ndonjë qëllim tjetër të mashtrimit.

Në seanca gjyqësore, shpeshherë ngriten pretendime se persona të caktuar në procedurë nuk po e thonë të vërtetën, përkundër kësaj përgjatë tri viteve të fundit, prokuroria nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për veprën penale “Deklarim i rremë nën betim”.

“Ju njoftoj se zyra për statistika grumbullon te dhëna statistikore për lëndët e korrupsionit , dhe po ashtu edhe sipas veprës penale te cilësuar nga prokurori, por për vitet 2019, 2020, dhe 2021 nuk ka asnjë Aktakuzë te ngritur për nenin ne fjalë” thuhet në përgjigjën e Këshillit Prokurorial të Kosovës për “Betimi për Drejtësi”.

Ndonëse nga Prokuroritë Themelore përgjatë këtyre viteve nuk është ngritur asnjë aktakuzë për këtë vepër, prokurorët nuk përtojnë që në gjykime të ngritin pretendime dhe të vënë në dyshim kredibilitetin e palëve në procedurë.

“Ky dëshmitar nuk është kredibil, nuk po e thotë të vërtetën’’, kishte deklaruar prokurorja e Krimeve të Rënda e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Besa Limani, në njërën prej seancave kur po dëshmonte dëshmitari M.R, në rastin ku Bali dhe Baki Reçica, gjykoheshin se kanë vrarë djalin e dajës së tyre. Përkundër kësaj, prokurorja nuk kishte paralajmëruar se do merrte ndonjë veprim ndaj dëshmitarit në fjalë.

Procedurë penale kishte paralajmëruar prokurorja Ilirjana Ҫollaku, ndaj ndaj dëshmitarit të mbrojtjes M.Ҫ, me pretendimin se i njëjti gjatë seancës ka dhënë deklarim të rrejshëm.

“Pas dëgjimit të kësaj dëshmie unë e njoftoj gjykatën se ndaj personit të paraqitur si dëshmitar i rastit i cili sapo u dëgjua, në vijim të këtij shqyrtimit gjyqësor do të arsyetoj arsyeshmërinë e inicimit të procedurës penale për veprën penale deklarim i rremë, sanksionuar më Kodin Penal”, ishte shprehur prokurorja pasi kishte dëgjuar deklaratën e dëshmitarit në fjalë.

Përveç prokurorëve, shpeshherë edhe avokatët ngritin dyshime për vërtetësinë e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët dhe personat tjerë në procedurë.

Avokatja Kosovare Kelmendi e kishte quajtur “bilbil”, dëshmitarin Xh.R i cili po jepte dëshminë e tij për njërën ndër vrasjet më mizore të pasluftës, i njohur si rasti ‘Çekiçi’. Avokatja e të akuzuarit kishte thënë se dëshmitari është jokredibil dhe se duhet të vërtetohet nëse ato që ai po i deklaronte janë sajime në kokën e tij.

Edhe pse në tre vitet e fundit nuk është ngritur asnjë aktakuzë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) thotë se për periudhën 2019-2021, kanë qenë 19 lëndë në procedurë për “deklarimit të rremë nën betim”.

“Lëndët në punë dhe të zgjidhura prej vitit 2019 deri 2021 janë: Lëndë në punë  janë katërmbëdhjetë (14). Lëndë të zgjidhura  pesë (5)”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në janar të këtij viti.

Por, si parashihet dënimi për këtë vepër penale?

Kodi Penal në fuqi ka paraparë dënim me gjobë apo me burgim, me maksimumin prej pesë vitesh për deklarim të rremë nën betim.

“Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, parashihet në paragrafin 1 të nenin 383 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas paragrafit 2 nëse deklarata nga paragrafi 1, i nenit 383 është dhënë gjatë procedurës penale, kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Kodi përkatës ka paraparë edhe zbutje të dënimit për kryerësin e kësaj vepre penale, kur i njëjti vullnetarisht e tërheq deklaratën e tij para fundit të dëshmisë së tij.

“Betimi për Drejtësi”, ju sjell disa nga raste e monitoruara nga kjo natyrë e veprave penale:

“Betohem që kurrë në jetë nuk kam deklaruar rrejshëm, ndihem shumë keq edhe vetëm kur dëgjoj se po akuzohem për deklarim të rremë”, kishte thënë i akuzuari Abdullah Zeqiri për deklarim të rrejshëm nën betim.

Shpërndaje në: