Zbulohet se çka tha Erion Veliaj kur po hynte me pranga në Gjykatën Kushtetuese
Erion Veliaj ka mbërritur me pranga në Gjykatën Kushtetuese.
Medieve të shumta, të pranishme tek hyrja e gjykatës, ai iu është drejtuar duke thënë: “Faleminderit!”.
Siç shkruan Syri.net, mesazhi duket se shkonte për pak mbështetës të tij, që dëgjoheshin duke thirrur: “Forca Lali Eri!”.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe relatore e çështjes është gjyqtarja Sonila Bejtja.
Veliaj kishte shprehur vullnetin për të qenë i pranishëm në këtë seanca dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve dhe SPAK që të merrnin masa për shoqërimin e tij.
Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn më 25 shtator me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.
Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, por dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste.
Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.



