Yll te Werderi, hije e lodhët te Kosova: Çka po i ndodh Rashicës në kombëtare?

Yll te Werderi, hije e lodhët te Kosova: Çka po i ndodh Rashicës në kombëtare?

Milot Rashica është absolutisht i pandalshëm për Werder Bremenin në Bundesligën gjermane. Por, ai është vetëm hija e zbehtë e vetes së tij kur luan për Kosovën.

Miloti është futbollisti më i shtrenjtë i kombëtares së Kosovës me 20 milionë euro. Kjo pas formës së jashtëzakonshme në Bundesligë me Bremenin ku ka shënuar 4 gola në 7 ndeshjet e para.

Në 42 ndeshjet e para te ekipi i madh gjerman, ai ka shënuar gjithsej 14 gola në vetëm 42 ndeshje, shkruan Periskopi.

Por, forma e tij te Kosova është shumë e ndryshme. Rashica ka luajtur 25 herë për Kosovën deri tash dhe i ka shënuar vetëm 4 gola. Kjo statistikë është më e dobët madje edhe se ajo e qendërmbrojtësit Amir Rrahmani i cili ka arritur që t’i shënonte 5 gola deri tash.

Në gjashtë ndeshjet e luajtur në kuadër të Kualifikimeve për EURO2020, Rashica i ka bërë vetëm 105 pasime gjithsej, ndërsa kishte gabuar në 37 raste kur kishte provuar të pasonte. Kjo bën që përqindja e tij e pasimeve të sakta të jetë vetëm 78 për qind.

Në këto ndeshje ai asistoi 3 herë ndërsa harkoi 15 herë.

Vushtrriasi ka luajtur shumë dobët edhe në dy ndeshjet e fundit të Kosovës, të enjten kundër Çekisë dhe të dielën kundër Anglisë.

Challandes megjithatë po e vendos Rashicën në një pozicion paksa më të ndryshëm se sa trajneri i tij te Bremeni, Florian Kohfeldt. Te Kosova, numri 7 po luan si anësor i ngarkuar edhe me detyra defanzive ndërsa te Bremeni ai është më i çliruar nga kjo barrë dhe i lejohet më shumë hapësirë drejt qendrës së sulmit. /Periskopi

Shpërndaje në: