Aeroporti i Gjakovës shndërrohet në aeroport ushtarak të FSK’së

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës muajin e kaluar e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për marrje në shfrytëzim të Aeroportit të Gjakovës për nevojat e kësaj Ministrie.

Kundër kësaj kërkese pati dali ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i cili pati thënë se ky aeroport është në plan të rifuksionalizohet.

Megjithatë, Haradinaj e kishte konsideruar si lajm të mirë që kjo hapësirë do të kalojë nën menaxhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për shkak se do të ndalet degradimi i kësaj hapësire.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama është shprehur se ende janë në fazën fillestare duke punuar me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për çështje administrative.

“Ne jemi në fazat fillestare si e kemi marrë nga Qeveria, tash jemi në grupe punuese me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për disa çështje administrative sepse janë disa punëtorë aty dhe ekziston një bord”, ka thënë Rama për lajmin.

Më tutje, i pyetur nëse ky aeroport planifikohet të jetë aeroporti i Ushtrisë së Kosovës në të ardhmen, Rama ka pohuar se planet janë të tilla.

“Kemi krijuar borde punuese dhe më tutje në vazhdim sigurisht që kemi plane në të ardhmen, por jo tani në këtë kohë”, tha Rama.

Aeroporti i Gjakovës deri vonë ka qenë bazë ku ka qëndruar KFOR-i italian, ndërkaq pas largimit të tyre ka filluar shkatërrimi i kësaj hapësire.

Marrja në shfrytëzim e kësaj hapësire nga Ministria e Mbrojtjes po planifikohet që në të ardhmen të shndërrohet në aeroport ushtarak të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Shpërndaje në: