VV tre, e PDK një? – Nga Kushtetuesja tregojnë se deri ku ka shkuar kërkesa e Presidentes për rastin e KQZ`së
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë duke e zhvilluar një betejë politike në lidhje me emërimet e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Partia në pushtet me ngulm kërkon të ketë tre anëtarë në KQZ, ndërsa PDK, si partia e dytë, kërkon të marrë dy ulëse.
Për këtë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret një sqarim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me emërimet e anëtarëve në KQZ, duke shtuar se partitë politike parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë sesa lejon Kushtetuta.
“Për shkak se janë kërkuar tre nga Vetëvendosja, janë emëruar vetëm dy. Janë kërkuar dy nga PDK-ja, është emëruar vetëm një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon Kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Ky rast është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, ka thënë Osmani 25.26.2026.
Periskopi ka dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese, duke pyetur se a do të trajtohet kërkesa e Osmanit për anëtarët e KQZ-së dhe a ka filluar trajtimi dhe kur pritet ndonjë aktgjykim.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është përgjigjur shkurt duke thënë se “Kjo lëndë është duke u proceduar nga Gjykata.”
KQZ përbëhet nga 11 anëtarë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, përbërja e KQZ-së duhet të ketë 11 anëtarë, 6 prej të cilëve përfaqësojnë grupet parlamentare shqiptare dhe 4 anëtarë nga radhët e komuniteteve. Kryesuesi i KQZ-së duhet të vijë nga radhët e sistemit gjyqësor.
Kujtojmë se javën e kaluar Periskopi kishte raportuar se LVV është duke kërkuar emërimin e tre anëtarëve të KQZ-së, PDK dy anëtarë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë propozuar nga një anëtar në KQZ.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi, Violeta Salihu dhe Njazi Isaku – janë emrat e propozuar nga kjo parti për përbërjen e re të KQZ-së.
Partia e dytë në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka propozuar dy emra për përfaqësues në KQZ. Nga PDK kanë treguar se Rashit Qalaj dhe Ilir Gashi janë propozimet e tyre.
Dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë propozuar emrat e njejtë, nga mandati i kaluar: Sami Hamitin dhe Muharrem Nitajn./Periskopi/
Këta janë emrat e propozuar nga LVV, PDK, LDK dhe AAK për anëtarë të KQZ-së



