Thaçi, Veseli e Gashi ngushëllojnë familjen e Sinanit, pas aksidentit tragjik
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Sinani, pas ndarjes nga jeta të anëtarit të përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Gazmend Sinani.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen tragjike të basketbollistit, Gazmend Sinani, anëtar i përfaqësueses së Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet për familjen Sinani, Federatën e Basketbollit, miqtë dhe fansat e shumtë të përfaqësueses sonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Familjen Sinani e ka ngushëlluar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
“Më pikëlloi lajmi për vdekjen e basketbollistit të përfaqësueses sonë, Gazmend Sinani. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv në Kosovë”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Ndërsa, në telegramin e ngushëllimit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, me rastin e vdekjes së basketbollistit Gazmend Sinani, thuhet se basketbollit të Kosovës do t’i mungojë njeri ndër lojtarët më të mirë të gjeneratës.
“Lajmin për vdekjen e basketbollistit Gazmend Sinani e morëm të shtangur dhe të pikëlluar.
Basketbollit të Kosovës do t’i mungojë njeri ndër lojtarët më të mirë të gjeneratës. Gazmendi shquhej si një basketbollist shume luftarak, gjë për të cilën Kombëtarja jone e basketbollit do të jetë e hendikepuar me humbjen e tij.
Gazi përveç angazhimit të tij në disa klube kosovare, ka qene pjese edhe e formacioneve të klubeve të shteteve mike, respektivisht te shtetit turk.
Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i shpreh ngushëllime familjes së Gazit, miqve, kolegëve të tij dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Gjithashtu, shërim të shpejt dhe rikthim ne parket iu dëshiroj kolegëve të tij, Granit e Fisnik Rugovës, Altin Morinës dhe fizioterapeutit të reprezentacionit Kujtim Shala, të cilët ishin se bashku me Gazmendin, në këtë ngjarje të tragjike për të gjithë ne”, thuhet në ngushëllimin e ministrit Gashi.
Sinani humbi jetën një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë. /Periskopi



