Kanosja e gjyqtarit dhe prokurorit, Apeli elaboron ankesat e PSRK-së dhe mbrojtjes në rastin e Arlind Manxhukës dhe tjerëve

Kanosja e gjyqtarit dhe prokurorit, Apeli elaboron ankesat e PSRK-së dhe mbrojtjes në rastin e Arlind Manxhukës dhe tjerëve

Në Gjykatën e Apelit të hënën u elaboruan ankesat e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtjes së të akuzuarve Egzon Azemi, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, avokatëve Teutë Xhema, Muharrem Kurtaj dhe Albatrit Bytyqi. Si dhe përgjigja në ankesën e Prokurorisë, e mbrojtjes së Arlind Manxhukës, avokates Rozafa Berisha. Ankesat janë parashtruar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila shpalli aktgjykim lirues për Manxhukën, kurse dënues për Azemin, Elshanin dhe Zenelajn.

Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe ish-prokurorin special, Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Periskopi.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 mars 2025, zëdhënësin e Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka e liroi nga akuza, Egzon Azemi dhe Qerim Elshani u dënuan me nga 6 muaj burgim për kanosje, ndërkaq Edi Zenelaj u dënua me 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Vendimi i Themelores ishte marrë pasi u ricilësuan veprat penale për Azemin dhe Zenelajn.

Kolegji shqyrtues i ankesave në Gjykatën e Apelit të hënën kishte këtë përbërje: Ferit Osmani- kryetar kolegji, Avni Mehmeti- gjyqtar referues dhe Mentor Hajra- anëtar.

Sipas gjykatësit Osmani, të ftuar për seancë kanë qenë gjithë të akuzuarit, si dhe të dëmtuarit- gjykatësi Mentor Bajraktari dhe ish-prokurori special, Afrim Shefkiu.

Prezent ishin të akuzuarit: Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani, ndërkaq munguan Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka, por për dy të fundi prezent ishin avokatet Xhema dhe Berisha. Në seancë po ashtu nuk ishin të pranishëm askush nga Prokuroria e Apelit dhe as të dëmtuarit.

Gjykatësi Mehmeti tha se Prokuroria ka bërë ankesë sa i përket aktgjykimit lirues për Manxhukën, duke propozuar që i njëjti të shpallet fajtor apo rasti të kthehet në rigjykim. Ndërkaq, për të akuzuarit tjerë ka propozuar dënim më të ashpër.

Kurse, Prokuroria e Apelit i ka propozuar Gjykatës që ankesa e Prokurorisë për Manxhukën të aprovohet dhe i njëjti të shpallet fajtor, kurse ndaj tre të akuzuarve të tjerë të shqiptohet dënim më i ashpër.

Përgjigje në ankesën e Prokurorisë për Manxhukën dha avokatja Rozafa Berisha, duke i propozuar Apelit që të refuzojë ankesën si të pabazuar dhe ta vërtetojë vendimin e Themelores.

Ankesën për Azemin e elaboroi avokatja Teutë Xhema, e cila pretendoi se Gjykata Themelore me rastin e shpalljes së të mbrojturit të saj fajtor për “Kanosje” ka bërë tejkalim të aktakuzës, pasi që Azemi ishte i akuzuar për “Nxitje të urrejtjes”.

Andaj, Xhema kërkoi që ankesa e saj të aprovohet dhe Azemi të lirohet nga akuza, apo rasti të kthehet në rigjykim ose në rast se Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores, atëherë dënimi ndaj Azemit të zëvendësohet me gjobë.

Në anën tjetër, avokati Muharrem Kurtaj për të akuzuarin Elshani tha se Prokuroria vetë në fjalë përfundimtare i kishte propozuar Themelores dënim më të butë, dhe se në arsyetim të aktgjykimit ka vetëm një vlerësim se kanosja ka ndodhur ndaj zyrtarëve të lartë- gjykatësit dhe prokurorit.

Sipas Kurtajt, fjalët e përdorura nga Elshani hynë në domenin e komentimit dhe lirisë së shprehjes, që e ka të garantuar secili qytetar. Tha se në rast se Apeli vërteton vendimin e Themelores, të ketë parasysh zbutjen e dënimit, pasi që Elshani është mbajtës i familjes.

Ndërkaq për të akuzuarin Zenelaj, avokati Albatrit Bytyqi tha se vendimi i Themelores përmban shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, pasi që në dispozitiv mungon vendi i kryerjes së veprës penale.

Sipas Bytyqit, pjesa e arsyetimit të vendimit me dispozitivin kanë kontradikta mes vete dhe kjo si rezultat i rikualifikimit nga vepra penale e “Kanosjes” në atë të “Nxitjes së urrejtjes”, për të akuzuarin Zenelaj.

Për CD-në e administruar si provë, Bytyqi tha se është e përshkruar dhe nuk dihet se çka përmban, duke shtuar se aktgjykimi është përpiluar mbi bazën e supozimeve dhe jo fakteve të provuara.

Për dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarve, Bytyqi tha se nuk ka individualizim të dënimit astu siç e kërkon Kodi. Kërkoi që në rast se Gjykata e Apelit vlerëson se nuk ka shkelje si vendim, atëherë dënimi me burgim Zenelajt t’i zëvendësohet në atë me gjobë.

Paraprakisht, Bytyqi tha se Gjykata Themelore nuk i ka dhënë përgjigje propozimit të mbrojtjes që dënimi me burgim të zëvendësohet në atë me gjobë, dhe se sipas tij, Supremja tashmë ka vendim që duhet të jepet përgjigje për këto raste. Andaj, edhe në këtë situatë vendimi i Themelores, sipas Bytyqit, është i kundërligjshëm.

Më pas, gjykatësi Osmani e shpalli të përfunduar gjykimin, duke u bërë të ditur se brenda afatit ligjor, palët do të pranojnë vendimin e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”. Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

Me këtë, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Elshani dhe Zenelaj, menjëherë pas postimeve të të pandehurve të lartcekur në mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e parë, të nxitur nga të njëjtit, të pandehurit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit Afrim Shefkiu dhe Mentor Bajraktari.

“I pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja lshu që mos mi jet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehuri Zenelaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal

Shpërndaje në: