VV: Thaçi po e shfrytëzon mungesën e institucioneve për të dalë në sipërfaqe

VV: Thaçi po e shfrytëzon mungesën e institucioneve për të dalë në sipërfaqe

Lëvizjet e presidentit Hashim Thaçi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të kalojë në nivel presidencial, po shihen si veprime personale nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e rizgjedhur, Shqipe Pantina ka thënë për “Indeksonline” se Thaçi po e shfrytëzon mungesën e institucioneve që të dalë në sipërfaqe, meqë tashmë ai e ka humbur autoritetin e tij.

Pantina ka kujtuar mandatin e ish-presidentes Atifete Jahjaga, që sipas saj, ajo ka pasur një rol të rëndësishëm përballë shteteve evropiane dhe më gjerë, gjë të cilën Thaçi nuk e ka.

“Nga jashtë ai nuk është ftuar pothuajse nga asnjë vend i rëndësishëm për vizita apo çështje tjera. Ai e ka humbë pjesëmarrjen, që dorën në zemër Jahjaga e ka pas. Ajo ka qenë e ftuar në shumë forume ndërkombëtare, ka vizituar shumë shtete me ftesë të tyre. Thaçi e ka humbë autoritetin duke mos qenë lider i PDK-së, duke mos marrë pjesë në shumë aktivitete dhe si duket ai e ka mani që çdo që ta personalizojë dhe të përfitojë personalisht nga ajo. Ai po e shfrytëzon mungesën e institucioneve për të dalë prapë në sipërfaqe dhe për ta imponuar veten si faktor që tashmë s`është”, është shprehur ajo.

Sipas Pantinës, Kosova duhet të ketë agjendë të veten në bisedime dhe ato të llojit të kaluar duhet të ndërpriten.

Pantina ka shtuar se nuk duhet të ngutet në procesin e diskutimit sepse duhet të vendoset se çfarë roli do të ketë Kuvendi në këto negociata.

“Në secilën lloj negociate që mund të zhvillohet në të ardhmen, ajo duhet të bëhet nga qeveria , nga Kuvendi, modelet duhet të diskutohen se si duhet të përfshihet Kuvendi në këto negociata. Bisedimet që janë bërë në të kaluarën duhet të ndërpriten. Ne si Kosovë duhet ta kemi agjendën e temat tona, për të cilat do të duhet të kërkojmë me bisedu me Serbinë, duke filluar nga të pagjeturit, nga dëmet e luftës”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se negociatat e udhëhequra nga Thaçi nuk i kanë sjellë asnjë të mirë Kosovës dhe se ai tashmë nuk ka kurrfarë legjitimiteti.

Shpërndaje në: