Akuzat mes njëri tjetrit lihen pak anash: Balotazhi në disa komuna i bën bashkë Albin Kurtin dhe Ramush Haradinajn
“Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia”, kjo deklaratë e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt e thënë për 4 vite rresht, nuk po vlen edhe për balotazh të zgjedhjeve lokale.
Partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ajo e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), po ia zgjasin duart njëra tjetrës për rrugën e 9 nëntorit, raporton Periskopi.
Deri tani kanë arritur të bëjnë koalicion tri komuna, e ndërsa një është ende në shqyrtim.
Në Komunën e Fushë Kosovës kjo punë është kryer tash e sa ditë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza publikoi një foto me shtrëngim duarsh me kandidaten e AAK, Vildane Latifi, duke njoftuar arritjen e marrëveshjes.
“Vazhdojmë rrugëtimin bashkë drejt ndryshimit! Na priftë e mbara”, ka shkruar Prebreza, duke publikuar edhe një fotografi të përbashkët me Latifin.
Këto dyja parti, kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazh edhe në Prizren.
Kandidati i VV-së në Prizren, Artan Abrashi, në një shkrim ka bërë të ditur se nënshkruan marrëveshjen me kandidatin e AAK-së, Besnik Krasniqi.
“Nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë. Ky bashkëpunim ka vetëm një qëllim: t’i shërbejmë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojmë që çdo projekt, çdo investim e çdo vendim të jetë në dobi të komunitetit tonë. Bashkë, me përkushtim dhe përgjegjësi, do të punojmë për: • zhvillim ekonomik e infrastrukturor, • arsim e rini, • qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse. Prizreni është mbi çdo interes partiak. Për qytetin tonë, për të ardhmen e përbashkët”, ka shkruar Abrashi.
AAK-ja në Prizren mori vetëm 2,214 vota apo 3.47%.
Edhe Junikun e synojnë bashkë këto dy parti.
Sipas kandidatit për kryetar të Junikut nga radhët e LVV-së, Jetmir Tofaj, i cili doli i treti në garë në zgjedhjet e 12 tetorit, marrëveshja është arritur në pajtim me kryesinë e LVV-së.
“Në përputhje me vendimin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje! Qendra Junik dhe aprovimin e Kryesisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje!, është marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbështesim kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Agron Kuçi”, ka shkruar ai në Facebook.
Në balotazh, Kuçi ka dalë i dyti me 38,88 për qind të votave, ndërkohë që i pari është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Ruzhdi Shehu, me 48,89 për qind të votave.
Ndërsa në pikëpyetje është komuna e Pejës.
Të martën kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi i ka bërë ofertë për bashkëpunim në balotazh kandidatit të AAK, Ali Berisha, duke ia ofruar kështu 6 drejtori komunale dhe Kryesuesin e kuvendit komunal në Pejë, shkruan Periskopi.
Në një prononcim për Periskopin, kandidati i AAK, Ali Berisha tha se kjo ofertë e Vetëvendosjes do të shqyrtohet bashkë me strukturat qendrore, por janë në pritje të ofertës edhe nga kandidati i LDK, Gazmend Muhaxheri.
“Sot e kemi pranuar zyrtarisht ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për kryetar të komunës, Taulant Kelmendit dhe tani jemi në pritje edhe të ofertave të kandidati tjetër. Ne do t’i konsultojmë të gjitha strukturat e partisë duke filluar nga asambleistët e zgjedhur, mandej strukturën udhëheqëse të degës, do të ketë komunikim edhe me strukturat qendrore të partisë dhe momentin e duhur do të marrim vendimin e duhur besoj për Pejën dhe Aleancën. Presim edhe kandidatin për kryetar të komunës së partisë tjetër dhe mandej do të marrim vendimin e duhur në momentin ma adekuat të mundshëm”, tha Berisha për Periskopin.
Nga të dhënat e KQZ-së, Gazmend Muhaxheri në zgjedhjet lokale ka marr 46.25% ndërsa Taulent Kelmendi 27.78%.
Më 9 nëntor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në disa komuna të Kosovës./Periskopi/



