Zëvendësimi i targave, sipas “urdhrit të Beogradit”

Periskopi.com Lajme

Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb që t’i përgjigjen procesit të riregjistrimit të veturave me targa RKS (Republika e Kosovës), sytë e tyre janë drejtuar nga Beogradi zyrtar.

“Unë vozis [veturë me] targa KM [Mitrovicë e Kosovës-Kosovska Mitrovica], jam në pritje të vendimit të shtetit serb”, tha për Radion Evropa e Lirë, Filip Kovaçeviq, nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor, veturat me targa të qyteteve në Kosovë, të cilat ende lëshohen nga autoritetet serbe, do të mund të zëvendësohen me targa RKS (Republika e Kosovës) brenda periudhës 1 gusht deri më 30 shtator.

Me bashkëqytetarët e tij pajtohet edhe Zorani nga Mitrovica e Veriut.

“Unë jam shtetas i Serbisë, jo i Kosovës”, thekson Zorani.

Të gjithë ata shpresojnë se autoritetet e Kosovës nuk do t’ua konfiskojnë targat dhe veturat nëse nuk riregjistrohen brenda afatit të caktuar kohor.

Po nëse qytetarët refuzojnë riregjistrimin e veturave?

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, riregjistrimi i tabelave RKS do të jetë i vlefshëm për të gjitha automjetet e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Gjithashtu, theksohet se pas afatit nuk do të mund të bëhet riregjistrimi i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia.

“Ministria e Punëve të Brendshme [e Kosovës] merr përsipër të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për realizimin e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Deri në publikimin e këtij teksti, askush nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me veprimet përgatitore për zbatimin e procesit të riregjistrimit dhe as se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës nëse qytetarët në veri refuzojnë të riregjistrojnë veturat e tyre.

Më herët, kryeministri Kurti kishte paralajmëruar “konfiskimin” e targave KM, pasi ato kishte thënë se janë të paligjshme.

Mesazhe kundërthënëse nga Kurti dhe Petkoviq

Më 3 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët drejtojnë vetura, siç tha ai, me targa të paligjshme të qyteteve në Kosovë dhe të lëshuara nga autoritetet serbe, që të bëjnë riregjistrimin me targa RKS (Republika e Kosovës).

Kurti iu drejtua serbëve të Kosovës në gjuhën serbe.

“Për të siguruar që procesi i regjistrimit të automjeteve të jetë sa më i lehtë, nuk do të ketë nevojë për doganë. Ky është një koncesion i madh, duke pasur parasysh se pagesa doganore për automjet do të ishte rreth 5,000 euro. Për regjistrimin e parë nuk do të kërkohet kontroll teknik i veturës”, deklaroi Kurti në një mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti shpjegoi se riregjistrimi i automjeteve do të jetë i mundur në një nga 33 qendrat e regjistrimit në mbarë Kosovën, duke përfshirë edhe komunat në veri.

Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i tha kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se targat serbe në Kosovë nuk janë të paligjshme, por se ekzistojnë në bazë të ligjeve të Serbisë dhe Marrëveshjes së Brukselit.

“E vetmja gjë që është e paligjshme është mosrespektimi dhe shkelja e marrëveshjes, e sigurisht jo targat e KM! Ky provokim dhe tentativë për konfiskimin e veturave serbe nuk do të kalojë”, shkroi Petkoviq në llogarinë e tij në Twitter.

Lidershipi serb reagoi ashpër ndaj vendimit të Prishtinës për caktimin e afatit për riregjistrimin e veturave.

Një nga deklaratat e fundit për këtë temë u bë nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila më 3 korrik tha për RTV Pink të Beogradit se “presioni, terrori dhe ngacmimi i vazhdueshëm” i serbëve në Kosovë po vazhdon.

Megjithatë, punonjësit e institucioneve serbe në Kosovë javën e kaluar morën një “paralajmërim verbal” se nuk mund t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore në periudhën e ardhshme për shkak të “situatës politike”. Këtë informacion për REL-in e kanë konfirmuar vetë punonjësit, por me kërkesë që të mos zbulohet identiteti i tyre, pasi kanë frikë se do të rrezikojnë vendin e punës.

Punonjësit e institucioneve serbe, shpeshherë e kishin obligim pune të dilnin në protesta për shkak të situatës politike, apo në barrikada, madje edhe në zgjedhjet e Kosovës kur duhej të mbështesnin Listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.

Më 1 korrik, kreu i administratës së arsimit, Ivan Zaporozhac, dhe drejtori i Qendrës Spitalore Klinike, Zlatan Elek, nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it apo mesazheve në lidhje me ndalimin e pushimeve. Ngjashëm ndodhi edhe më 4 korrik.

Përplasjet e mëparshme për targat

Çështja e targave ngriti tensione mes Prishtinës dhe Beogradit në shtator të vitit të kaluar, pasi Kosova vendosi masa reciproke ndaj Serbisë, gjegjësisht dhënien e targave të përkohshme për të gjithë ata që drejtojnë vetura me targa të qyteteve nga Serbia.

Më pas, Qeveria e Kosovës njoftoi se të gjitha targat KM do t’u merren qytetarëve në veri të Kosovës, gjë që shtyu serbët të bllokojnë vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – Jarinjë dhe Bërnjak – për dy javë. Gjatë kësaj kohe, njësitë speciale të Policisë së Kosovës ishin të pranishme në vendkalimet që lidhin Kosovën dhe Serbinë, ndërsa avionët ushtarakë serbë disa herë kishin fluturuar mbi pikën kufitare në Jarinjë.

Në atë kohë, Beogradi zyrtar njoftoi se njësitet e ushtrisë serbe ishin në gatishmëri të shtuar luftarake në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, afër kufirit me Kosovën.

Megjithatë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, situata u shtensionua dhe u arrit një zgjidhje e përkohshme për targat, pra të mbuloheshin simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë me ngjitës të bardhë në të gjitha targat.

Pas kësaj zgjidhjeje të përkohshme, Kosova dhe Serbia duhej të arrinin një zgjidhje përfundimtare, por kjo nuk ndodhi për shkak të qëndrimeve të ndryshme të dy palëve.

Më 29 qershor, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, ka shprehur shpresën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë politik do të vazhdojë edhe në korrik.

Mirëpo, të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendim për riregjistrimin e veturave dhe Qeveria serbe reagoi ashpër dhe Vuçiq tha se nuk do të ketë dialog.

Vetë Lajçak më 30 qershor deklaroi se në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës është krijuar një “situatë e re” dhe për momentin nuk dihet nëse Kurti dhe Vuçiq do të takohen ende gjatë këtij muaji.