25 shqiptarë kapen duke udhëtuar ilegalisht në një autobus në Gjermani

25 shqiptarë kapen duke udhëtuar ilegalisht në një autobus në Gjermani

Gjatë kontrollimit të një autobusi të relacioneve të gjata në Ruhstorf an der Rott, u zbulua se 25 persona kishin shkelur ligjin mbi të drejtën e qëndrimit në Gjermani. Disa prej tyre kishin tejkaluar ndjeshëm të drejtën afatshkurtër për të qëndruar për 90 ditë në këtë shtet, shkruan pnp.de.

Pasditen e djeshme, një autobus përplot me shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës ishte duke udhëtuar përmes Austrisë në vendet përkatëse: Kosovë dhe Shqipëri. Por autoritetet kufitare austriake në GÜG Suben ia kanë refuzuar hyrjen sepse janë gjetur parregullsi tek shumë pasagjerë në lidhje me ligjin e qëndrimit.

Pas refuzimit, autobusi u kontrollua në pikën e kontrollit kufitar të Policisë Federale, në Gjermani, të vendosur në parkingun automobilistik Rottal-Ost, përcjell albinfo.ch. Nga kontrollimi i bërë doli se gjithsej 22 shtetas të Shqipërisë dhe 3 të Kosovës në disa raste kishin tejkaluar ndjeshëm të drejtën për të qëndruar për 90 ditë në Gjermani. Si rezultat, janë iniciuar hetimet penale ndaj tyre.

Përpunimi i mëtutjeshëm i rastit është kryer nga inspektorati i policisë kufitare në Passau për arsye të kompetencës. Të akuzuarit janë të lirë pas përfundimit të masave të nevojshme. Ata janë urdhëruar të dëshmojnë me shkrim largimin e tyre nga zona e Shengenit.

 

Shpërndaje në: