“Do t’ua kthej me ngulm kalanë qytetarëve”
Rama tha se askush nga komuna nuk është pyetur nga ana e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve kur është marrë ky vendim.
Ajo tha se reagimin e saj për këtë gjë e kishte shprehur edhe në Facebook dhe se i qëndron pas asaj që e ka thënë.
Rama e konsideroi tragjike që një monument si kalaja e Vushtrrisë, që është shembull i shfrytëzimit nga organizatat e ndryshme dhe vizitorët, që të jepet në shfrytëzim pa u pyetur ata së pari si komunë.
“Ajo që më shqetëson më së shumti është që Instituti për Mbrojtjen e Monumentve as nuk e mori mundui që të na paralajmërojë se diçka e tillë është duke ndodhur”, tha ajo për Orën e Fundit të Klan Kosovës.
Rama tha se deri sot si komunë e kanë mbajtur hapur kalanë dhe kanë qenë të gatshëm që ta mbajnë hapur këtë hapësirë.
Tutje, ajo bëri të ditur se para dy dite kur ishin njoftuar që kalaja veçse është dhënë në shfrytëzim, ajo e kishte kontaktuar drejtorin e Instituti për Mbrotjejn e Monumenteve por thopë se ai nuk e kishte marrë mundin që t’i përgjigjej asaj.
Rama tha se dëshiron që t’i dijë të gjitha detajet se si kjo kala është dhënë në shfrytëzim, për periudhën kohore dhe se cilat janë kushtet që ka ndodhur diçka e tillë.
“Është një monument që mbi të gjitha i takon qytetarëve të Vushtrrisë, dhe të kthehet në restorant është e palogjikshme”.
Ajo tha se hapi i parë është kërkimi i informatave se si është dhënë në shfrytëzim, dhe pohon se instituti ka bërë shkelje ligjore sepse është dashur që t’i pyesë ata si komunë se a kanë kushte dhe mundësi për ta mbajtur këtë kala.
Rama shtoi se personalisht nuk ka asgjë kundër personave që e kanë marrë kalanë sepse gjithkush do të dëshironte që ta kishte një monument si ai që ta përvetësonte dhe të përfitonte.
“Ajo që më intereson mua si institucion është se gjithmonë e kam mbajtur të hapur pa pagesë për të gjitha organizatat dhe grupet që kanë dashur ta shfrytëzojnë për aktivitete”.
“Unë me ngulm do t’ua kthej prapë kalanë në shërbim qytetarëve”, përfundoi Rama.



