Zaev ballëhapur e ballkanhapur flet pas takimit me Kurtin: Na lidhin shumë interesa

Zaev ballëhapur e ballkanhapur flet pas takimit me Kurtin: Na lidhin shumë interesa

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka thënë se mbledhja e përbashkët me Qeverinë e Kosovës është shprehje e qartë e vullnetit politik për të fuqizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Derisa i paraqiti disa nga 11 marrëveshjet e nënshkruara sot ndërmjet dy qeverive, Zaev tha se interesi i të dyja shteteve është bashkëpunimi bilateral.

“Na lidhin shumë interesat e përbashkëta, por edhe ekonomia që janë të udhëzuara dhe drejtuara drejtë njëra tjetrës. Në plan të parë i kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për përmirësimin infrastrukturor që të rritet ekonomia në dy vendet”, tha ai.

Në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Zaev tha se e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“I japim një mbështetje të rëndësishme dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të mbështesin marrëveshjen që është e pranueshme për dy vendet”, tha Zaev, duke shtuar se Maqedonia Veriore e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur moment historik dhe etapë të re të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut mbledhje e sotme të përbashkët ndërmjet dy qeverive në Shkup. Ai tha se me nënshkrimin e 11 marrëveshjeve të bashkëpunimit përfitojnë qytetarët nga dy vendet.

Shpërndaje në: