Zeneli, ‘rrufeja’ që la Suedinë dhe dëgjoi zemrën për ta përfaqësuar Kosovën

Zeneli, ‘rrufeja’ që la Suedinë dhe dëgjoi zemrën për ta përfaqësuar Kosovën

”Zeneli është një nga talentët më të mirë që kam parë ndonjëherë”, thoshte në vitin 2014 ish-bashkëlojtari i Arbërit te Elfsborg dhe ish-kapiteni i Suedisë, Anders Svensson.

Svensson duket se ishte mahnitur me talentin që posedonte Arbër Zeneli, por e kishte ‘nuhatur’ më herët.

Arbër Zeneli lind në Sater të Suedisë, me prindërit me prejardhje nga Mitrovica. Në Suedi ai nis edhe hapat e parë si futbollist.

Talenti i tij bie në sy menjëherë nga skautët suedezë dhe Zeneli për herë të parë ftohet në kombëtaren skandinave në vitin 2010, ndërsa shërbimi i 24-vjeçarit për Suedinë zgjat deri në vitin 2016.

Një vit më përpara, Zeneli fiton Kampionatin Evropian U21 pa luajtur asnjë minutë me Suedinë.

Në vitin 2016 trajneri i Suedisë U21, Hakan Ericson merr një lajm tronditës, ashtu siç edhe e përshkruan ai vet.

“Është lajm i trishtuar, ka ardhur si një rrufe për ne. Mendova se ishin vetëm thashetheme, por duket se janë të vërteta”, deklaroi Ericson me të marrë vesh se Arbër Zeneli ka zgjedhur të luajë për Kosovën.

Ylli kosovar asokohe luante te Elfsborg ku kishte paraqitje mbresëlënëse, ndërsa në vitin kur zgjodhi të luante për Kosovën ai transferohet në Holandë, te Heerenveen.

Pikërisht te skuadra holandeze Zeneli fillon të rritet si lojtar. Në Eredivise ai u paraqit 88 herë dhe shënoi 17 gola, mjaftueshëm që tifozët e klubit të ‘dashuroheshin’ pas tij dhe me lëvizjet e tij, që shpeshherë krahasohen me ato të Eden Hazard, që luan te Chelsea.

Pas katër sezoneve të kaluara në Holandë dhe në një formë të jashtëzakonshme, Arbër Zeneli mendon se ka ardhur koha për ndryshim.

Me t’u përhapur ky lajm, te Heerenveen ofertat janë të pandalura, mes tyre edhe gjiganti turk Fenerbahce.

Megjithatë, ai tregohet modest dhe zgjedh Reimsin në Francë… e befasishme, por e logjikshme. Zeneli tashmë duket se është përshtatur mjaft mirë në Ligue 1 dhe po ka paraqitje të mrekullueshme me Reims, kurse fitoi vendin e startuesit pas hiq më shumë se pesë ndeshjeve.

Arbëri ndjehet krenar që ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën dhe jo Suedinë.

“Jam shumë krenar. Kam zgjedhur me zemër, nuk ka qenë e lehtë ta lë Suedinë, por dëgjova zemrën, dhe zemra më tha ta zgjedh Kosovën”, kishte deklaruar Zeneli.

Në Kosovë, në vitin që lamë pas, Zeneli u zgjodh si ‘Lojtari më i mirë kosovar’, kjo edhe falë paraqitjeve fantastike në Ligën e Kombeve.

“Çfarë mbrëmje! I zgjedhur si ‘lojtari më i mirë i vitit 2018’. Dëshiroj ti falënderoj familjen dhe shokët. Por, po ashtu edhe lojtarët e stafit në Kosovë dhe Heerenven. Pa ju kjo nuk do të ishte e mundshme”, kishte thënë pas fitimit të çmimit Zeneli.

Në vitin 2016, anësori realizon tre paraqitje për ‘Dardanët’, shifër e njëjtë me vitin pasardhës.

Viti 2018 është kulminant për të dhe për Kosovën. Në 9 paraqitje, Zeneli është autor i 6 golave, përfshirë edhe het-trikun ndaj Azerbajxhanit, që mjaftojnë për fitimin e grupit në Ligën D të Ligës së Kombeve.

Përveç golave Arbëri ka edhe një shpejtësi të jashtëzakonshme. Ai është si ‘rrufeja’ derisa ka bërë njërin nga vrapimet më të shpejta në Ligën e Kombeve.

“Arbër Zeneli ka bërë një ndër vrapimet më të shpejta në garat e Ligës së Kombeve. Ai arriti shpejtësinë prej 38.9 km/h. Vetëm Kylian Mbappe i Francës dhe Leroy Sane i Gjermanisë ishin më të shpejt se ai” ka thënë ndihmës trajneri i Kosovës, Thomas Richards.

Por, ndeshja me Azerbajxhanin përveç se ishte e jashtëzakonshme për të, pati edhe një moment të vështirë.

Kësisoji, Zenelit i vdes gjyshi 6 orë para fillimit të ndeshjes me Azerbajxhanin, që ishte vendimtare për Kosovën.

Babai i tij, Avniu merr një vendim të vështirë dhe shumë të rëndësishëm. Ai nuk i tregon djalit të tij për vdekjen e gjyshit. Madje gjen forcën dhe bashkë me gruan e tij shkon në stadium për ta shikuar djalin e tij edhe pse babai i kishte vdekur gjatë ditës.

”Na ndodhi rasti në ora 15:00 vendosëm që mos me i tregu para ndeshjes në mënyrë që mos me mërzitë. Unë isha në stadium së bashku me gruan për t’i dhënë përkrahje djalit, pasi ka përfundu ndeshja dhe Arbëri ka dalë nga zhveshtorja ia kam kumtuar lajmin dhe ai u dëshprua shumë”, kishte rrëfyer babai i yllit kosovar.

Image result for Arber Zeneli best player Kosovo

Arbër Zeneli kishte mundësi të luante ende me Suedinë, por megjithatë ai vendosi të bëhej ndër të parët për projektin e një përfaqësuese të re e cila quhej KOSOVË e që ishte vendi i tij i lindjes.

Arbëri u bë shembull edhe për lojtarët pasardhës që zgjodhën Kosovën e që do të zgjedhin në të ardhmen.

Tashmë emrat e ‘Ronaldos e Messit’ nëpër lagjet e Kosovës janë zëvëndësuar me ata të Arbërit e yjeve të tjerë të Kosovës falë paraqitjeve të tyre mbresëlënëse, me shpresë që do të vazhdojnë gjithmonë… edhe sot ndaj Bullgarisë!  /PERISKOPI/

Shpërndaje në: