Ushtarë me pare: Pse mendimet e Hekuran Muratit për luftën e UÇK-së na djegin në shkallë të plotë

Ushtarë me pare: Pse mendimet e Hekuran Muratit për luftën e UÇK-së na djegin në shkallë të plotë

Personalisht, më djegë në shkallë të plotë: Si vajzë e dëshmorit – që e di angazhimin e babait tim disa dekada për çlirimin e Kosovës – deri në vdekje, ishte djegie e shkallës së tretë. E paramendova një situatë, pas kalkulimeve të Hekuranit: Sa para do të duhej t’i paguanim si familje, që në vend të babait tim, të ishte një mercenar? Qe ku çon digitroni i Hekuranit: Absurde!

Shkruan: Dafina Demaku 

(Foto kryesore e lajmit: Adem Jashari) 

Mbi 20 vjet pas përfundimit të luftës, tema më e nxehtë në vend vazhdon të jetë kjo e luftës. Çështja e veteranëve të UÇK-së, të cilët në disa protesta të ditëve të fundit, kërkuan të mos përjashtohen nga Ligji për pagën minimale – dhe që deri tani janë të përjashtuar – vazhdon të ngjallë reagime në shoqërinë tonë. Në një pikë, pajtohemi të gjithë: që listat e veteranëve, në të vërtetë duhet të pastrohen. Dhe, fuqinë për pastrimin e kësaj pune, e ka Qeveria aktuale. Me numra, me krejt. Por pajtohemi, ekziston njëfarë konsensusi edhe në diçka tjetër: që këto lista, të pastrohen në atë mënyrë, duke mos i lënduar në asnjë moment, ata që i njohim dhe i quajmë ‘veteranë të vërtetë’. Sepse, kush i lëndon ata që qenë në gjendje ta japin jetën për lirinë? Kush blasfemon kaq lehtë me vlerën më të shenjtë që kemi? A është dikush që s’i mungoi liria? Jemi të interesuar të bisedojmë me ata që s’iu mungoi liria. Të na tregojnë se si ka qenë jeta në liri, kur neve na ka munguar…

***

Një shprushje në mendimet e Hekuran Muratit, në vite jo të largëta (2016 e 2018) lidhur me çështjen e veteranëve, nxori në pah mesazhe që nxitën jo pak reagime në opinionin publik kosovar.

Me një fjalë, pa e zgjatur, tani ministër Hekuran Murati, duke e kalkuluar luftën e UÇK-së, konstaton se ‘më lirë do t’na kushtonte të paguanim mercenarë në luftë’ sesa ‘këta veteranë’ që përveç pagesës, po duhet me iu thënë edhe faleminderit. Kështu, kalkuluesi i zoti Hekuran Murati, tani ministër, e heq parimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje dhe e thjeshton me angazhimin e popujve në mercenarizëm: në luftën për pare, me pare.

Mendime të tilla, natyrisht që janë shokuese, kur vijnë nga mendja e një njeriu që sot mban post të rëndësishëm në Republikën e Kosovës, atë të Ministrit të Financnave.

Kur kihet parasysh historia jonë jo pak vjeçare, por qindra sosh, mendimet e ministrit Murati, më së paku të shkaktojnë nervozë, e më së shumti revoltë.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala mercenar, ka këto kuptime dhe nëse iu mvishen veteranëve të UÇK-së, janë boll lënduese dhe secila na del më e rëndë se tjetra.

MERCENAR m.

  1. Ushtar me rrogënë shërbim të një shteti a të një ushtrie të huaj. Trupa (ushtri) mercenarësh. Shërbente si mercenar.
  2. përd. Ai që vihet në shërbim të armiqve ose të pushtuesve të vendit të vet për para ose për përfitimetë ulëta vetjake; njeri i shitur. Mercenarët e armiqve.
  3. përd. mb. Sipas kaptimeve të mbiemrit. Ushtar mercenar. Forca (trupa) mercenare.

A do të çlirohej Kosova (jo në kuptimin e Vetëvendosjes, 14 shkurti sic!), pa luftën jomercenare të UÇK-së?

Sipas mendimeve të dikurshme të Hekuran Muratit, që nuk e dimë ende a i ka ndërruar, Kosova do të çlirohej tepër lehtë:

Do të jepnim ngapak para, e s’do t’i jepnim njerëzit tonë më të dashur për lirinë e Kosovës, por do të paguanim mercenearë për të na çliruar.

Por, diplomati Christopher Hill – ndër njerëzit që u angazhua shumë në çështjen e Kosovës – imazhet e vjetra të të cilit i kemi ende ndër mend, dhe që tani është ambasador në Serbi, e shpjegon mjaft mirë në një intervistë për Zërin të vitit 2003.

Lexoni me vëmendje përgjigjen e tij, në pyetjen e Zërit:  A jeni edhe ju i mendimit se, për fat të keq, me qëllim që të jesh i dëgjuar duhet të fillosh të shkrepësh armët? Kjo është përvoja nga Ballkani…

Hill: Mendoj se përgjigja e drejtë e një diplomati është: natyrisht se jo. E dini, të shtënat dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë, etj. Por, qartazi, askush nuk ishte i gatshëm t’i kushtonte vëmendje Kosovës, përderisa situata nuk eskaloi në dhunë. Pa marrë parasysh se sa dëshirojnë diplomatët të mendojnë për veten se preokupohen me çështje të rëndësishme, në të vërtetë ata shqetësohen me çështje urgjente.

Dhe, çështjet urgjente mjaft shpesh definohen si çështje të dhunshme. Pra, çështjet e rëndësishme gjithmonë shtyhen anash kur diplomatët preokupohen me çështjet urgjente. Kështu, unë mendoja se Kosova ka një rëndësi thelbësore, një rëndësi të madhe në Ballkan, por kjo çështje nuk u bë urgjente, përderisa njerëzit nuk filluan të shkrepin armët kundër njëri tjetrit.

REAGIMET:

Ilir Mirena, gazetar dhe ish-ushtar i UÇK-së, thotë se sipas Hekuran Muratit, krejt dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës i paskan vetëm nga 90 ditë angazhim për çlirimin e Kosovës. Edhe vetë Adem Jashari.

Mirena shkruan kështu:

“Sipas Hekuran Muratit, minister dhe kuader i Albin Kurtit, po i bjen qe Adem e Hamez Jashari, Shaban Jashari dhe krejt familja e tyre, pastaj Fehmi Lladrovci, Xheve Lladrovci, Zahir Pajaziti, Ardian Krasniqi, Luan Haradinaj, Muje Krasniqi, Agim Ramadani, Sali Çeku, Bekim Berisha, Ilir Konushevci, e krejt ata heronje, deshmore e veprimtare te cilet kane sakrifiku dhe ra me arme ne dore, dhe krejt ata qe kane dal gjalle nga lufta kunder Serbise – i kane vetem 90 dite angazhim per çlirimin e Kosoves, jo me shume!”.

Gazetari Halil Matoshi, reagimin e të cilit, mund ta lexoni të plotë këtu, thotë se Muratit s’do të duhej t’i jepej as votë as post dhe shkoi pak më larg në fjalorin e ashpër, duke future në përdorim edhe fjalën ‘bastard’.

“Hekuran Murati asht ngritun kundra këtij shpirti, tue fye thymos-in, dinjitetin e luftëtarit të lirisë. Në ni shoqni ku çmohet e ruhet liria kombëtare, si diçka supreme, as post publik dhe as votë për kësi bastardësh nuk duhet me pasë! P’ej padijes e marres askush s’asht dekë”, shkruan Matoshi.

Ish-gjenerali i UÇK-së, Sami Lushtaku, në një deklaratë për gazetaren Besarta Hoti, tha se deklaratat e tilla janë pjesë e një fushatë që ka fillu shumë herët. I ashpër Lushtaku, u tregua kështu:

Kjo fushatë kundër UÇK-së ka nisur bajagi herët, nga Serbia e shërbimet ruse, dhe Vetvendosja. Domethënë janë tre mekanizma që në vazhdimësi e kanë luftu UÇK’në. Edhe VV’ja sikur këto shërbimet serbe domethënë të njëjtin rregull e ka ndjekë”, tha Lushtaku. 

 

 

Shpërndaje në: