Trump: Do t’i vrasim trafikantët e drogës, nuk kërkohet miratimi i Kongresit
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër “narko-terroristëve” nuk kërkojnë shpallje lufte apo miratim nga Kongresi. Ai paralajmëroi se pas goditjeve ajrore ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Detin Karaibe dhe Oqeanin Paqësor, sulmet do të shtrihen edhe në tokë.
“Ne nuk do të kërkojmë domosdoshmërisht një deklaratë lufte,” tha Trump të enjten në Shtëpinë e Bardhë. “Ne do t’i vrasim njerëzit që sjellin drogë në vendin tonë. Do t’i vrasim.”
Sipas Pentagonit, që nga fillimi i shtatorit, forcat amerikane kanë goditur të paktën nëntë anije në Karaibe dhe në Paqësor, ku janë vrarë të paktën 37 persona. Uashingtoni i ka cilësuar këto si operacione ushtarake kundër “narko-terroristëve”, por pa dhënë prova konkrete për akuzat.
Operacionet janë shoqëruar me dislokimin e anijeve luftarake, avionëve F-35, një nëndetëse bërthamore dhe mijëra trupash në rajonin e Karaibeve.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka ashpërsuar akuzat ndaj Venezuelës dhe Kolumbisë, duke pretenduar se presidentët Nicolás Maduro dhe Gustavo Petro janë të përfshirë në trafik droge, transmeton Klankosova.tv.
Maduro e ka akuzuar Uashingtonin se po përdor luftën kundër karteleve si arsyetim për ndërhyrje ushtarake në Venezuelë. Ai ka paralajmëruar se ushtria e tij ka në dispozicion 5,000 raketa tokë-ajër ruse për t’u mbrojtur nga çdo sulm i mundshëm amerikan.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro akuzoi SHBA-në për “ekzekutime jashtëgjyqësore”, ndërsa organizata Amnesty International e cilësoi fushatën amerikane si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.



