​Rama: Reformat i bëjmë për vete, jo për BE-në

​Rama: Reformat i bëjmë për vete, jo për BE-në

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Brukseli për temën e nxehtë të këtyre ditëve, hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Kryeministri, i pyetur nga Euronews për shanset e Shqipërisë për një “PO”, është shprehur se, “është e qartë që një shumicë e kupton të gjithën, kemi dhe një grup të vogël por nga vende shumë të rëndësishme që kanë tjetër mendim. Është një luftë e brendshme qasjesh të ndryshme, për BE. Ndaj në një farë mënyre rrezikojmë të jemi dëmi kolateral i kësaj lufte të brendshme”.

Sa i përket reformave, Rama tha se “ne nuk e bëjmë këtë për Evropën apo se kështu do dikush në Paris apo në Berlin, apo sepse dikush kërkon më shumë diku tjetër. Ne e bëjmë këtë për veten tonë, për fëmijët tanë. Është e vetmja gjë që mundemi e duhet ta bëjmë. Edhe nëse Bashkimi Evropian do të zhdukej të nesërmen, ne do të bënim sërish të njëjtën gjë, se ka të bëjë me ndërtimin e demokracisë funksionale dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë”.

“Ka vetëm një gjë me të cilën ne nuk biem dakord, që gjatë kësaj kohe, ne duhet të thellojmë reformat në Ballkanin Perëndimor dhe në çdo vend tjetër. Nuk është se ne po kërkojmë të bëhemi anëtarë sot. Ne duam të përfitojmë nga ky transferim dijesh për ndërtimin e shtetit përmes negociatave dhe të vulosim perspektivën përmes negociatave që vendi ynë një ditë të jetë në BE. Nuk duam të bëhemi anëtarë as sot dhe as nesër”.

Kreu i qeverisë shqiptare tha gjithashtu se bie dakord me çfarë deklaroi presidenti Macron, por këmbënguli se me hapjen e negociatave nuk do të thotë që Shqipëria do të anëtarësohet menjëherë.

“Nuk dua t’i hyj kësaj, sepse është një diskutim i ligjshëm për politikat e brendshme. BE ka liberalizuar lëvizjen dhe ka hequr vizat për qindra e miliona njerëz gjatë viteve të fundit. E gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me negociatat. Njëkohësisht besoj shumë se Presidenti ka të drejtë kur flet për nevojën për të thelluar BE-në, nevojën për të pasur një reformim të metodologjisë. Gjithçka është e drejtë”./ATSH/

Shpërndaje në: