VV nuk ‘lëshon pe’ nga KEK-u, vazhdon të punësoj familjar në këtë Korporatë (DOK.)

VV nuk ‘lëshon pe’ nga KEK-u, vazhdon të punësoj familjar në këtë Korporatë (DOK.)

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë vulën me kapjen e ndërmarrjes më të madhe publike në vend, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Periskopi ka gjetur një numër të madh të njerëzve të partisë në pushtet, si të pranuar në konkursin e fundit në këtë Koorporatë.

KEK-u kishte shpallur konkurs për 90 vende të reja të punës më 18 janar të këtij viti.

Në listën që ka siguruar Periskopi, del që partia në pushtet nuk ka lënë pa i rehatuar të afërmit e tyre aty.

Duke filluar nga “koka e Koorporatës”, Jeton Gërguri është njëri nga të pranuarit në KEK në konkursin e fundit. Jeton Gërguri është kushëri i afërt me drejtorin e KEK-ut, Bekir Gërgurin. Ai ka marrë gjithsej 76.17 pikë në këtë konkurs.

Personi tjetër i cili është pranuar dhe ka lidhje me partinë në pushtet është, Nexhat Prebreza. Ky i fundit është kushëri i afërt me, Valon Prebrezan, udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike. Nexhat Prebreza është vlerësuar me 80.17 pikë në këtë konkurs.

Ministrja Artane Rizvanolli dhe Valon Prebreza (NJPMNP)

Naim Ahmeti, vëllai i Sami Ahmetit, numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, është punësuar gjithashtu në konkursin e fundit të Korporatës Energjetike. Naimi ka marrë gjithsej 79.17 pikë gjithsej.

Naim dhe Sami Ahmeti në fushatë të LVV-së

Në listën e të pranuarve së fundmi në KEK, shihet edhe emri i Berat Gashit. Ky i fundit është sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq. Gashi ka gjithsej 72.33 pikë

Berat Gashi së bashku me deputetin e VV-së, Halil Thaçi

E pas figurave me rëndësi në Obiliq, radha i ka ardhur edhe, Bujar Mehmetit. Ky i fundit është kryetar i degës së LVV-së në Babimofc. Ai ka marrur gjithsej 76 pikë. Mehmeti shihet se ka një afërsi edhe me deputetin e LVV-së, Halil Thaçi (shih foton më poshtë).

Bujar Mehmeti dhe deputeti i VV-së, Halil Thaçi

Më poshtë mund të gjeni listë e të pranuarve në këtë konkurs të KEK-ut.

Ajo që duhet theksuar është se, në vitin 2022, Prokuroria Themelorë në Prishtinë kishte inicuar hetime për shkeljet e dyshuara në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në KEK.
Në atë konkurs kishin aplikuar 4668 persona, 128 nga ta ishin pranuar.

Një vit më vonë, pas gjithë këtyre dyshimeve për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave, u anulua i gjithë konkursi.

Periskopi vazhdimisht ka raportuar për rehatimin që po iu bën partia në pushtet familjarëve e aktivistëve të saj në ndërmarrjen me të madhe publike në vend, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dhe jo vetëm…

Megjithkëtë, partia në pushtet i ka mohuar akuzat e tilla pavarësisht që janë të dukshme.

“Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike. Asnjë zyrtar i LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”, kishte shkruar Sekretari për Media dhe Komunikim në Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Për dallim nga konkursi i fundit që ishin pranuar 128 persona, lista e të pranuarve në konkursin e fundit të siguruar nga Periskopi është 90.
/Periskopi

Shpërndaje në: