Veliu: Në kuvendin e sotëm po tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, s’marr pjesë

Veliu: Në kuvendin e sotëm po tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, s’marr pjesë

 Ish-kryetari i degës së LDK-së në Podujevë dhe deputeti i kësaj partie, Agim Veliu, ka bërë të ditur se ai nuk do të marrë pjesë në kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj dege për ta zgjedhur kryetarin e ri.

Ai tha se të njëjtit persona, që sipas tij, i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Llap, tash po e vazhdojnë misionin e tyre, atë të shkatërrimit të degës.

Veliu akuzoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se ai është duke shkelur mbi statutin e kësaj partie, dhe se po tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që sipas tij, nuk është as pjesë e strukturave e as e degës së tyre.

“Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë”.

“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë”, ka shkruar Veliu.

Më tej, ai thotë se Lumir Abdixhiku, me ata siç i quan ai, misionarët anti-LDK, është veç shkatërrim i degës së LDK-së në Podujevë.

“Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, ka shkruar Veliu.

Shpërndaje në: