Afrim Tovërlani reagon pas incidentit me Shpend Ahmetin

Afrim Tovërlani reagon pas incidentit me Shpend Ahmetin

Mbrëmë u raportua se trajneri kosovar, Afrim Toverlani ka sulmuar me thikë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Rasti madje ishte raportuar edhe në policinë e Kosovës, ku në Raportin 24-orësh, thuhet se i dyshuari mashkull kosovar ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së djeshme.

“Graçanicë, 25.10.2021-17:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një armë e ftohtë-thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Pas raportimeve në media reagoi edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se nuk ka pasur ndonjë konflikt me trajnerin, Toverlani.

Postimi i tij i plotë:

“Faleminderit të gjithëve për pyetjet e kujdesin. I pash edhe titujt ne portale. Nuk ka pas kurfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik.

Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijet dhe familjen.

Shpresoj që këtë incident Afrimi ta sqaroj e kaloj sa më lehtë me organet e rendit. Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit”, shkroi Ahmeti.

Ndërsa, Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me trajnerin, Afrim Toverlani për të marrë një version edhe nga ai, por që tekniku kosovar tha se me rastin po merren avokatët.

“Jam duke u konsultuar me avokatë, nuk kam ndonjë deklaratë. E keni parë publikimin e kryetarit, nuk kam çfarë të shtoj diçka tjetër”, tha tekniku, Toverlani.

Shpërndaje në: