6 muaj të Albin Kurtit në pushtet: Prioritetin e parë e realizoi me sukses të jashtëzakonshëm

6 muaj të Albin Kurtit në pushtet: Prioritetin e parë e realizoi me sukses të jashtëzakonshëm

Tashmë janë bërë gjashtë muaj prej që Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës dhe efektivisht mori nën kontroll të gjitha levat e pushtetit në Kosovë. Në këtë artikull do të provojmë të japim një përgjigje vijëtrashë në pyetjen e formuluar nga Ramush Haradinaj “kah po shkon Kosova?” dhe do të tregojmë se si në fakt, ai ka qenë shumë i suksesshëm në realizimin e prioritetit të tij të parë real.

Data ishte 22 mars kur Albin Kurti u votua si kryeministër i Kosovës nga deputetët e Kuvendit të zgjedhur më 14 shkurt. Pra, gjashtë muaj e një ditë më parë.

Por, kah shkoi Kosova gjatë këtyre 184 ditëve të Albin Kurtit në pushtet?

Kryeministri i ri i Kosovës prioritet mbi prioritete e kishte përcaktuar pandeminë Covid-19. Menjëherë në muajin prill, ai ndërmori disa masa kufizuese antiCOVID përmes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, por të cilat nuk u respektuan nga masa.

Prioriteti i dytë: Pandemia

Pse nuk i respektoi masa, masat? Sepse masa ende e mbante mend fushatën famëkeqe për zgjedhjet e 14 shkurtit kur edhe Albin Kurti, ashtu si oponentët e tij, shpërfillën në mënyrë brutale krejt masat dhe rekomandimet e IKShPK-së për të mbajtur tubime me përkrahësit e tyre.

Sidoqoftë, edhe këto pak masa dhanë efektet e tyre sepse numri i rasteve filloi të binte fiks më 1 maj. Dhe, meqë numri i rasteve ra, edhe Qeveria gjeti pretekstin për t’i ulur masat kufizuese tërësisht aq sa Kosova u duk se e u bë vendi i parë në botë që e kapërceu flamën e pandemisë. Në fakt, Qeveria po i hiqte masat për t’i lehtësuar ardhjen diasporës. Ajo që ndodhi ishte një kasaphanë e qytetarëve tanë më të lëndueshëm, të moshuarve dhe qytetarëve me sëmundje ekzistuese që do të niste prej fillimit të gushtit dhe po vazhdon ende.

Qeveria dështoi në mënyrë spektakolare para syve të gjithë popullit me menaxhimin e pandemisë, të cilin prioritet e kishte vënë të parin. Në disa ditë rresht, në Kosovë do të vdisnin nga 36 qytetarë të Kosovës në ditë.

Edhe menaxhimi i procesit të vaksinave u përshkua me shumë e shumë probleme. Kosova – duke qenë ndër vendet më varfanjake në Evropë – u ndihmua nga vendet mike me doza vaksinash Pfizer dhe AstraZeneca, por administrimi i tyre ishte mozotmëkeq.

Fushatat për vaksinim mungonin duke i lëshuar vend fushatave të përditshme politike ku të përfshirë ishin me mijëra aktivistë e militantë [ndoshta edhe nga zyret e qeverisë] dhe me mijëra profile të rreme.

Vlen të përmendet që Kurti vendosi se kandidat për kryetar të Prishtinës ta kishte pikërisht ministrin e tij të shëndetësisë, Arben Vitinë mu në kohën e pandemisë.

2 mijë e 917 qytetarë të vdekur janë konfirmuar të vdekur nga Covid-19 në mbarë Kosovën prej nisjes së pandemisë më 13 mars 2020. Arben Vitia e Albin Kurti nuk morën përgjegjësinë për keq-menaxhimin e tmerrshëm të pandemisë. Ky i fundit, duke e pranuar se situata ishte e rëndë, fajin i la IKShPK-së duke thënë se vazhdimisht kishin ndjekur rekomandimet e këtij instituti. Kryeministri harroi se kishte marrë meritat për uljen e rasteve gjatë muajit maj, ndoshta duke qenë i preokupuar nga prioriteti i tij i gjashtë-a-shtatë [dialogu]. Për më tepër, Kurti provoi instrumentalizoi pandeminë, IKShPK-në, presidenten Osmani, kryekuvendarin Konjufca, që të provonte t’i shtynte zgjedhjet lokale të 17 tetorit për shkak se nuk i dilnin sondazhet mirë. Por, ja që kësaj here nuk ia doli.

Prioriteti i gjashtë-a-shtatë: Negociatat

Njeriu që kishte ndërtuar partinë e tij politike në kundërshtim të negociatave me Serbinë, prej marrjes së pushtetit po provonte ta kthente Serbinë në tavolinën e negociatave.

Megjithëse, populli u gënjye se negociatat [dialogu] s’do të ishte prioritet, ose do të ishte prioriteti i gjashtë-a-shtatë, në fakt ai doli shumë shumë para pandemisë. Kryeministri u desh të mos vendoste Reciprocitetin e plotë tregtar, ekonomik e politik ndaj Serbisë dhe të hante fjalët e veta të thëna dy ditë para zgjedhjeve [më 12 shkurt].

Ishte po Albin Kurti ai që kishte hequr masën e taksës 100% ndaj mallrave serbe sa ishte kryeministër në Qeverinë Kurti I.

Ajo që ndodhi më pas nuk ishte gjë e bukur. Kurti po shtron nevojën për negociata edhe këto ditë kur vendosi të vendoste një trohë reciprociteti për targat e veturave.

Ai bëri një paraqitje të mirë në takimin e dytë publik me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, kur siç u raportua i numëroi këtij të fundit masakrat e bëra nga Serbia ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë prej fundit të shekullit XIX e deri në vitin 1999. Por, asgjë përtej kësaj!

Qeveria e tij përhapi skandalin e Arkivit të UÇK-së, që u tha se do të hapej në këmbim të arkivit shtetëror të Serbisë. Shumë ushtarë të UÇK-së, madje edhe nga partia e tij, e mohuan se një arkiv i tillë ekzistonte dhe shumë kritikë tërhoqën vërejtjen se në fakt arkivi shtetëror i Serbisë isthe i shkatërruar. Se në atë arkiv s’do të gjendej asgjë për krimet e luftës të bëra nga shteti serb tha edhe humanistja e njohur Natasha Kandiq.

Më pas, Kurti duket se u këndell por tashmë mund të jetë bërë shumë vonë.

Së fundi, vlen të përshëndetet aksioni i Njësisë Speciale në veri të vendit për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011 për lirinë e lëvizjes. Nuk ka rëndësi, që vet Kurti e kundërshtonte ashpër atë marrëveshje dikur.

Prioriteti i tretë: Drejtësia

Asnjë hap përpara. As nuk shkoi Lumezi, e as nuk erdhi Elezi. Dhe për më keq, duket se as nuk e ka ndërmend të shkojë Lumezi e as nuk e ka ndërmend të vijë Elezi.

Se Gjyqësori është i kapluar nga probleme të tjera, më të mëdha se sa që thuheshin në retorikën opozitare të Kurtit, tashmë duket sheshit. Mungesa e vullnetit, mungesa e zotësisë për të kryer punën, kapacitetet e vogla – duket se janë elementet kryesore penguese të një drejtësie më funksionale në vend. Drejtësi që nuk po rregullohet dot me përrallat qeveritare.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të jetë i zbatueshëm pikërisht prej hallkave të ndryshkura të drejtësisë tonë. Ndërkohë që, e gjithë shpresa mbetet te procesi i Vettingut – i cili kishte nisur tash e disa vite.

Prioriteti i dhjetë: Politikat sociale

Kryeministri ka miratuar një varg politikash sociale që janë parë me sy kritik nga opozita dhe analistët.

Në kohë pandemie, ai nuk u vazhdoi shtesat prej 30 euro pensionistëve të vendit. Janë pikërisht pensionistët grupmosha ndaj të cilës pandemia po bën kërdinë. Por, mungesa e ndjeshmërisë duket se bëri të veten dhe në vend se t’u jepte nga 30 euro më shumë, Kurti sa për reklamë ua rriti nga 10 euro pensionet bazike.

Një tjetër veprim me pasoja të rënda ishte edhe ulja e turpshme e shtesave për stafin shëndetësor. Po e përsërisim, edhe kjo në kohë pandemie. Nga 250 euro sa merrnin mjekët, dhe 150 infermierët, për çdo muaj – tashmë të dy palët do të marrin vetëm nga 60.

Nuk ka kohë më të mirë për të ulur moralin e luftëtarëve se koha e luftës, apo jo?

Një tjetër vendim që u pa me natyrë nacionaliste ishte ai për dhënien e 170 eurove në muaj për gratë lehona. Çështja është: po ndihmohen gratë që të pavarësohen, apo po ndihmohen gratë si fabrika riprodhimi të qytetarëve si fuqi e lirë pune?

Prioriteti i parë: Konsolidimi i pushtetit

Albin Kurti i mori 50 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit. E gjithë qeveria ishte për vete. E gjithë presidenca ishte për vete. I gjithë kuvendi ishte për vete. Por, megjithatë nuk u kënaq.

Kurti iu rrek rrugës së konsolidimit të pushtetit vetjak. Në muajin prill, menjëherë pasi e bëri Vjosa Osmanin presidente me pazare të çuditshme alla-Thaçi në Kuvendin e Kosovës, ai u nis fushave e maleve e çukave e gërxheve të Shqipërisë për të bërë fushatë për tre kandidatët e partisë së tij për deputet. Ishin zgjedhjet e 25 prillit. Përkundër angazhimit të madh që bëri, të tre kandidatët i humbën keq garat respektive.

Por, ajo që nuk ndodhi në Shqipëri po ndodhte përditë në Kosovë. Kurti po emëronte nëpër funksione të larta qeveritare “profesionistë të spikatur” që kushedi pse, po qëllonin edhe familjarë të spikatur të njerëzve të tij. Familjarët, po qenë të spikatur, mund të ishin edhe për dasma e edhe për qeveri.

Marrë parasysh gjithë këto, del se Kurti ka arritur që prioritetin e tij të parë – konsolidimin dhe rritjen e pushtetit – ta realizonte me shumë sukses./Periskopi 

Shpërndaje në: