Rikthehen në punë 6 policët e suspenduar, avokatja Mulhaxha: U dëshmua prezumimi i pafajësisë
Gjashtë zyrtarë policorë, të cilët ishin nën masën e suspendimit, janë rikthyer sot zyrtarisht në detyrat e tyre.
Lajmi është bërë i ditur përmes një reagimi publik nga avokatja Aurora Mulhaxha, e cila përfaqëson ligjërisht njërin nga zyrtarët e përfshirë, Edion Bajraktarin.
Sipas mbrojtjes, ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në respektimin e procedurave ligjore dhe parimit të prezumimit të pafajësisë për zyrtarët e rendit.
Avokatja Mulhaxha ka mirëpritur vendimin për ndërprerjen e suspendimit, duke theksuar se kjo masë nuk duhet të interpretohej në asnjë moment si fajësi paraprake.
“Ky vendim konfirmon se masa e suspendimit ka qenë e përkohshme dhe në asnjë rast nuk ka përbërë konstatim fajësie. Rikthimi i tyre në punë dëshmon se çdo rast duhet të trajtohet me paanshmëri, mbi bazën e fakteve dhe provave, larg çdo paragjykimi publik,” u shpreh Mulhaxha në reagimin e saj.
Në cilësinë e përfaqësueses ligjore të Edion Bajraktarit, Mulhaxha nënvizoi se ky hap është i domosdoshëm për rivendosjen e dinjitetit profesional të klientit të saj dhe kolegëve të tij brenda institucionit të Policisë së Kosovës.



