Nga 100 milionë në 8 miliardë dollarë: OnlyFans gati për t’u shitur

Nga 100 milionë në 8 miliardë dollarë: OnlyFans gati për t’u shitur

Platforma online OnlyFans duket se është pranë një shitjeje.

Sipas informacionit të agjencisë së lajmeve Reuters, kompania që operon platformën, Fenix International Limited, po negocion me një grup investitorësh nën drejtimin e firmës amerikane të investimeve Forest Road Company për një marrëveshje të mundshme blerjeje.

Sipas të dhënave të Frankfurter Allgemeinen Zeitung (FAZ), vlera e kompanisë OnlyFans llogaritet të jetë midis shtatë dhe tetë miliardë dollarë amerikanë. Megjithatë, pavarësisht një fitimi para tatimit prej rreth 684 milionë dollarësh në vitin 2024, kjo vlerë konsiderohet relativisht e ulët.

Pronari aktual i shumicës, biznesmeni ukraino-amerikan Leonid Radvinsky, e kishte marrë platformën në vitin 2018 nga themeluesi Tim Stokely – sipas mediave për një shumë prej rreth 100 milionë dollarësh. Edhe në rast se platforma shitet për një çmim më të ulët, Radvinsky pritet të përfitojë disa herë më shumë se investimi i tij fillestar, transmeton Periskopi.

OnlyFans u mundëson përdoruesve të ofrojnë përmbajtje kundrejt pagesës – qasja bëhet përmes një abonimi mujor ose pagesash njëherëshe. Zyrtarisht, platforma prezantohet si një hapësirë për tema të ndryshme si fitnesi ose muzika, por në praktikë përmbajtja erotike ka marrë rolin kryesor. Marrëdhënia direkte mes fansave dhe krijuesve e ka bërë këtë portal një fenomen global gjatë viteve të fundit.

Shpërndaje në: