Dhuna seksuale gjatë luftës, Haxhiu apel partnerëve ndërkombëtarë: T’i bëhet presion Serbisë për dorëzimin e kriminelëve

Dhuna seksuale gjatë luftës, Haxhiu apel partnerëve ndërkombëtarë: T’i bëhet presion Serbisë për dorëzimin e kriminelëve

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu sot ka bërë homazhe tek Memoriali “Heroinat”, me rastin e 14 prillit, Ditës memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.

Haxhiu pas homazheve të bëra u bëri apel partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Kosovës.

“Prandaj, unë thërras sot edhe njëherë partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Kosovës sepse Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës dhe po ashtu e atyre terroristëve që kryejnë krime në kohë të paqes”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Haxhiu tutje tha se me homazhet e bëra para memorialit “Heroinat” nderuan sakrificën dhe dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Janë histori të thella të dhimbjes por edhe të qëndresës dhe forcës së jashtëzakonshme. Vajzat, gratë, sikurse djemtë e burrat që i mbijetuan kësaj dhune na tregojnë që kemi edhe shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Kosovës, sidomos në adresimin e drejtësisë”, tha ajo.

Tutje ushtruesja e detyrës së presidentes tha se gjatë kohës së fundit ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së undit në Kosovë dhe janë tri vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Do të angazhohemi që të gjitha nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale t’i adresojmë sipas përgjegjësisë që kemi…”, tha ajo.

Shpërndaje në: