Ymeri: Prilli dhe maji do ta përcaktojnë rrjedhën politike në Kosovë

Ymeri: Prilli dhe maji do ta përcaktojnë rrjedhën politike në Kosovë

Visar Ymeri, kryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”, ka paralajmëruar të mërkurën nivel të ri të rezistencës, duke intensifikuar në rrugë presionin kundrejt Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.

Ka shprehur besimin se dy muajt e ardhshëm do të jenë përcaktues për rrjedhën politike në Kosovë.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, pjesa e parë e së cilës publikohet në këtë numër, kreu i subjektit kryesor opozitar ka theksuar se brenda këtyre muajve do të përcaktohet nëse Kosova do të vazhdojë të qeveriset me politikat aktuale, apo do të ndërrojë kah. Ai ka treguar se a do të shpallet e dështuar përpjekja e opozitës, në rast se qershori e gjen Isa Mustafën në krye të Qeverisë.

Ka theksuar se deri atëherë do të ketë intensifikim të protestave edhe në kuptimin kohor, e edhe të vendosmërisë e qëndrueshmërisë. Ka folur edhe për mundësinë e krijimit të një trupe të përbashkët opozitë-shoqëri civile, e cila do të vendoste për nivel të ri të rezistencës.

Sipas Ymerit, qytetarët tani janë para dy alternativave: ose të vazhdojnë që me mosveprimin dhe me mosangazhimin e vet ta mbajnë regjimin në pushtet, ose të organizohen në mënyrë që ta kthejnë Kosovën nga interesat dhe vullneti i tyre. Ai ka shprehur besimin se do të përqafohet alternativa e dytë. E, nëse Qeveria i mbijeton rezistencës, sipas tij, në Kosovë do të ndërtohet një sistem diktatorial.

 

 

Shpërndaje në: